Kohët e fundit të gjitha pajisjet që u eksportuan nga Kina drejt një fabrike vaksinash në Afrikë mbërritën në destinacion. Ato u transportuan me anijen "Pilecki" të kompanisë që operon në linjën Kinë-Poloni.
Anija "Pilecki" ka shpërndarësin e saj, i cili ka kërkesa relativisht të ulëta në skelë dhe mund të ngarkojë jo vetëm mallra me shumicë dhe pjesë të ndryshme, por edhe kontejnerë. Aktualisht, tregu i transportit të anijeve me kontejnerë dhe zinxhiri global i furnizimit janë plot me pasiguri, por anijet me shumë përdorime kanë avantazhe të dukshme.
Nga 6 dhjetori i vitit të kaluar deri më 15 qershor të këtij viti kompania e linjës Kinë-Poloni ka marrë 4 anije të reja si “Pilecki”. Me ndihmën e tyre ajo ka zgjeruar dhe përmirësuar më tej kapacitetin e transportit, duke hapur një numër rrugësh detare nga Shangai dhe delta e lumit Jangce, deri në Evropë dhe Afrikë. Kjo flotë ofron më shumë garanci për bashkëpunim ndërkufitar në rrjedhën e sipërme dhe të poshtme të zinxhirit industrial.
"Këto anije të reja janë të favorshme si për kompaninë ashtu edhe për klientët, duke ndihmuar më shumë që prodhimet kineze të shkojnë nëpër botë. Përmes tyre zgjerohet jo vetëm zinxhiri i furnizimit të logjistikës, por Shangait i sigurohet një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në hapjen ndaj botës.” - shpjegojnë nga kompania.
Kompania e linjës Kinë-Poloni u krijua si një sipërmarrje e përbashkët midis qeverisë kineze dhe asaj polake më 15 qershor 1951. Kjo ishte sipërmarrja e parë e përbashkët më një subjekt të huaj në Kinën e Re. Më 24 shkurt 1962, kjo kompani u zhvendos nga qyteti Tianjin në Shangai.
Për të ndihmuar ndërmarrjet vendase për të hapur zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit të logjistikës, në vitin 2021 kompania e linjës Kinë-Poloni nisi metodën "mbledhje-në-shpërndarje" si dhe shërbime specifike për kontejnerë. "Mbledhje-në-shpërndarje" u ofron klientëve mundësinë që me anije të vogla të transportojnë mallra me shumicë, ndërsa e dyta përdor anije me shumë qëllime për të transportuar kontejnerët e pronarëve të ngarkesave.
"Aktualisht rreth 30 për qind e mallrave tona transportohen nga kompania Kinë-Poloni përmes 'mbledhjes dhe shpërndarjes'." – thotë një transportues ndërkombëtar i mallrave në Shangai. Nën trysninë e epidemisë, është e rëndësishme të gjehen zgjidhje efikase për të ndihmuar logjistikën. Prandaj gjithnjë e më shumë transportues zgjedhin rrugën e "mbledhjes dhe shpërndarjes ".
Të dhënat tregojnë se në vitin 2021 vëllimi i mallrave të kompanisë Kinë-Poloni u rrit 37.7 për qind në krahasim me një vit më parë. Përveç kësaj, që nga viti 2021 deri tani kompania ka nisur 56 udhëtime shërbimi specifike për kontejnerë, duke transportuar më shumë se 32,000 TEU (njësi matëse për kontejnerët).
"Vitet e fundit shfrytëzuam mundësitë e krijuara nga nisma "Një brez, një rrugë", strategjia e integrimit të deltës së lumit Jangce dhe përmirësimi i vazhdueshëm i kërkesave globale për mbrojtjen e mjedisit. Fokusi kryesor ka qenë zhvillimi i fushës së materialeve për mbrojtjen e mjedisit në deltën e lumit Yangtze, veçanërisht klientët në industrinë e prodhimit të pajisjeve të energjisë së erës. Kemi ndihmuar gjithashtu prodhimet e Kinës për të shkuar në vendet përgjatë nismës "Një brez, një rrugë", duke i dhënë shtysë shumë vendeve për të realizuar zhvillimin e gjelbër." - thotë Zhu Dezhang, menaxher i përgjithshëm i palës kineze në kompaninë e linjës Kinë - Poloni. Gjatë dy viteve të fundit, përveç vazhdimit të konsolidimit të avantazheve në fushën e transportit të pajisjeve për mbrojtjen e mjedisit, përmes “grumbullimit dhe shpërndarjes", kompania ka qenë e vlefshme edhe për ndërmarrjet e vogla e të mesme.
Por ndërsa gjithnjë e më shumë prodhimet e Kinës dërgohen jashtë vendit, kompanitë duhet të organizojnë të njëjtën sasi mallrash në kthim, në mënyrë që të ulin kostot e transportit dhe të shtojnë fitimet e tyre. Me inovacionin e sistemit dhe konceptit të menaxhimit, kompania Kinë-Poloni mund të organizojë të njëjtën sasi mallrash në kthim për çdo rrugë.
Kompania e linjës Kinë-Poloni u krijua mbi bazën e aksioneve të barabarta, secili me 50 për qind. Tashmë, pas 7 dekadash, të dyja palët bashkëpunojnë ende mirë dhe kompania zhvillohet në mënyrë të shëndetshme dhe të qëndrueshme. Ajo ka dhënë një kontribut të madh në bashkëpunimin ekonomiko-tregtar të të dy vendeve, duke qenë simbol i miqësisë mes Kinës dhe Polonisë.
Pikërisht për shkak të dakordësisë për të arritur një zhvillim cilësor përmes reformave dhe inovacionit, në vitin 2021 u publikua plani i parë i strategjisë së zhvillimit dypalësh. Në pesë vitet e ardhshme, kompania Kinë-Poloni do të krijojë modelin e "një trupi dhe dy krahëve”, domethënë transporti detar është trupi kryesor, ndërsa ndërtimi i dy platformave kryesore rajonale të logjistikës në deltën e lumit Yangtze dhe në Evropën Qendrore dhe Lindore, dy krahët. Në këtë mënyrë do të krijohet një ofrues profesional për shërbimet e logjistikës së transportit detar.
Mësohet se në vitin 2020, Kinë-Poloni ka bashkëpunuar edhe me një homologe tjetër, për të krijuar një kompani të re logjistike dhe ndërtuar së bashku një platformë gjithëpërfshirëse të shërbimit logjistik me gjithë zinxhirin e furnizimit në rajonin e Deltës së lumit Jangce. Ditët e fundit, qendra e magazinës së lumit Jangce e kompanisë u hap zyrtarisht. Nga ana evropiane, në vitin 2022, projekti i blerjes së kapitalit të kompanive logjistike në Poloni është gjithashtu në negociata dhe ndërtimi i platformës logjistike në Evropën Qendrore dhe Lindore po përparon në mënyrë të qëndrueshme.
“Në epokën e re ne jo vetëm do t’i kushtojmë vëmendje transportit detar, por gjithashtu do të zgjerojmë edhe hallkat e zinxhirit të furnizimit të logjistikës ndërkombëtare. Dëshirojmë që lidhjet ekonomike mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore, në rrugën përgjatë nismës “Një brez, një rrugë”, të jenë edhe më të ngushta. Kjo natyrisht do të ndihmojë edhe më shumë ndërmarrjet kineze dhe ato të huaja që të rrisin fitimet e përbashkëta.” – tregon një menaxher i kompanisë së linjës Kinë-Poloni.