Foto: VCG
Kina është ekonomia më e madhe prodhuese në botë, vendi më i madh eksportues i mallrave dhe kombi më i madh tregtar në botë.
Prej vitesh prodhimtaria e madhe kineze zvogëlon kostot e produkteve. Çmimet e arsyeshme të prodhimeve kineze janë si pasojë e fuqisë punëtore më të lirë në dallim nga shtetet tjera. Sipas statistikave zyrtare të BE-së, vëllimi tregtar Kinë-BE në vitin 2021 është në vlerën 828.1 bilion dollarë, me një rritje nga viti në vit prej 27.5%. Gjermania 80 milardë euro bën import nga Kina, ndërsa SHBA-të mbi 420 milionë euro, duke u bërë partnerët më të fuqishëm tregtar të Kinës. Tregtia mes Kinës dhe BE-së shënon rreth 2 miliardë euro në ditë.
Sipas statistikave doganore të Kinës, tregtia totale dypalëshe midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në vitin 2021, ishte 863.06 miliardë juanë, duke u rritur me 23.3% në krahasim me vitin 2020; vëllimi total i importit ishte 220.92 miliardë juanë, 18.3% më shumë se në vitin 2020.
Pavarësisht vështirësive që krijoi prej më shumë se dy vjetësh situata pandemike shkëmbimet tregtare midis Kinës dhe Ballkanit Perëndimor kanë shënuar rritje.
Për Shqipërinë, Kina mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë. Sipas një studimi të fundit nga China-CEE Institute me seli në Hungari, tregtia dypalëshe midis Kinës dhe Shqipërisë, ka pësuar rritje të konsideruesheme në tremujorin e parë të vitit 2021. Të dhënat sipas tremujorit tregojnë se importet nga Kina në tremujorin e parë të vitit 2021 janë rritur me 32% dhe eksportet shqiptare në Kinë në tremujorin e parë të vitit 2021 u rritën me 84%.
Kina, si partner i Maqedonisë së Veriut nga vendi i shtatë kaloi në vendin e katërt tregojnë statistikat e Entit Shtetëror për Statistikë. 95 % e produkteve në tregun e Maqedonisë së Veriut janë nga Kina. Mbi 8 mijë artikuj elektronikë, pajisje elektro-shtëpiake, veshje etj të prodhuara në Kinë, i ofrohen tregut me shumicë në Maqedoninë e Veriut.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Malit të Zi, Kina ishte investitori më i madh në vend në vitin 2020, me 70 milionë euro investime të huaja direkte. Prania e saj është më e dukshme në autostradën Bar-Boljare, e cila përfaqëson segmentin malazez në një autostrade më të madhe që do të kalojë nga brigjet e saj në Adriatik deri në kryeqytetin serb, Beograd. China Road and Bridge Corporation, CRBC, po ndërton pjesën malazeze të autostradës dhe 85 për qind e kostos së seksionit të parë po mbulohet nga një hua prej 944 milionë dollarësh nga Exim Bank e Kinës. Kostoja totale e projektit është 1.3 miliardë euro.
Tregtia midis Serbisë dhe Kinës po forcohet çdo ditë e më shumë. Së fundmi është krijuar Dhoma e Kompanive Kineze në Serbi. Në vitin 2021 shkëmbimet tregtare dypalëshe kapnin vlerën 5.3 miliardë euro dhe në pesë vitet e fundit, vëllimi i eksporteve të Serbisë në Kinë, u rrit 15 herë. Kina ka shumë projekte investuese në Serbi në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe kapaciteteve prodhuese. Vëllimi i tregtisë dypalëshe u rrit me 52.5%nga viti 2020 deri në 2021, pavarësisht efekteve të pandemisë COVID-19.
Për këtë temë flet analisti Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë
CMG: Vitet e fundit vihet re një shtim sasior në kapacitete e shkëmbimit tregtar mes Kinës dhe rajonit të Ballkanit në përgjithësi dhe atë të Ballkanit Perëndimor veçanërisht. Si do ta komentoni këtë?
Aleksandër Çipa: Është e vërtetë që konteksti i sotëm global ka krijuar një mundësi të re të lëvizjes dhe të qarkullimit tregtar dhe ekonomik në rajone të ndryshme të botës, por kryesisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor kjo është edhe më evidente.
