Pesëdhjetë vjet më parë, kur Jocelyn Chey ishte mes një grupi australianësh që i dërguan qeverisë së tyre një telegram duke e uruar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kinën, jeta e saj ndryshoi.
Duke folur rrjedhshëm Mandarin, ajo më vonë u bë këshilltarja e parë kulturore në Ambasadën e Australisë në Kinë dhe punoi si diplomate e lartë në vend për tri mandate. Ajo kaloi gati 20 vjet si në Kinën kontinentale, po ashtu edhe në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong Kongut, periudhë në të cilën u takua dhe me bashkëshortin e saj kinezo-australian.
Nëse do të mund të udhëtonte pas në kohë për të takuar veten e saj më të re, thotë Chey, ajo do të përdorte si inkurajim një shprehje shumë australiane, “hang in there”.
“Kjo do të thotë që, edhe kur gjërat nuk shkojnë gjithmonë mirë, mos u dorëzo kurrë. Ka kaq shumë gjëra që nuk mund t'i parashikoni në jetë, por mos e humbni shpresën”, -deklaroi Chey.
Lidhja e saj me Kinën nisi pak a shumë rastësisht.
Universiteti i Sidnejit (Foto:VCG)
“Bashkë me shoqen time shikoja të gjitha kurset që mund të bëja në Universitetin e Sidnejit. Vumë re se ishte hera e parë që ofronin klasë për gjuhën kineze”, -kujton ajo e gëzuar.
Në atë kohë, ajo nuk dinte asgjë për Kinën, as për kulturën dhe historinë e saj, por mori vendimin e guximshëm, sepse gjithmonë mendonte se, krahasuar me mësimin e një gjuhe evropiane, ishte më e rëndësishme për Australinë të kuptonte Azinë.
Ajo dhe shoqja e saj u regjistruan të dyja në klasën e parë të gjuhës kineze që ofroi universiteti. Në fund të vitit, shoqja e saj hoqi dorë, duke thënë se gjuha ishte shumë e vështirë. Por për Chey, nëse diçka është e vështirë, ajo do të përpiqet më shumë.
Ajo ia doli aq mirë sa profesori i saj më vonë e inkurajoi të aplikonte për një bursë. Kështu, ajo shkoi në Universitetin e Hong Kongut. Pikërisht në këtë kohë ajo u takua dhe me burrin e saj.
Chey qëndroi në Hong Kong për gjashtë vjet, përpara se të kthehej për të punuar në Sidnej.
Në vitin 1972, u krijua një mundësi kur ajo ishte në turneun e saj të parë në Kinë. Ajo ishte pjesë e një delegacioni universitar për t’u njohur me arsimimin në Kinë, të cilët qëndruan për tri javë, midis nëntorit dhe dhjetorit.
Më pas ajo dëgjoi lajmin se ishte zgjedhur një qeveri laburiste. Disa ditë më vonë, asaj iu tha se Gough Whitlam, kryeministri i atëhershëm, kishte krijuar lidhje diplomatike me Kinën.
Chey e emocionuar, në atë kohë në Pekin, shkoi në Postë me miqtë e saj për t’i dërguar një telegram qeverisë së tyre. “Shkruam “Duam t'ju përgëzojmë” dhe e nënshkruam mesazhin si “australianët në Kinë””, -deklaroi Chey.
Ajo i kishte shkruar më parë Departamentit të Punëve të Jashtme dhe atij të Tregtisë me Jashtë, duke thënë: “Nëse e njihni Kinën, do të keni nevojë për më shumë njerëz që dinë diçka rreth saj, kështu që ndoshta do të dëshironit të më ofroni një punë”.
Ajo mori përgjigje nga të dy departamentet dhe kështu u transferua në Kanberra. Më pas ajo u bë personi përgjegjës për marrëdhëniet tregtare me Kinën, me detyrën e saj të parë që të negocionte një marrëveshje tregtare.
