"Shkëlqimi i pastër" është e 5-ta ndër 24 fazat stinore dhe bie zakonisht më 4, 5 ose 6 prill korrik sipas kalendarit ndërkombëtar. Në vitin 2022 "Shkëlqimi i pastër" është më 5 korrik.

Në librat e lashtë kinezë prejardhja e kësaj faze përshkruhet me këto fjalë: "Të gjitha qeniet rriten, koha është e pastër dhe e ndritshme. Prandaj kjo fazë emërtohet si 'Shkëlqimi i pastër'". Me ardhjen e kësaj faze rritet shumë sasia e reshjeve të shiut, kështu që kjo është një periudhë e çmuar për kultivimin dhe mbjelljet pranverore. Prandaj janë të përhapura proverbat kineze që thonë se "rreth fazës stinore të 'Shkëlqimit të pastër' duhet të mbjellim bostan dhe sojë", që "pyllëzimi nuk mund të bëhet pas fazës stinore të 'Shkëlqimit të pastër'" etj. Prandaj, kjo fazë lidhet ngushtë me punët bujqësore.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

"Shkëlqimi i pastër" është jo vetëm një fazë stinore, por edhe një festë shumë e rëndësishme për përkujtimin e paraardhësve të familjes, e quajtur "Qingming" në kinezishte dhe e cila është përfshirë në listën kombëtare të trashëgimive kulturore jomateriale të Kinës. Sipas të dhënave historike, Festa e Shkëlqimit të Pastër ka një histori mbi 2500-vjeçare. Ajo bie në ditën e parë të fazës stinore të "Shkëlqimit të pastër".

Pastrimi i varreve është aktiviteti më i rëndësishëm gjatë Festës së Shkëlqimit të Pastër. Në zonat fshatare ku bëhet varrimi nën tokë, njerëzit shkojnë te varret e paraardhësve dhe të të afërmve për t'i pastruar. Ata ndezin temjan dhe qirinj me erë të mirë, vënë ushqime blatimi para varreve e hedhin dhe mbi varre, pastaj përkulen me nderim të thellë dhe hedhin raki para varreve. Sipas të dhënave meteorologjike, në Festën e Shkëlqimit të Pastër moti është i vrenjtur në shumë krahina dhe bie pak shi herë-herë, duke shtuar përkujtimin për të afërmit e vdekur. Në shekullin e 9-të, poeti i njohur Du Mu shkroi një poezi me titull "Shkëlqimi i pastër", e cila e përshkruan kështu këtë atmosferë: "Shiu bie gjatë Festës së Shkëlqimit të Pastër, kalimtarët në rrugë i përkujtojnë më shumë të vdekurit."

Kinezët e vazhdojnë edhe sot zakonin e përkujtimit të paraardhësve dhe të të afërmve në Festën e Shkëlqimit të Pastër. Meqenëse në qytete kryhen në përgjithësi varrime të hirit të trupave të të ndjerëve, njerëzit shkojnë në varreza për t'u vënë një tufë lulesh.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Por faza stinore e "Shkëlqimit të pastër" përfaqëson jo vetëm përkujtimin pikëllues. Për shkak të ngrohjes së motit në këtë fazë, pyjet dhe bari gjelbërojnë, prandaj kinezët e quajnë Festën e Shkëlqimit të Pastër edhe si "festa e ekskursionit", sepse është një kohë shumë e përshtatshme për shëtitje pranverore. Sipas të dhënave historike, kinezët e lashtë bënin shumë aktivitete fizike interesante në këtë festë. Përveç ekskursioneve në periferi, ishin të përhapura edhe disa lloj aktivitetesh fizike, si cuju, lëshimi i balonave etj. Tani do t'ju shpjegojmë cuju-në. Në gjuhën kineze, "ju" do të thotë një lloj topi lëkure, me lesh kafshësh të ngjeshur brenda. "Cuju" ka kuptimin "goditje e topit me këmbë". Kjo lojë ishte e popullarizuar para mbi 2200 vjetësh në disa krahina kineze. Në vitin 2004, cuju u përcaktua nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) si aktiviteti më i hershëm i futbollit, i dëshmuar nga të dhënat historike.

Në kohët e tanishme kinezët i kanë ruajtur zakonet e ekskursionit në periferi, të lëshimit të balonave etj. gjatë Festës së Shkëlqimit të Pastër. Por me daljen e mjeteve moderne të transportit, janë shtuar aktivitete të tjera, si udhëtimi me makinë, turizmi me anije etj.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

"Shkëlqimi i pastër" është jo vetëm një fazë stinore, por edhe një festë tradicionale me përmbajtje të pasur. Në këtë festë përfshihen jo vetëm përkujtimi nëpërmjet pastrimit të varreve, por edhe gëzimi i ekskursioneve në periferi. Prandaj kjo është një fazë e veçantë stinore.