Dastid Miluka. (Foto personale)
Piktori shqiptar Dastid Miluka, i cili jeton dhe punon prej vitit 2003 në Bruksel, të Belgjikës është pjesëmarrës në shumë aktivitete artistike personale dhe kolektive, të zhvilluara në Belgjikë, Francë, Hollandë, Gjermani, etj. Kompozimet e tij janë vlerësuar nga kritika dhe publiku, duke u vlerësuar me çmime të ndryshme. Ai është dashuruar që në moshë të vogël me pikturën. Një dashuri që do ta drejtonte drejt imazhit për të vendosur rrugën e të ardhmes së tij, duke shkëlqyer në kompeticionet artistike, jo vetëm në Shqipëri por dhe në botë.
Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), ai tregon për rrugëtimin e tij artistik si dhe ekspozitat e hapura në vende të ndryshme të botës.
Dastid Miluka (Foto personale)
CMG: Sa vite keni që jetoni në Beuksel dhe si ka qenë integrimi juaj në këtë vend?
Dastid Miluka: Unë jam larguar nga Shqipëria në vitin 2003 për të ardhur në Bruksel. Ditët e para dihet tani ashtu si të gjithë emigrantët e tjerë, kur vijnë në një vend tjetër absolutisht që pengesat dhe vështirësitë janë shumë të mëdha. Unë kur erdha në Bruksel nuk flisja as gjuhën franceze, komunikoja vetëm në anglisht, por sidoqoftë anglishtja të limiton për të komunikuar me vendasit, aq më tepër që Belgjika është një vend që përbëhet nga tre komunitete të ndryshme. Normalisht duhet të flasësh dy gjuhët, frëngjisht dhe holandisht, ndërkohë që unë nuk zotëroja asnjërën prej tyre, kështu që mu desh të filloja që nga mësimi i gjuhës.
Pastaj vështirësitë e tjera sigurisht që dihen, pra janë ato që kanë të bëjnë me integrimin, me njohjen e kulturës së vendit ku vjen, ku do jetosh dhe do fillosh një jetë të re. Sidoqoftë ne vijmë nga një lloj kulture e përcaktuar, por që duhet të fillosh dhe shohësh se si është kultura këtu. Unë mund të flas përsa i përket arteve vizuale apo pikturës, shprehisë së arteve figurative që unë këtu gjeta korifejtë e artit botëror që janë me origjinë belge dhe kanë punuar në Bruksel. Pra është shumë e vështirë ajo pjesa e fillimit, kur do të fillosh gjithçka nga zero dhe gradualisht fillon e mëson çdo gjë që ka lidhje me kulturën dhe mundohesh që të integrohesh me këtë pjesë, por sigurisht duke mbajtur gjithmonë pjesën tënde, pjesën në të cilën ti vjen në atë kulturën e re.
Dastid Miluka gjate nje ekspozite (Foto personale)
CMG: Si është për ju të bësh art në një vend të huaj?
Dastid Miluka: Unë vija me një bagazh sepse vij nga Akademia e Arteve ku kisha kryer studimet në Shqipëri, por kur vjen këtu duhet të fillosh dhe të zësh vendin tënd që nuk është dhe aq e lehtë. Këtu është një vend që ka goxha eksperiencë përsa i përket arteve të bukura figurative, dhe që të gjesh atë vendin tënd kërkon kohën e vet, do patjetër një punë shumë të madhe. Kur vjen tek piktura normalisht puna jonë është shumë intime dhe individuale, pra nuk është si artet e tjera, muzika që mund të luash në orkestër. Ne kemi një lloj hulumtimi individual, ku puna jonë konsiston më tepër tek puna në studio, atelie dhe kërkim gjatë gjithë kohës derisa vjen momenti që duhet të ballafaqohesh me publikun këtu. Kjo është një punë shumë konsistente dhe merr shumë kohë derisa arrihet aty.
Pikture nga Dastid Miluka (Foto personale)
CMG: Nga ju vjen frymëzimi gjatë kreativitetit tuaj?
Dastid Miluka: Unë mundohem që ta le veten gjithë kohës i lirë, pra të jem i ngacmuar qoftë nga muzika, letërsia apo edhe nga një shëtitje nëpër rrugët e qytetit si dhe kontakte me njerëz të ndryshëm. Gjithmonë mund të ketë një tingull, një notë apo një fjali, dhe nëse është diçka që të ngacmon nga ana artistike mundohem që t’i kthej në këtë artin figurativ që bëj. Kjo është shumë e gjerë dhe prandaj mundohem ta le veten të lirë që të jem i frymëzuar nga çdo gjë që mund të më krijoi një lloj ngacmimi artistik.
CMG: Cilat kanë qenë rrymat e pikturës qe ju keni provuar?
Dastid Miluka: Kur kam qenë në vitet e akademisë kam eksperimentuar goxha sepse ne vijmë nga një shkollë shumë figurative dhe kemi pas punuar me modele, pastaj vitet e fundit kam eksperiementuar me abstrakten që është një rrymë moderne arti e zhvilluar më së shumti në Amerikë në vitet 50-60 dhe më mbrapa. Këtë unë e shikoja si një pasuri përsa i përket teknikës së pikturës, dhe kjo ka qenë edhe një spunto tjetër që unë të shkoj tek ngjyrat e forta apo tek materia që mund të përdor në figurat e mia.
