Departamenti i dytë i sinologjisë në Universitetin e Banja Lukës në Bosnjë e Herzegovinë (BiH), i planifikuar të hapet në fillim të tetorit, do të krijojë një platformë të shkëlqyer për rritjen e mirëkuptimit dhe marrëdhënieve të të dy vendeve, deklaroi kreu i departamentit të ri Ljiljana Steviç.
Në një intervistë për “Xinhua”, Steviç, gjithashtu një pioniere në studimet kineze në vendin ballkanik, foli për rëndësinë e mësimit të kinezishtes si dhe për rritjen e shkëmbimeve kulturore dhe shkencore mes Bosnjë e Herzegovinës dhe Kinës.
“Kjo do të çojë në marrëdhënie të begata në të ardhmen dhe mirëkuptim më të mirë, si dhe në forcimin e partneritetit ndërkombëtar”, -tha Steviç, duke shtuar se ndërsa Kina po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në arenën ndërkombëtare, njohja e gjuhës dhe kulturës kineze do të thotë më shumë mundësi dhe është një nevojë reale për këdo që dëshiron të ecë me kohën.
Ideja e futjes së studimeve kineze në Universitetin e Banja Lukës lindi në fund të vitit 2019, kur rektori Radoslav Gajanin bëri një vizitë në Pekin, gjatë së cilës ai dhe zyrtarët kinezë diskutuan bashkëpunimin e suksesshëm të Institutit Konfuci të universitetit të krijuar në janar 2018.
Steviç ia atribuoi lindjen e departamentit të ri të sinologjisë ndihmës së dhënë nga Ambasada e Kinës në vend, si dhe vendosmërisë së prerë të rektorit, pavarësisht pandemisë Covid-19.
Duke kujtuar përvojën e saj në mësimin e gjuhës kineze, Steviç, e cila gjithashtu drejton Institutin Konfuci, i parë gjerësisht si një nga institutet më aktive në Evropë për promovimin e kulturës kineze, tha se departamenti i ri i sinologjisë në Fakultetin e Filologjisë është një tjetër hap dhe shtrirje e natyrshme për atë që ajo ka bërë për shumë vite.
Pas diplomimit në gjuhë dhe letërsi kineze në Fakultetin Filologjik, në Universitetin e Beogradit në Serbi, në vitin 1999, Steviç fitoi një bursë nga Ministria kineze e Arsimit dhe shkoi në Universitetin e Gjuhës dhe Kulturës së Pekinit.
“Isha shumë mirënjohëse ndaj qeverisë kineze për mundësinë dhe shpresoja një ditë që të jepja maksimumin për ta rikthyer këtë vlerësim dhe për t'u mundësuar të rinjve të studiojnë kinezisht dhe të shohin Kinën”, -tha ajo, duke shprehur besimin se të dy vendet do të përfitojnë nga numri në rritje i nxënësve që mësojnë kinezisht.
Sipas saj, përveç kurseve të gjuhës kineze bashkëkohore dhe klasike, departamenti i sinologjisë ofron edhe kurse që mbulojnë kulturën, filozofinë, historinë, gjeografinë, diplomacinë dhe ekonominë kineze.
Duke pasur parasysh rritjen e kërkesës për përkthyes, ekspertë dhe konsulentë kinezë si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, ka një perspektivë premtuese për të diplomuarit, tha ajo, duke shtuar se departamenti planifikon të ndërtojë marrëdhënie më të ngushta me më shumë universitete dhe kompani në Kinë.
Departamenti i parë i sinologjisë në Bosnjë e Herzegovinë u hap në 2011 nga Universiteti i Sarajevës Lindore. Mesatarisht, rreth 30 studentë në vit përfundojnë studimet e tyre katërvjeçare.