"Solstici i verës", që është e 10-ta prej 24 fazave stinore, nis më 21 ose 22 qershor sipas kalendarit ndërkombëtar. Në vitin 2022, ai bie më 21 qershor. Në këtë ditë dielli ndriçon pingul Tropikun e Veriut. Kjo është dita më e gjatë e vitit për gjysmërruzullin verior. Në rajonet më veriore dita zgjatet më shumë. Në Kinë, që është një vend me territor të gjerë, periudha e ditës ndryshon ndërmjet rajoneve jugore dhe rajoneve veriore. Në qytetin Haikou të Kinës Jugore dita zgjatet në afro 13 orë; në Pekin, që gjendet në pjesën veriore të vendit, dita arrin në afro 15 orë, ndërsa në Mohe, qyteza më veriore e Kinës, mbi 17 orë. Pas "Solsticit të verës", dielli, nga ndriçimi pingul, kthehet gradualisht drejt jugut dhe ditët në gjysmërruzullin verior shkurtohen pak nga pak.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

"Solstici i verës" është jo vetëm kufiri specifik i ndryshimit të gjatësisë së ditës dhe të natës, por edhe pika e fillimit të verës me vapë. Një shprehje kineze thotë: "Periudha më e nxehtë vjen pas 'Solsticit të verës'". "Solstici i verës" simbolizon ardhjen e vapës, por nuk është koha më e nxehtë. Pas "Solsticit të verës" temperatura vazhdon të rritet dhe arrin kulmin pas 20 ditëve. Në disa rajone të Kinës temperatura maksimale shkon në afro 40 gradë.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Gjatë fazës së "Solsticit të verës", në shumicën e krahinave kineze dielli ndriçon shumë fort, prandaj bimët bujqësore rriten shpejt dhe kërkojnë më shumë ujë. Sasia e reshjeve në këtë kohë ka rëndësi të madhe për prodhimtarinë bujqësore, ashtu siç thotë edhe një fjalë e urtë: "Shiu në fazën e 'Solsticit të verës' është i shtrenjtë si ari". Për fazën e "Ujit të shiut" ka një proverb të ngjashëm: "Shiu i pranverës është i shtrenjtë si vaji". Në këtë periudhë rriten shumë shpejt jo vetëm bimët bujqësore, por edhe barërat e këqija, të cilat rrëmbejnë ujin, plehun dhe dritën në konkurrencë me bimët bujqësore. Një proverb kinez thotë: "T'i lësh barërat e këqija pa hequr në fazën e 'Solsticit të verës', është sikur të mbash një gjarpër helmues." Lidhur me ruajtjen e shëndetit, mjekësia kineze thekson rëndësinë e rregullimit të gjendjes shpirtërore dhe të ushqimit sipas klimës në të katër stinët. Në librat e lashtë mjekësorë kinezë thuhet se njerëzit duhet të mbajnë qëndrim optimist dhe të jenë zemërgjerë. Në këtë stinë rrezet e diellit u sjellin qenieve në Tokë gjallëri dhe energji. Njerëzit duhet të interesohen për gjërat jashtë, se kjo gjë favorizon shkrifërimin e shpirtit. Në të kundërt, mërzitja dhe zemërimi për çdo gjë pengojnë metabolizmin, gjë që i sjell dëm shëndetit.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Në stinën e verës djersitja e tepërt mund të shkaktojë humbjen e një sasie të madhe kripe. Prandaj duhet të hamë më shumë ushqime të tharta e të kripura.

Me zgjatjen e ditës dhe shkurtimin e natës duhet të rregullojmë kohën e gjumit, të flemë më vonë natën dhe të ngrihemi më herët në mëngjes.

Sporti është një fushë tjetër e rëndësishme për ruajtjen e shëndetit. Kalitja fizike në verë duhet të zhvillohet në mëngjes ose në buzëmbrëmje, kur ajri është më i freskët. Si terrene sportive mund të zgjedhim një fushë buzë lumit, një park etj., ku ka ajër më të pastër. Veprimtaritë më të përshtatshme sportive në verë janë shëtitja, vrapimi i ngadalshëm dhe gjimnastika. (Xu Guang)