"Zgjimi i insekteve" është faza e 3-të stinore pas "Ujit të shiut". Dita e parë e kësaj faze stinore bie më 5, 6, ose 7 mars sipas kalendarit ndërkombëtar. Në vitin 2022, ajo është më 5 mars. Sipas shpjegimit popullor, pas "Zgjimit të insekteve", temperatura vazhdon të rritet dhe bubullimat e pranverës zgjojnë kafshët e ndryshme nga gjumi dimëror, që dalin nga dheu për të gjetur ushqim. Vezët e insekteve që kalojnë dimrin nën tokë, fillojnë të çelin. Prandaj, "Zgjimi i insekteve" është një fazë stinore që pasqyron ciklin natyror të qenieve të gjalla. Sigurisht, kafshët që flenë gjumin dimëror nuk zgjohen nga bubullimat e pranverës. Ato dalin nga dheu për shkak të rritjes së temperaturës.
Qysh nga kohët e lashta, kinezët i kanë kushtuar vëmendje të madhe kësaj faze stinore, duke i konsideruar si ditët e fillimit të punëve bujqësore pranverore. Një proverb kinez thotë se "pas fazës stinore të 'Zgjimit të insekteve', nuk mund të ndalohet puna bujqësore në stinën e pranverës", sepse "kur dëgjohen bubullimat e pranverës, të gjitha bimët fillojnë të rriten". Në këtë periudhë, me ngritjen e temperaturës dhe rritjen e sasisë së shiut, bimët bujqësore kërkojnë më shumë punë. Në fund të shekullit të 4-t të erës sonë, për këtë fazë stinore poeti kinez Tao Yuanming shkroi në poezinë e tij se, kur gjëmojnë bubullimat e pranverës nga lindja, kafshët zgjohen nga letargjia dhe fillojnë aktivitetet në vende të ndryshme. Gjethet dhe lulet çelin për të mirëpritur ardhjen e pranverës.
Në gjirin e popullit ka disa thënie mbi lidhjen ndërmjet bubullimave dhe të korrave. Nëse bien pandërprerë bubullimat e pranverës para fazës stinore të "Zgjimit të insekteve", do të bien reshje të pasura gjatë atij viti. Nëse bubullima e parë e pranverës bie pikërisht në ditët e fazës stinore "Zgjimi i insekteve", bujqit me siguri do të marrin të korra të mbara në atë vit. Por nëse nuk dëgjohet asnjë bubullimë deri në ditët pas fazës stinore "Zgjimi i insekteve", kjo është shenja më e keqe natyrore që simbolizon mungesën e reshjeve gjatë atij viti dhe tregon të korra të këqija. Por në fakt, meqë Kina është një vend me territor të gjerë, në krahinat e ndryshme të saj bubullima e parë e pranverës bie në ditë të ndryshme. Në ditët rreth fazës stinore "Zgjimi i insekteve" mund të dëgjohen bubullimat e pranverës në krahinat jugore rreth lumit Jance. Por në viset veriore, si në Pekin, bubullimat e pranverës vijnë në dhjetëditëshin e dytë të prillit.
Në rajonet jugore të Kinës, si provinca Guangdong, janë të përhapura disa rite popullore, si "Ceremonia e flijimit për tigrin e bardhë". "Tigri i bardhë" është një lloj shpirti i keq dhe mund të hajë njerëz në këtë fazë stinore. Në shoqërinë e lashtë bujqësore, tigrat gjithmonë u shkaktonin dëme bujqësisë dhe jetës së njerëzve. "Ceremonia e flijimit për tigrin e bardhë" synon të kërkojë fatmirësinë dhe sigurinë e jetës. (Shy Guan)