Foto: VCG
Samiti dyditor Global i Gjenerimit të Energjisë së Turbinave me Gaz nisi punimet të martën, me pjesëmarrësit që u përqendruan te roli që teknologjia kineze luan në lëvizjen e Malajzisë drejt energjisë me karbon të ulët. Duke kombinuar teknologjinë e energjisë me teknologjinë e informacionit, Kina ka promovuar në mënyrë efektive zhvillimin e industrisë së energjisë së rinovueshme.
Teknologjia kineze në prodhimin e energjisë me turbina me gaz luan një rol kyç në lëvizjen e Malajzisë drejt energjisë me karbon të ulët. Ishte ky qëndrimi i folësve në Samitin Global të Gjenerimit të Energjisë së Turbinave me Gaz të martën.
Samiti mbledh së bashku përfaqësues nga Malajzia, Kina, Japonia, Singapori etj., për të diskutuar rëndësinë e prodhimit të energjisë me karbon të ulët, ndërkohë që ul konsumin e lëndëve djegëse fosile.
Ambasadori kinez në Malajzi, Ouyang Yujing, tha në fjalën e tij se ky samit ofron një platformë të mirë për të gjitha palët, për të thelluar bashkëpunimin në zinxhirë të ndryshëm industrialë dhe një mundësi e mirë për të kuptuar më tej konceptet e bashkëpunimit fitues nga të gjitha palët dhe zhvillimit të gjelbër të iniciativës “Një brez, një rrugë”.
"Duke kombinuar teknologjinë e energjisë me teknologjinë e informacionit, Kina ka promovuar në mënyrë efektive zhvillimin e industrisë së energjisë së rinovueshme",- tha ai.
"Shumë ndërmarrje kineze kanë dhënë kontributin e tyre unik në bashkëpunimin energjetik midis Kinës dhe Malajzisë, duke ndihmuar në mënyrë efektive në nxitjen e rritjes ekonomike lokale dhe duke sjellë përfitime për njerëzit vendas",- shtoi ai.
Ambasadori përmendi një shembull të historisë së suksesit të “Edra Power Holdings Sdn Bhd”, një degë e “China General Nuclear Power Group”, në funksionimin ndërkombëtar, menaxhimin e lokalizuar dhe promovimin e mirëqenies sociale në Malajzi gjatë pesë viteve të fundit, duke thënë se është një dëshmi e qartë e interpretimit dhe realizimit të ideve të bashkëpunimit zhvillimit të gjelbër.
Zëvendësministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore të Malajzisë, Ali Biju, tha se është jetike për sektorin e prodhimit të energjisë që të trajtojë ndikimin e aktivitetit të tij në ndryshimet klimatike përmes adaptimit të teknologjive të reja.
"Shumë vende kanë marrë tashmë angazhime për të transformuar sistemet e tyre energjetike, duke u mbështetur më pak në qymyrin dhe lëndët djegëse të tjera fosile dhe duke nxitur rritjen e burimeve të rinovueshme të energjisë. Dhe shumë po kërkojnë të kalojnë nga qymyri në burime më të pastra të energjisë",- tha ai.
"Sa i përket Malajzisë, qeveria ka premtuar se nuk do të ketë më termocentrale të reja me qymyr në sistem. Politika jonë e energjisë synon të sigurojë energji të qëndrueshme për mjedisin, një burim të besueshëm të energjisë elektrike me çmime të arsyeshme dhe të përballueshme për konsumatorët",- shtoi ai.
Ai gjithashtu vuri në dukje se Malajzia ka vendosur dy termocentrale me turbina me cikël të kombinuar (CCGT), përkatësisht termocentrali “Edra Melaka” (EMPP) dhe Stacioni i Energjisë Sultan Iskandar, duke theksuar se EMPP është termocentrali më i madh me turbina me cikël të kombinuar në Azinë Juglindore.
Nga ana e tij, kryetari i “Edra Power Holdings”, Dai Honggang, tha se kompania është prodhuesi i dytë më i madh i pavarur i energjisë në Malajzi dhe ka nëntë projekte të prodhimit të energjisë në vendet pjesëmarrëse të iniciativës së Brezit dhe Rrugës.
"Padyshim që Malajzia është shumë e rëndësishme për ne dhe është një nga vendet kyçe në BRI për shkak të mjedisit të saj të biznesit, nivelit arsimor dhe grupit të talenteve. Kështu që ne shpresojmë se mund të zhvillojmë më shumë projekte të gjenerimit të turbinave me gaz këtu",- tha ai.
Samiti dyditor mbahet bashkërisht në katër vende, përkatësisht Kuala Lumpur në Malajzi, Pekin dhe Shenzhen në Kinë dhe Paris në Francë.