Me kalimin e kohës për të dalë në këtë stilin tim jam më tepër i përqëndruar tek figurativja, duke e ndërlidhur edhe me pjesën tjetër. Unë mendoj se e rëndësishme është koncepti apo ideja që mund të kesh në pikturë, dhe për mua çdo pikturë ka një ide të veçantë.
Pikture e piktorit Dastid Miluka (Foto personale)
CMG: Ç’raport ka krijimi juaj me Shqipërinë tani që nuk jeton më këtu?
Dastid Miluka: Unë e them gjithmonë që Shqipërinë e kam me vete. Normalisht kam atë Shqipërinë që kam pasur që kur kam ikur, por mundohem që ta mbaj zjarrin e ndezur sepse herë pas here vij në Shqipëri, qoftë për pushime apo për punë të tjera. Lidhjen që kam me Shqipërinë apo me Tiranën më tepër se është vendlindja ime, unë i kam shumë të forta dhe më duket sikur nuk i kam shkëputur kurrë.
CMG: Sa kohë e mendim duhet që të plotësohet një ekspozitë?
Dastid Miluka: Unë në fakt vij së fundi mbas dy ekspozitave të hapura këto dy muajt e fundit, e para ishte këtu në Bruksel dhe që vinte pas dy vjetësh mbyllje për shkak të pandemisë. Ishte diçka shumë pozitive sepse aty unë kisha bërë një seleksionim punimesh, pra pikturash, vizatimesh dhe instalacione të vogla të cilat një pjesë të mirë të tyre i kisha punuar gjatë këtij dyvjeçari të mbylljes nga pandemia. Në përgjithësi kjo ishte dhe një lloj retrospektive sepse integroheshin brenda dhe punimet që kisha bërë më përpara, por këto u ngritën të gjitha në një ekspozitë.
Dua të them që një ekspozitë mund të marri një kohë të caktuar, por në fund fare koha nuk ka shumë rëndësi. Ajo që ka rëndësi është gjithë koncepti i ekspozitës, që krijimet të krijojnë një fije lidhëse nga njëra te tjetra për të nxjerrë pastaj gjithë idenë apo pikturën e madhe siç themi ne, dhe të gjitha piktuarat krijojnë pjesët e vogla të ekspozitës.
Ekspozita e dytë ishte në Paris me disa punime që ishin më tepër në gjininë e akuarelit dhe vizatimit. Kjo ishte pak më e vogël dhe më intime si ekspozitë, por dhe aty paraqita punë që ishin një pjesë e mirë e tyre nga periudha e pandemisë. Ishin të dyja ekspozita shumë interesante, por në përgjithësi është ajo që thashë më përpara, që koha nuk ka rëndësi në krijimin e një ekspozite, përveç pjesës që mund të jemi të pozicionuar për të mbylluar disa punime në një kohë të caktuar. Unë mundohem që të krijoj punë gjatë gjithë kohës dhe t’i kem gjithmonë gati për t’i ekspozuar.
Pikture e piktorit Dastid Miluka. (Foto personale)
CMG: Si janë pritur këto ekspozita nga publiku dhe vleresimet që ju keni marrë nga kritikë të artit?
Dastid Miluka: Unë kam filluar të ekspozoj nga viti 2005, qëkur fillova të kem mundësinë dhe punimet e duhura për t’i ekspozuar dhe më tepër kanë qenë ekspozita fillimisht me artistë të tjerë, pastaj pjesëmarrje në shumë panaire të artit që organizohen në Bruksel. Gjithashtu kam ekspozuar në Gjermani, Francë dhe Holandë. Kanë qenë disa ekspozita në vende të ndryshme. Sigurisht që momenti kur përballesh me publikun, e ndjen që ka diçka në lidhje me punët, e ndjen dhe e shikon në interesin e spektatorëve ajo që puna ngjall, dhe kjo është shumë e rëndesishme pas momentit të krijimit në studion atelie apo pjesa e prezantimit të punimeve dhe kontakti me artdashësit është akoma një pjesë e rëndësishme sepse aty e ndjen se çfarë vlere mund të ketë puna.
Për mua fatmirësisht ky lloj kontakti ka qenë shumë i mirë, ekspozitat janë pritur gjithmonë me mbresa shumë të mira. Kjo për mua është shtytje shumë e madhe sepse më bën që vazhdoj dhe të krijoj.
Pikture, Dastid Miluka (Foto personale)
CMG: Keni në plan së afërmi për të hapur ndonjë ekspozitë tjetër?
Dastid Miluka: Patjetër, por që siç thashë më lart kemi dalë nga një periudhë pandemie, pra kanë qenë gati dy vite që nuk arrija të ekspozoja sepse gjithçka ka qenë e mbyllur. Më duket sikur kam nisur tani me këto dy ekspozitat e fundit dhe shpresoj që të ketë dhe të tjera, duke filluar nga muaji shtator edhe më tutje. Besoj se do vazhdoj të jem në disa vende të Europës, duke shpresuar që gjërat të shkojnë mirë dhe të vazhdohet të ketë organizime dhe bashkëpunime të mira edhe me organizma që janë shumë afër artit dhe që janë mbështetës të artit, në rastin tim të artit figurativ.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe ju uroj shëndet dhe suksese.
Dastid Miluka: Shumë faleminderit! Ju uroj punë të mbarë dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë ju uroj një ditë të mrekullueshme dhe sa më shumë dashuri për njëri- tjetrin.
Intervistoi: Gazmend Agaj