"Fillimi i vjeshtës" bie zakonisht më 7, 8 ose 9 gusht sipas kalendarit ndërkombëtar. Në vitin 2022, qëllon më 7 gusht. "Fillimi i vjeshtës" përfaqëson ndryshimin e stinëve dhe simbolizon që vera e nxehtë do të përfundojë shumë shpejt e vjeshta e freskët do të vijë. Meteorologët e përkufizojnë vjeshtën kështu: kur temperatura mesatare e pesë ditëve me radhë arrin nën 22 gradë, kemi hyrë në vjeshtë. Por në fakt, Kina ka territor shumë të madh dhe në krahina të ndryshme ka klima e temperatura të shumëllojshme. Vitet e fundit, i gjithë globi është ngrohur shumë. Prandaj, në fazën stinore "Fillimi i vjeshtës", temperatura mesatare në shumicën e krahinave kineze vazhdon të mbetet mbi 22 gradë. Vetëm në dhjetëditorin e 2-të dhe dhjetëditorin e 3-të të shtatorit, në shumicën e tyre fillon në të vërtetë vjeshta. Prandaj, në gjirin e popullit kinez, është përhapur shprehja "Tigri i vjeshtës". "Tigri i vjeshtës" do të thotë se, pas "Fillimit të vjeshtës", temperatura mund të arrijë mbi 35 ose 40 gradë për disa ditë me radhë dhe acarimi i klimës së nxehtë në këtë fazë është përshkruar si zemërimi i papritur i tigrit në gjuhën kineze. Në fakt, dukuria e mosikjes së verës së nxehtë ndodh edhe në rajonet e tjera botërore. Në Evropë ajo është quajtur "Vera e plakës", ndërsa në Amerikën Veriore është e njohur si "Vera indiane".

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Në Kinën e lashtë, në fazën "Fillimi i vjeshtës", perandori kryesonte funksionarët e shtetit për një ceremoni të mirëpritjes së vjeshtës dhe urdhëronte gjeneralët të stërvitnin ushtarët për të mbrojtur atdheun. Përveç kësaj, qeveria e Kinës së lashtë dhe fshatarët e thjeshtë zgjidhnin një ditë fatbardhë për të bërë lutje, duke falënderuar "hyjninë qiellore" dhe "stërgjyshërit" për të mirat e dhëna prej tyre.

Pas "Fillimit të vjeshtës", temperatura bie ngadalë dhe metabolizmi i njeriut ulet pak nga pak e oreksi fillon të rritet. Për këtë arsye, duhet të rregullojmë ushqimin e përditshëm sipas karakteristikave të vjeshtës.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Në krahinat veriore të Kinës është i përhapur zakoni i ngrënies së shalqirit në ditën e "Fillimit të vjeshtës". Ky zakon quhet edhe "ngrënia e vjeshtës". Kinezët besojnë se ngrënia e shalqirit mund të shmangë sëmundjen e diarresë në dimrin e mëvonshëm dhe pranverën e vitit tjetër. Në fazën "Fillimi i pranverës" kemi përmendur një zakon të ngjashëm, "Ngrënia e pranverës", që do të thotë ngrënia e perimeve të freskëta pranverore. Në verë temperatura e lartë shkakton mungesën e oreksit dhe shumë njerëz dobësohen në këtë stinë. Me ardhjen e fazës "Fillimi i vjeshtës", duhet të hamë ushqime të mira për t'u fuqizuar. Ushqimi më i pëlqyer patjetër është mishi. Prandaj, familjet e thjeshta kineze përgatisin mish rose, derri, qengji etj. për të kremtuar këtë festë.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Përveç ushqimeve, mjekësia kineze jep disa sugjerime për rregullimin e shpirtit dhe të pushimit:

Rregullimi i shpirtit - Duhet të mbajmë pastërti dhe qetësi psikologjike. Klima e vjeshtës mund të shkaktojë pikëllim dhe ndjeshmëri te njerëzit. Në kulturën kineze, vjeshta është një stinë e lidhur me trishtimin dhe hidhërimin. Në kohën e lashtë, kriminelët ekzekutoheshin vetëm në vjeshtë.

Rregullimi i pushimit dhe i veshjes - Duhet të flemë dhe të ngrihemi më herët. Megjithëse temperatura fillon të ulet, nuk mund të vishemi shumë trashë. Trupi duhet të mësohet me ndryshimin e klimës në këtë kohë.