Konteksti i ndryshimit gjeopolitik dhe sidomos i krizës së Ukrainës ka bërë të munndur që qasjet e adresimeve në burimet e furnizimit dhe në mënyrë të veçantë të shkëmbimeve tregtare jo vetëm të jenë të ndryshuara, por të ofrojnë specifika të posaçme. Për Ballkanin kjo është më evidente. Në këtë rajon influenca e tregtisë kineze ka një histori të gjatë kohore, por në mënyrë të veçantë ka një histori të rritjes progresive. Ka një rritje jo vetëm të qendrave të furnizimit dhe të shtimit të tyre në vendet pritëse, por ka dhe një interesim në rritje të komunitetit të biznesit në këtë rajon dhe në mënyrë të veçantë dhe specifike të komuniteteve tregtare kombëtare të biznesit.
Treguesit, ashtu siç dhe ju e thatë, janë në rritje, të cilat në shumicën e periudhës së fundit kohore dhe kryesisht në 2-3 vitet e fundit jo vetëm që vijnë në rritje, por specifikisht u adresohen burimeve të industrisë dhe produkteve të saj, ashtu sikundër është dhe një aspekt tjetër që ne e konsiderojmë në mënyrë të veçantë një investim avanguardist të Kinës në fushën e teknologjisë.
Të gjitha këto padyshim që përkojnë dhe me nevojat specifike, me pragmatizmin e vendeve dhe popujve të ndryshëm dhe e kanë shumëfishuar ndikimin e tregtisë kineze dhe produkteve kineze në tregun e rajonit tonë.
Por nuk është vetëm kjo. Është dhe aspekti i investimeve strategjike dhe në mënyrë të veçantë të atyre që lidhen me infrastrukturën.
CMG: Nuk mund të shmangim pandeminë Covid 19 me një bllokim prej më shumë se dy vjetësh. Sa kanë ndikuar efektet pandemike dhe postpandemike në këtë rritje të shkëmbimeve tregtare?
Aleksandër Çipa: Përgjigja e prerë është shumë. Në një lloj pikpamje Kina ka sfiduar edhe ato dasi apo diferenca që për arsye gjeopolitike që janë bërë. Tregu kinez i vaksinimit ka qenë ndoshta ndër më determinantën në momentin e pikut të pandemisë Covid 19, ndërsa në planin tjetër mendoj që një nga avantazhet që edhe në këndvështrimin gjeopolitik po vlerësohet shumë, diplomacia ekonomike e Kinës është sfidante dhe ka krijuar një hartë të re të ndikimit dhe të shkëmbimeve tregtare.
Në këtë kuadër, në periudhën kur e gjithë bota pothuajse u traumatizua nga efekti i fuqishëm i bumerangut pandemik, operatorë të ndryshëm të mjekësisë globale iu adresuan Kinës për të marrë dhe për të përfituar nga i gjithë rrjeti i shpërndarjes së vaksinimit dhe kryesisht të kompanive që e prodhuan atë në Kinë.
Sot kemi një qasje tjetër edhe për mënyrën se si po shihet mundësia e epidemive të tjera, që lidhen kryesisht me sektorin e produkteve farmaceutike dhe të teknologjisë kineze në fushën e mjekësisë. Të gjitha këto janë në një rrafsh një mundësi e re ndërshkëmbimi dhe e interesit pragmatist të popujve, shteteve dhe në mënyrë specifike të rajonit tonë.
CMG: Me siguri kjo do të krijojë një terren dhe për të ardhmen e afërt, sepse ende nuk kemi shpëtuar nga termi “pandemi” dhe me sa duket ndodhemi tani në një periudhë që ashtu si Organizata Botërore e Shëndetësisë, por dhe autoritetet shqiptare në rastin konkret kanë njoftuar se mund të ketë një rikthim në vjeshtë të rasteve. Ndaj duhet parë ky ndërveprim midis vendeve, ndoshta dhe për shkëmbim të përvojave.
