"Nxehtësia e vogël", faza e 11-të stinore, bie zakonisht më 7 ose 8 korrik sipas kalendarit bujqësor kinez. Në vitin 2022 qëllon më 7 korrik. Sipas almanakut të lashtë kinez, temperatura rritet shkallë-shkallë nga “Nxehtësia e vogël” deri në “Nxehtësinë e madhe”. Ndër 24 fazat stinore, tre janë quajtur me fjalën "nxehtësi". Në fillim të korrikut, kur temperatura nuk arrin kulmin, është faza stinore e quajtur "Nxehtësia e vogël". Por në dhjetëditorin e 3-të të korrikut me kohën më të vapët, vjen faza tjetër, "Nxehtësia e madhe". Faza stinore "Përfundimi i nxehtësisë", që bie në dhjetëditëshin e tretë të gushtit, simbolizon që vera e vapët do të mbarojë. Gjatë fazës stinore "Nxehtësia e vogël", në shumicën e krahinave kineze kulmi i temperaturës ditore arrin mbi 30 gradë. Në disa vise jugore të Kinës, temperatura e ditës mund të arrijë në 40 gradë. Një proverb pasqyron ndikimet e fazës stinore "Nxehtësia e vogël" mbi njerëzit dhe bimët bujqësore: "Orizi rritet me gëzim në mjedis të nxehtë, njeriu mërzitet për temperaturën e lartë". Ky proverb na tregon se temperatura e lartë në verë favorizon rritjen e bimëve bujqësore, por sjell ndikime të dukshme negative në punët dhe jetën e njeriut.
[Foto: VCG]
Në popull janë të përhapura thëniet për periudhën e "Tre fu-ve", që simbolizon nxehtësinë e motit. Në gjuhën kineze, fu ka kuptimin e "fshehjes", duke treguar se njerëzit duhet të pakësojnë daljen, për të shmangur dëmtimet nga të nxehtit. Periudha e "Tre fu-ve" ndahet në tre pjesë: "fu-ja e parë", "fu-ja e dytë" dhe "fu-ja e tretë", dhe çdo fu zgjat zakonisht dhjetë ditë. Periudha e "fu-së së dytë", që është periudha më e nxehtë, bie në fund të "Nxehtësisë së vogël" dhe fillimin e "Nxehtësisë së madhe". Pas periudhës së "Tre fu-ve", dita nuk do të jetë më tepër e nxehtë.
[Foto: VCG]
Faza "Nxehtësia e vogël" është edhe periudha kur bimët bujqësore rriten më shpejt. Temperatura mbi 30 gradë dhe ndriçimi i diellit për një kohë të gjatë nxitin pjekjen e frutave, perimeve dhe drithërave. "Nxehtësia e vogël" përfaqëson jo vetëm kohën e vapët, por edhe periudhën me reshje të mëdha shiu në shumicën e krahinave kineze. Në disa rajone ndodhin fatkeqësi natyrore, si stuhi dhe breshër. Prandaj, parandalimi dhe kontrolli i përmbytjeve tërheqin vëmendjen e madhe të banorëve dhe të qeverisë.
[Foto: VCG]
Në krahinat juglindore të Kinës është i përhapur një zakon popullor i shijimit të orizit të ri pas fazës "Nxehtësia e vogël". Në fshat, të gjithë familjarët pinë raki prej orizit të ri. Fshatarët vendas besojnë se orizi i ri mund t'u sjellë fatbardhësi dhe lumturi.
Në vijim janë disa këshilla për të parandaluar sëmundjet në këtë fazë. Në stinën e verës nuk duhet të hamë shumë gjëra tepër të ftohta, si akullore, pije me akull etj., dhe nuk duhet të qëndrojmë në mjedis me ajër të kondicionuar për një kohë të gjatë. Në këtë stinë gjërat e ftohta dhe ajri i kondicionuar mund të shkaktojnë sëmundjet e gripit e të reumatizmit, diarre etj. (Shy Guan)