Chey shoqëroi ministrin e Tregtisë me Jashtë në atë kohë, Jim Cairns, në një vizitë në Kinë.
Në vitet në vijim, Chey u dërgua për të punuar si diplomate në Kinë tre herë: dy herë në Kinën kontinentale dhe një herë në Hong Kong. Ajo tha se i pëlqeu mandati i dytë në kontinent, në vitet 1980, më shumë se i pari.
Ishte pikërisht pas reformës dhe hapjes, kur Kina filloi të rritej me shpejtësi. U hoqën kufizimet që kishin dikur të huajt.
Ajo bëri shumë miq dhe udhëtoi në pjesë të ndryshme të vendit, nga Rajoni Autonom i Xinjiang Ujgur në veriperëndim në provincën Hainan në jug, në provincën Heilongjiang në verilindje.
Në fakt, krahasuar me të qenit diplomate, asaj i pëlqeu më shumë një punë që kishte në Sekretariatin Ndërkombëtar të Produkteve të Leshit, sepse përgjegjësia e saj në atë kohë ishte të punonte për një qëllim të përbashkët që ishte i mirë si për Australinë ashtu edhe për Kinën, më shumë kërkesë për leshin australian dhe më shumë kërkesa për produktet kineze të leshit.
“Të dyja vendet kishin të njëjtat projekte dhe qëllime. Më duhet të them se ishte koha që më pëlqeu më shumë sesa të punoja për qeverinë”, -deklaroi ajo.
Në lidhje me Kinën, Chey thotë se burri i saj ndikoi shumë tek ajo. Ai ishte një koleksionist, kështu që shtëpia e tyre ishte plot me artefakte kineze. Ai shkonte mirë me njerëz të ndryshëm, kështu që ajo kishte shumë miq kinezë, duke përfshirë artistin Huang Yongyu, vendlindja e të cilit, qyteza Fenghuang në provincën Hunan të Kinës Qendrore, i dha gruas australiane kujtimin më të mirë të udhëtimit.
Gjatë dekadave, ajo dëshmoi ndryshime drastike në Kinë. Asaj i duket si një vend ndryshe në krahasim me 50 vjet më parë.
Në vitin 2019, ajo shkoi në Pekin me djalin dhe nipin e saj. Nipi i saj nuk kishte qenë kurrë më parë në Kinë dhe djali i saj nuk kishte qenë atje për rreth 25 vjet. Ata jo vetëm u mrekulluan me ndryshimin fizik të qytetit, por ndjenë edhe ndryshime te njerëzit.
Lidhur me marrëdhëniet mes Australisë dhe Kinës, ish-diplomatja e lartë sugjeron se të dyja vendet mund të bashkëpunojnë më shumë.
“I kthehem asaj që thashë për kohën që më ka pëlqyer më shumë, që ishte puna me miqtë në Kinë, sidomos kur punon në të njëjtin projekt, si pjesë e një ekipi”, tha ajo.
Në retrospektivë, ajo vëren se përvoja e saj e kaluar hapi një dritare për të në një botë krejtësisht të re. “Të mësosh një gjuhë tjetër, të mësosh për një kulturë tjetër, të zgjeron mendjen dhe të lejon të kuptosh se bota është shumë më e madhe dhe shumë më e pasur”.
Ky vit shënon 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Australisë. Chey, e cila ishte dëshmitare e marrëdhënies që në fillim, beson se është një mundësi për të hedhur vështrimin pas dhe për të parë se sa larg është arritur.
Duke përdorur metaforën e ngjitjes në një mali, ajo thotë: “Është sikur ti kthehesh dhe shikon dhe thua: “Sa lart jam ngjitur”, por pastaj shikon para teje dhe mund të shohësh që nuk është maja e malit. Ke ende një rrugë të gjatë për të bërë. Le të pimë një filxhan çaj dhe të admirojmë pamjen, dhe kjo do të na japë më shumë forcë për të vazhduar ngjitjen”.