Aleksandër Çipa: Nëse nisemi nga disa deklarata dhe apelime të riciklueshme të organizmave ndërkombëtare të shëndetësisë publike, përfshirë dhe ato të shteteve të veçanta, ne shohim tashmë se syçeltësia globale për ndikimin e epidemive apo të mundësive të pandemive të tjera, të jetë shumë herë më e shpeshtë nga e shkuara e shoqërisë njerëzore. Në këtë këndvështrim mendoj që edhe Kombet e Bashkuara kanë të adresuar një pikpamje të re të kontributit që duhet të japin vendet me potenciale industriale sa i përket përballimit të cikleve të reja të vaksinimit të popullatave, por dhe të produkteve të medikamenteve të cilat mund të parandalojnë apo të kufizojnë përhapjen shqetësuese të këtyre epidemive.
Kina në këtë pikë ka një kulturë dhe përvojë në industrinë mjekësore.
CMG: Kina është tregu më i madh farmaceutik në botë.
Aleksandër Çipa: Veç kësaj po të shohim disa nga adresimet që pati në deklaratën përmbyllëse të BRICS-it, në një nga 4 pikat e saj, u vu re që përfshihej dhe përballimi i pandemive dhe efekteve të saj në të ardhmen në popullsitë dhe rajonet e ndryshme të botës.
CMG: Si do ta komentonit ju, politikën e hapjes ballkanike ndaj rrjetit të furnizimit global?
Aleksandër Çipa: Në kushtet kur efektet janë traumatike për shkak të krizës në Ukrainë dhe raporteve me Rusinë, ku një nga zërat më të fuqishëm të konsumit global siç janë drithrat po pësojnë një goditje të fuqishme, rajone të ndryshme por në mënyrë të veçantë rajoni ynë, e ka rikthyer vëmendjen ndaj tregut kinez dhe lehtësive që ofron ai mes mundësisë infrastrukturore të qarkullimit dhe të shpërndarjes.
Kjo besoj në periudhën e ardhme të gjashtëmujorit të dytë të 2022, por edhe më pas do të jetë besoj një mundësi e riparjes së strategjive të furnizimit, rrjeteve dhe trafikut furnizues dhe pse jo edhe të korpusit të shkëmbimeve tregtare që karakterizon deri tani rajonin tonë. Madje sipas disa dhomave të tregtisë, apo subjekteve të tjera, që merren me monitorimin dhe studimin e tregjeve, kjo është një gjë kaq evidente dhe është e përcaktuar si një mundësi e rritjes së dimensionit në pikpamjen shifrore, por dhe në aspektin e nivelit dhe të volumeve tregtare.
Në një këndvështrim tjetër, mendoj që Kina vazhdon të përjetojë lehtësira dhe kontribute në infrastrukturën e rajonit tonë. Ballkani Perëndimor ka ende problematika me infrastrukturën, ka mungesa të llojeve të qarkullimt dhe të shkëmbimit, siç është përshembull prej vitesh dhe dekadash infrasttura e hekurudhave dhe në stanjacion. Ka mungesa të zhvillimit të përshpejtuar kohor të infrastrukturës rrugore, por nga ana tjetër dhe kapacitetet e qarkullimit detar janë në nivele të ulta dhe jo atoqë do të dëshirohej dhe që ofron sfida e re e shembjes së rendit të sistemit të qarkullimit detar në arenën ndërkombëtare.
Në këtë kuadër unë parashoh se do të ketë një qasje tjetër nga investitorët kinezë,por dhe nga partnerët e ndryshëm strategjikë, qofshin ata kombëtare por dhe rajonalë në hapësirën e Ballkanit.
CMG: Le të shpresojmë që kjo të përkojë dhe me ambicjet e Shqipërisë në lidhje me infrastrukturën aeroportuale, sepse tashmë muajt e fundit këto janë shprehur nga qeveria shqiptare dhe kreu i saj Edi Rama, për shumëfishimin e aeroporteve dhe porteve në vend. Ju gjykoni se do të parashihet ndonjë bashkëpunim edhe me palën kineze?
Aleksandër Çipa: Unë mendoj që rritja e infrastrukturës aeroportuale në Shqipëri, në mënyrë të veçantë shtimi numerik i aeroporteve, nevoja për të patur një eficiencë dhe efektivitet financiar të përdorimit të tyre, thyerja e tabuve që lidhen me monopolet dhe në mënyrë të veçantë me ekskluzivitetet e administrimit, por dhe të linjave të ndryshme është e pashmangshme që mund të vendosë një kontakt me linjat ndërkombëtare, që Kina i ka të shumta.
