Sipas kalendarit bujqësor kinez, një vit ka 24 faza stinore dhe çdo fazë ka të ashtuquajturin "term" të saj të fiksuar. Këto faza stinore simbolizojnë ndryshimin e klimës, sasinë e reshjeve, kohën e brymës dhe dukuri të tjera natyrore. Një vit ndahet në periudha kohore me dukuri klimatike relativisht të qëndrueshme. Termi i secilës fazë stinore është dita e parë e kësaj periudhë kohore. Krijimi i fazave stinore vjen nga vëzhgimet, eksplorimi dhe përfundimet e popullit të lashtë kinez rreth astronomisë dhe meteorologjisë. Këto faza stinore ushtrojnë ndikime shumë të rëndësishme në punët bujqësore. Sipas të dhënave statistikore, në vitin 104 para erës sonë, kinezët hartuan këtë sistem kalendarik me faza stinore. Për t'i mbajtur mend më mirë, kinezët e lashtë kanë krijuar këngë e poezi mbi 24 fazat stinore.
"Fillimi i pranverës" është faza e parë stinore sipas kalendarit bujqësor kinez, e cila simbolizon nisjen e pranverës. "Fillimi i pranverës" ndryshon nga festa e rëndësishme tradicionale kineze, Festa e Pranverës. Dita e "Fillimit të pranverës" nuk bie pikërisht në ditën e Festës së Pranverës, që është Viti i Ri Kinez. Për shkak të ndryshimit ndërmjet kalendarit bujqësor kinez dhe kalendarit ndërkombëtar, dita e "Fillimit të pranverës" ndryshon çdo vit në kalendarin ndërkombëtar. Për shembull, në vitin 2022, dita e "Fillimit të pranverës" bie më 4 shkurt. Faza stinore "Fillimi i pranverës" është më e pëlqyeshmja nga bujqit, meqenëse në natyrë, pranvera është stina kur bimët lëshojnë sytha dhe kafshët rigjallërohen. Dita e "Fillimit të pranverës" është pika e kthesës e klimës vjetore. Pas kësaj dite, temperatura ngrihet dhe shtohet koha e ndriçimit diellor, si dhe sasia e reshjeve. Për rritjen sa më të shpejtë të kulturave bujqësore, duhet bërë ujitja dhe plehërimi në kohë, për të nxitur rritjen e bimëve. Meqenëse Kina ka qenë një vend bujqësor, bujqit kinezë i kushtojnë vëmendje të madhe periudhës stinore "Fillimi i pranverës".
[Chongqing/ VCG]
Në Kinën e lashtë organizoheshin një sërë veprimtarish festive për të kremtuar ardhjen e "Fillimit të pranverës". Ndër to, "Pritja e pranverës" ishte aktiviteti më i rëndësishëm, i cili zhvillohej një ditë para "Fillimit të pranverës". Në ceremoninë e pritjes së pranverës, kinezët e lashtë përgatisnin qirinj aromatikë dhe raki kineze për të pritur ardhjen e "stinës pranverore" dhe të Hyjnisë së Pranverës.
Në disa rajone të Kinës njerëzit hanin perime të freskëta në këtë ditë, ngaqë besonin se ato jo vetëm mund të parandalonin sëmundjet, por edhe të sillnin shijen e pranverës. Ngrënia e këtyre perimeve quhet edhe "ngrënia e pranverës".
Në Kinë ka një proverb të vjetër, që thotë: "Të gjitha punët e vitit varen nga një fillim i mbarë në pranverë". Ardhja e "Fillimit të pranverës" jo vetëm i lajmëron fshatarët për fillimin e stinës së ngarkuar me punë bujqësore, por edhe u tregon të gjithëve fillimin e një viti. Kinezët ua tregojnë këtë proverb fëmijëve të tyre qëkurse janë shumë të vegjël, duke i edukuar ata që të kenë një nisje të mirë në mësim dhe jetë gjatë vitit të ri. (Xu Guang)