"Kokrrat në kalli" është e 9-ta ndër 24 fazat stinore dhe zakonisht bie më 5, 6 ose 7 qershor sipas kalendarit ndërkombëtar. Në vitin 2022, ajo rastis më 6 qershor. "Kokrrat në kalli" do të thotë se kokrrat e të lashtave mbushen plotësisht, prandaj kjo është një periudhë e korrjes së të lashtave me “kokrra në kalli”. Përveç korrjes së të lashtave, gjatë kësaj faze mbillen edhe bimët vjeshtake. Kjo është edhe një fazë që pasqyron aktivitetet fenologjike bujqësore, ashtu si faza e 8-të, "Mbushja e vogël e drithërave".

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Për shumicën e krahinave kineze, veçanërisht për pjesën veriore të vendit, "Kokrrat në kalli" është faza më e ngarkuar e vitit për bujqit, sepse në këtë periudhë ata korrin të lashtat e pjekura, mbjellin bimët vjeshtake dhe u bëjnë shërbime agroteknike bimëve të mbjella në pranverë. Prandaj, fshatarët kinezë e quajnë këtë fazë stinore edhe si "puna intensive për mbjelljen". Dy proverba kineze - "Të korrësh grunjërat si të fikësh zjarrin" dhe "Rrëmbeje drithin nga goja e dragoit" - tregojnë në mënyrë të gjallë punën intensive të bujqve në këtë fazë. Pas korrjes së të lashtave, ata mbjellin sa më shpejt bimët vjeshtake, duke u siguruar kohën e mjaftueshme të rritjes. Sipas përvojës bujqësore dhe eksperimenteve shkencore, shtyrja e kohës së mbjelljes shkakton uljen e dukshme të rendimentit të bimëve që korren a vilen në vjeshtë, si soja, misri dhe patatja.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Në fazën "Kokrrat në kalli", shumica e luleve fillojnë të fishken. Gjatë këtyre ditëve, organizohet në popull ceremonia e përcjelljes së Hyjneshës së Luleve, duke e falënderuar atë. Tani ky zakon nuk ekziston më. Tek "Ëndrra në Vilën e Kuqe", romani më i njohur klasik kinez, thuhet se në ceremoninë e përcjelljes së Hyjneshës së Luleve, vajzat e bukura që jetonin në Vilën e Kuqe, përgatitnin shumë flamuj e ombrella të vogla shumëngjyrëshe dhe i varnin në pemët e kopshtit të Vilës së Kuqe, duke e zbukuruar shumë kopshtin.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Krahas parimit të rëndësishëm të mjekësisë kineze, që para shfaqjes së sëmundjes, duhet të bëjmë gjëra të ndryshme për ta parandaluar, ka edhe disa mënyra të përshtatshme të ruajtjes së shëndetit gjatë fazës stinore "Kokrrat në kalli". Në këtë fazë rritet temperatura dhe sasia e reshjeve. Me shtimin e lagështirës së ajrit, djersa e trupit nuk ikën lehtë, prandaj mjedisi i lagësht e i nxehtë shkakton pafuqishmërinë e trupit dhe gjendjen gjumëndjellëse të shpirtit. Mjekësia kineze na paralajmëron se duhet të ruhet një shpirt i thjeshtë dhe i gëzueshëm. Në stinën e verës dita zgjatet dhe nata shkurtohet. Pas drekës, mund të pushojmë pak ose të bëjmë një gjumë të shkurtër për të hequr lodhjen e paradites. Duhet t'i kushtohet vëmendje e madhe pirjes së ujit në kohë. Sa u përket ushqimeve, mjeku kinez i lashtësisë Sun Simiao propozonte që të mos hamë ushqime tepër të ëmbla ose tepër të kripura. Profesori i Akademisë së Shkencave të Mjekësisë Kineze, zoti Yang Li, sugjeron se fruta më e përshtatshme në këtë fazë është mani, që ndihmon për tretjen e ushqimeve. Por të sëmurët që vuajnë nga diabeti, nuk duhet të hanë shumë mana, për shkak të përqindjes së madhe të sheqerit në to. (Xu Guang)