Nga ana tjetër nuk e përjashtoj mundësinë që në një të ardhme të afërt të përfshihet në modulet e transportit të mallrave dhe ajo e rrugës ajrore.. Kjo besoj do të bënte të mundur që jo vetëm të rriste numerikisht dhe specifikisht shkëmbimet tregtare, por edhe leverdinë financiare për tregtarët lokalë në tregun kombëtar të Shqipërisë dhe të hapësirës shqiptare. Ndërsa në kuadër të rajonit të Ballkanit Perëndimor projekte të tilla ambicioze që kapin harkun kohor të dekadës siç janë në Mal të Zi, apo raportet kaq eksplicite për disa çeshtje të investimit infrastrukturor me Serbinë, apo me Hungarinë të mund të rrisin edhe influencën dhe të shtojnë qasjen e prezencës së investimeve kineze.
Në këndvështrimin tim mendoj që kjo do të bashkëshoqërohet edhe me disa strategji që kanë shtete të veçanta përsa i përket sferës së arsimit, shtimit numerik të korpuseve universitare dhe të shkëmbimeve jo vetëm në rrafshin kulturor, por në atë që konsiderohet korpusi kryesor i interesit kombëtar të biznesit, siç është turizmi. Në këtë pikë pothuajse të gjitha shtetet e rajonit parashikojnë guida të posaçme dhe mbartin projekte që lidhen me shkëmbimin dhe përfitimin numerik prej fluksit të turistëve nga Azia dhe në mënyrë specifike nga Kina.
CMG: Sa pritet të ndikojë kriza në Ukrainë në tregjet e drithërave dhe jo vetëm? Cilat janë politikat dhe tendencat për të ardhmen në këtë fushë?
Aleksandër Çipa: Pavarësisht nga dasitë e thella politike dhe gjeopolitike bota në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022 do të përballet me sfidat më të mëdha që lidhen me dy sektorë : me atë të produkteve të drithërave, që përgjithësisht hambarin kryesor e kanë në zonën midis Rusisë dhe Ukrainës, por konflikti i nisur aty dhe i zgjatur në kohë ka krijuar dilema të mëdha për bazën e furnizimit, për rrjetet e qarkullimit transportues të tyre, si dhe ka prishur interesat sipas qëndrimeve politike në raport me furnizimet, apo vendgrumbullimin e tyre.
Por kriza e dytë besoj për këtë shkak dhe prej këtij efekti vjen dhe në fushën energjetike. Ne shohim se pothuajse të gjitha institucionet ndërkombëtare, në mënyrë specifike OKB dhe nga ana tjetër Brukseli zyrtar për të gjithë kontinentin tonë kanë hedhur alarmin për prishjen e hartës tradicionale të furnizimit, të shkëmbimit, të ndërtimit të një sistemi tregtar dhe në mënyrë të veçantë për shembjen e disa prej sistemeve tradicionale të krijuara në fushën e ngrohjes prej gazit dhe hidrokarbureve. Kjo nuk bën gjë tjetër veçse ka krijuar premisa të padiskutueshme dhe në pikpamjen kohore është tashmë një çeshtje orësh për t’u zgjidhur me mënyrën e kërmimit të burimeve të tjera të furnizimit.
Për rrjedhojë kjo do të ndërtojë një hartë të re të tregjeve furnizuese dhe atyre pritëse ose porositëse dhe mendoj që raportet e Europës e në mënyrë të veçantë të rajonit tonë me Azinë për këto çeshtje dhe interesa, besoj se do të jenë edhe më të posaçme. Kjo do të thotë që rritja e fluksit, parashikimi i kontratave të reja dhe të një raporti ndërsjellës përsa i përket jo vetëm kontratave por dhe porosive që mund të jenë afatgjata. Këto janë raporte të pashmangshme për kontrata të cilat do të lidhen me sezonet e prodhimit vjetor dhe jo me sezonet e nevojës tregtare.
Intervistoi Eda Merepeza