"Uji i shiut" është faza e dytë stinore pas "Fillimit të pranverës". Kjo fazë stinore, dita e parë e së cilës bie më 18, 19 ose 20 shkurt sipas kalendarit ndërkombëtar, pasqyron fillimin e rënies së shiut. Dita e parë e "Ujit të shiut" në vitin 2022 bie më 19 shkurt.
[Foto:VCG]
Në librin e vjetër të kalendarit bujqësor, kjo fazë stinore përshkruhet me këto fjalë: "Fillon të fryjë era e lindjes, shkrin akulli e dëbora dhe nisin reshjet e shiut." Në krahinat përgjatë rrjedhës së Lumit të Verdhë, ku u krijua koncepti mbi 24 fazat stinore, kjo fazë lajmëron shtimin e lagështirës së ajrit, rritjen e sasisë së shiut dhe ngritjen e temperaturës në krahinat veriore të Kinës. Ardhja e kësaj faze simbolizon largimin e dimrit të ftohtë me dëborë dhe afrimin e ditëve me ajër të lagët, me rreze të ngrohta dielli e me shi të imët.
[Foto:ICphoto]
Një proverb kinez thotë se "Shiu i pranverës është i çmuar si vaji". Për bujqit e krahinave veriore të Kinës, shiu që bie në pranverën e hershme është me të vërtetë shumë i çmuar. Sipas të dhënave meteorologjike historike, në ditën e parë të fazës stinore të "Ujit të shiut" bie shi në pjesën më të madhe të krahinave të Kinës. Shumë fjalë të urta pasqyrojnë dashurinë e bujqve për këtë fazë. Për shembull, një prej tyre thotë që, po të bjerë shi në ditën e "Ujit të shiut", bimët bujqësore rriten më mirë dhe bujqit sigurojnë korrje të bollshme. Pas fazës së "Fillimit të pranverës", temperatura fillon të ngrihet pak nga pak, kurse me ardhjen e fazës së "Ujit të shiut", bujqit janë të zënë me plehërimin e tokës. Faza stinore e "Ujit të shiut" është një periudhë kyçe e shërbimeve bujqësore. Në këtë periudhë, bimët bujqësore, që kanë kaluar dimrin e ftohtë dhe të thatë, duan më shumë ujë. Populli kinez është i mendimit se, nëse bie shi në këtë ditë, sasia e reshjeve në tërë vitin do të jetë relativisht e ekuilibruar.
[Yunnan/ VCG]
Meqenëse Kina ka territor të gjerë, ekzistojnë ndryshime të mëdha të kushteve klimatike ndërmjet krahinave veriore dhe jugore. Në krahinat jugore as në dimër nuk bën shumë ftohtë dhe shpesh bie shi. Por në krahinat veriore, edhe pas fazës së "Ujit të shiut", bie dëborë shpeshherë. Në përgjithësi, kur fillon faza stinore e "Ujit të shiut", temperatura në të gjitha krahinat e Kinës fillon të ngrihet dhe sasia e reshjeve rritet dalëngadalë. (Xu Guang)