Faza stinore "Nxehtësia e madhe" bie zakonisht më 22, 23 ose 24 korrik. Në vitin 2022 data është 23 korrik. Siç e përmendëm, në fazën e 11-të "Nxehtësia e vogël", në dhjetëditorin e parë të korrikut, temperatura është shumë e lartë, por nuk arrin kulmin. Kurse në fazën tjetër, "Nxehtësia e madhe", vjen faza më e vapët e vitit. Gjatë kësaj faze, në shumicën e krahinave kineze temperatura arrin në mbi 40 gradë. Kjo është edhe faza me më shumë stuhi.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Por "Nxehtësia e madhe" është përsëri periudha kur bimët bujqësore rriten më shpejt. Për shumicën e krahinave kineze, kjo është faza me ndriçimin e diellit, temperaturën dhe reshjet e shiut më të mëdha. Këta tre faktorë formojnë kushte të mira klimatike për rritjen e bimëve bujqësore. Por vitet e fundit, nën ndikimin e ngrohjes globale të klimës, në disa rajone jugore të Kinës ndodhin shpesh përmbytje, ndërsa në disa rajone veriore të vendit ka thatësirë. Këto fatkeqësi jo vetëm ndikojnë seriozisht në rritjen e bimëve bujqësore, por edhe sjellin rreziqe për jetën e njerëzve.

Gjatë kësaj faze stinore me temperaturën më të nxehtë janë të përhapura në popull shumë lojëra zbavitëse. Kjo është faza me më shumë bulktha në fshatra. Prandaj, njerëzit në disa vise të Kinës kanë një zakon, atë të ndeshjes së bulkthave. Njerëzit nxitin dy bulktha të luftojnë me njëri-tjetrin për qejf. "Nxehtësia e madhe" është edhe një fazë kur çelin jasemini dhe lotusi. Jasemini lëshon një lloj arome të veçantë që të sjell qetësi dhe gëzim. Kjo lloj arome forcohet më shumë në mot më të nxehtë. Shumë familje kineze rritin disa jaseminë në shtëpi për të marrë aromën e veçantë të kësaj luleje në verën e nxehtë. Në kulturën tradicionale kineze, lotusi përfaqëson fisnikërinë dhe dëlirësinë. Kjo lule nuk ka frikë nga dielli i fortë dhe stuhia e madhe, ajo çel në mëngjes dhe mbyllet në mbrëmje. Poeti kinez e vlerëson lotusin e verës kështu: "Nën ndriçimin e plotë të diellit, lulet e lotusit duken më të bukura me ngjyrën e kuqe të veçantë."

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Sipas mjekësisë tradicionale kineze, faza "Nxehtësia e madhe" karakterizohet me vapë dhe lagështirë, prandaj dielli mund t'u bjerë në kokë kryesisht fëmijëve, pleqve dhe njerëzve të dobët. Simptomat e pikës së diellit janë pafuqia, humbja e ndjenjave, djersitje më e madhe etj. Nëse njerëzit kanë këto simptoma, ata duhet të pushojnë në një mjedis të ajrosur, të hanë shalqi dhe të pinë pak ujë të kripur. Prandaj, duhet të planifikojmë në mënyrë të përshtatshme kohët e punës, të mësimit dhe të pushimit. Duhet t'i shmangemi ndriçimit pingul të diellit dhe të përpiqemi për të ulur temperaturën në dhomë. Në stinën e verës duhet të hamë më shumë fruta dhe perime, të cilat favorizojnë heqjen e nxehtësisë nga trupi njerëzor.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Në mjekësinë kineze ka një metodë të posaçme mjekimi që quhet "sëmundja e dimrit mjekohet në verë". Sipas kësaj metode, "Nxehtësia e madhe" është faza stinore me temperaturën më të lartë dhe ndriçimin më të mjaftueshëm të diellit. Prandaj, sëmundjet kronike që acarohen në dimër, si bronkiti, emfizema, astma, diarreja etj., duhet të mjekohen me kujdes në këtë fazë. (Xu Guang)