"Sanatadita e pranverës" (që njihet ndryshe edhe si ekuinoksi i pranverës) është e 4-ta ndër 24 fazat stinore sipas kalendarit hënor kinez, që quhet edhe "kalendari bujqësor". "Sanatadita e pranverës" bie më 19, 20, 21 ose 22 mars. Në vitin 2022 është më 20 mars. Në këtë ditë dielli e ndriçon pingul ekuatorin dhe dita është e barabartë me natën. Pas kësaj dite, drita e diellit në Tokë lëviz dalëngadalë drejt veriut dhe dita zgjatet gradualisht.
Në gjuhën kineze, fjala që shënon "sanataditën e pranverës" ka kuptimin që kjo ditë e ndan pranverën në dy pjesë të barabarta.
[Foto: VCG]
Në fazën stinore "Sanatadita e pranverës", temperatura mesatare në shumicën e krahinave të Kinës është mbi 0 gradë. Pas dimrit, temperatura ngrihet më shpejt dhe në krahinat e rrjedhës së lumit të Verdhë dhe të lumit Jance temperatura mesatare arrin mbi 10 gradë celsius. Bimët e mbjella para dimrit fillojnë të rriten shpejt dhe kërkojnë më shumë shërbime agroteknike. Në jug të Kinës, shkurret e çajit të pranverës nxjerrin sytha dhe duan plehra me efektivitet të mirë dhe shërbim për mbrojtjen nga sëmundjet e kadrrat e dëmshme, që të sigurohet vjelja e çajit me cilësi të lartë.
[Foto: VCG]
"Sanatadita e pranverës" është edhe një periudhë e përshtatshme për pyllëzimin. Populli thotë se "në fazën stinore të 'Sanataditës së pranverës' pas 'Zgjimit të insekteve', duhet të bëjmë pyllëzimin, plehërimin dhe lërimin e thellë".
Në "Sanataditën e pranverës" dhjetëra milionë njerëz në botë bëjnë lojën e "vendosjes së vezës pingul". Tani është e vështirë të vërtetohet se kur ka filluar kjo lojë në botë, që quhet edhe si "Loja e zakoneve kineze". Por kjo lojë është e thjeshtë dhe shumë interesante. Zgjedhim një vezë të freskët 4- a 5-ditëshe, pastaj e vëmë me kujdes pingul në tryezë. Shumë njerëz dështojnë në këtë lojë, por lojtarët e suksesshëm nuk janë të paktë. "Sanatadita e pranverës" është periudha më e mirë për këtë lojë.
Por pse veza vendoset më lehtë pingul në këtë ditë? Kjo dukuri përmban në vetvete disa parime shkencore. "Sanatadita e pranverës" ndodhet në mes të pranverës dhe temperatura është shumë e përshtatshme. Njerëzit e kanë zemrën të qetë, e kanë mendjen të kthjellët dhe dorën të shkathët, prandaj e vendosin vezën pingul më lehtë.
Kalitja për forcimin e shëndetit në ditën e "Sanataditës së pranverës" është një nga aktivitetet e rëndësishme. Tani do t'ju tregojmë tre fushat e rëndësishme të forcimit të shëndetit: fusha shpirtërore, fusha e jetës së përditshme dhe fusha ushqimore.
Në fushën e rregullimit shpirtëror, duhet të ruhet një gjendje shpirtërore e shtruar dhe optimiste; të mos jemi herë të gëzuar dhe herë të pikëlluar, sepse moti në këtë fazë është i butë , as shumë i ftohtë dhe as i nxehtë. Kjo është edhe një kohë e mirë për ekskursion në periferi të qyteteve.
[Foto: VCG]
Në fushën e jetës së përditshme, duhet të kemi kujdes ndryshimin e temperaturës midis ditës dhe natës. Prandaj, duhet të vishemi më shumë nga këmbët dhe më pak në pjesën e sipërme të trupit. Ngrohtësia e këmbëve ka shumë rëndësi. Mund të ngrohemi më shumë në diell për të larguar ftohtësinë.
Në fushën e ushqimeve, duhet të hamë më shumë qepë, hudhra, patate, mish pule, peshk etj.