Foto: ChinaDaily
Parku inteligjent Kinë-Singapor u hap zyrtarisht të dielën në Guangzhou, provincën Guangdong të Kinës Jugore, një lëvizje e re midis dy vendeve për të promovuar bashkëpunimin inovativ.
Si një pjesë e rëndësishme e Qytetit të Dijes Guangzhou Kinë-Singapor, një projekt historik i qeverisë, parku do të fokusohet në fushat e ekonomisë digjitale, zhvillimit të gjelbër, biomjekësisë dhe ndërtimit të qytetit të zgjuar.
Me një investim prej më shumë se 1.4 miliardë juanësh (219.1 milionë dollarë), parku inteligjent ka 12 ndërtesa me funksione kryesore që paraqesin hapësira demonstrimi dhe shkëmbimi, dhoma inkubacioni dhe përshpejtimi industrial dhe ambiente banimi.
Instituti i Përbashkët Ndërkombëtar i Kërkimeve Kinë-Singapor ngriti selinë e tij në parkun inteligjent. Instituti, i sponsorizuar nga Universiteti i Teknologjisë i Kinës Jugore dhe Universiteti Teknologjik Nanyang i Singaporit, shërben si një qendër kyçe kërkimore dhe zhvillimi për qytetin e dijes dhe gjithashtu punon si një platformë bashkëpunimi inovative ndërkombëtare.
Parku ka prezantuar një grup të madh projektesh industrializimi deri tani. Ato përfshijnë “Lion TCR”, një kompani bioteknologjike në Singapor; NCS, një lider tregu në shërbimet e teknologjisë së informacionit në Singapor dhe Azinë Juglindore; “Concord Medical Sci-Tech Innovation Center”, një platformë kineze e udhëhequr nga akademikët e angazhuar në imunodiagnozën e tumorit; dhe “CSGKC International LaunchPad”, ku investitorët, startup-et, shkencëtarët dhe studiuesit, si dhe politikëbërësit mund të takohen dhe të marrin shërbime me një ndalesë.
"Ne kemi parë që teknologjia financiare është zhvilluar fuqishëm në Zonën e Gjirit të Madh Guangdong-Hong Kong-Makao",- tha Li Shan, president i “NCS China”. NCS, e cila u themelua në Singapor rreth 40 vjet më parë dhe hyri në tregun kinez më shumë se dy dekada më parë, ngriti një qendër shpërndarjeje për teknologjinë financiare në Parkun Inteligjent Kinë-Singapor.
"Shpresojmë që ekipi ynë profesional do të ketë 1000 teknikë të lartë të shërbimeve të informacionit dhe teknologjisë financiare në dy vjet, të cilët do t'u shërbejnë më mirë klientëve tanë financiarë në zonën e gjirit",- tha Li.
Përfaqësuesit e kompanisë thanë se mjedisi i Parkut Inteligjent Kinë-Singapor,i cili bazohej në përvojën e një parku industrial të Singaporit, është miqësor dhe i përshtatshëm.
Koncepti i eko-miqësisë është aplikuar në parkun inteligjent, i cili ka një sipërfaqe prej rreth 180,000 metrash katrorë. Në të janë ruajtur disa shpate natyrore, janë ndërtuar kopshte me çati dhe korridore për të lidhur ndërtesat.
Atraksion në rritje
Qyteti i Dijes Guangzhou Kinë-Singapor, ku ndodhet parku inteligjent, ka qenë në zhvillim që nga viti 2010. Qyteti u përmirësua në një projekt bashkëpunimi dypalësh të nivelit shtetëror në nëntor 2018.
Në vitin 2020, Këshilli i Shtetit miratoi planin afatgjatë të zhvillimit 2020-2035 për qytetin, që vendosi një synim për të qenë një qendër kombëtare njohurish me ndikim global dhe të bëhet një pikë e krijimit të njohurive, një hapësirë për talentet ndërkombëtare, një burim inovacioni në zonën e gjirit dhe një zonë e hapur bashkëpunimi.
Investimi i aseteve fikse të Qytetit të Dijes tejkaloi 81.3 miliardë juanë në 2021-shin, pavarësisht Covid 19, që përfaqëson një rritje nga viti në vit prej 37 për qind, sipas shifrave zyrtare. Investimi akumulues i aseteve fikse arriti në 301.6 miliardë juanë.
Një total prej 89 projektesh u përfunduan ose filluan të funksionojnë vitin e kaluar, të cilat gjeneruan një vlerë prodhimi industrial prej më shumë se 170 miliardë juanë, treguan shifrat.
24,000 njësi ekonomike janë regjistruar në qytet gjatë 12 viteve të fundit me kapital total regjistrimi prej afro 500 miliardë juanësh.
Duke u shndërruar nga një pjesë e tokës bujqësore në një zonë moderne urbane, qyteti ka bërë ndryshime të jashtëzakonshme dhe do të ketë zhvillim më të larmishëm në të ardhmen, u tha gazetarëve Xu Hui, zëvendësdrejtor i zyrës së çështjeve të bashkëpunimit të qytetit.
Aktualisht, Qyteti i Dijes ka tejkaluar shumë parqe të tjera industriale në sektorët e biomjekësisë, qarqeve të integruara dhe automjeteve me energji të reja.
Ai ka prezantuar më shumë se 40 projekte të biomjekësisë, si “BeiGene”, “InnoCare”, “Akeso” dhe “GE-Lonza”. Kur këto projekte të vihen në funksionim të plotë, ato do ta bëjnë qytetin bazën më të madhe të prodhimit të biomjekësisë në Azi, sipas njoftimit zyrtar.
Për sa i përket industrisë së qarkut të integruar, Qyteti i Dijes ka tërhequr më shumë se 80 kompani nga i gjithë zinxhiri industrial i zhvillimit dhe prodhimit të çipave gjysmëpërçues, me “Guangzhou CanSemi Technology” si një kompani lider. Kompani të tilla kanë bërë përparime në disa teknologji kyçe.
Në fushën e automjeteve me energji të re, platforma e shërbimit autonom të drejtimit të “Baidu Apollo” u vu për herë të parë në shërbim në Qytetin e Dijes. “Xiaopeng”, një markë kineze e makinave elektronike, ka ndërtuar një fabrikë të re prodhimi në qytet. U deshën vetëm nëntë muaj e gjysmë nga ceremonia e fillimit të fabrikës deri tek automjeti i parë që doli nga linja e saj e prodhimit.
Ndërkohë, Qyteti i Dijes po synon të jetë një nga vendet më të mira në Kinë për të realizuar menaxhimin e patentave, markave tregtare dhe të drejtave të autorit.
Gjithashtu, synimi është që të shndërrohet në një qendër industrializimi me kapacitet të fortë inovativ të nanoteknologjisë në Kinë.
“Pas më shumë se një dekade përpjekjesh, Qyteti i Dijes është bërë një lider në reformën dhe inovacionin e Guangzhou dhe një model për ndërtimin urban”, - tha Loh Tuck Keat, konsulli i përgjithshëm i Singaporit në Guangzhou, në një fjalim video të dielën.
Ai tha se qyteti ka perspektiva të mira dhe do të shërbejë si një shtysë për reformën dhe për inovacionin e njohurive në Guangzhou dhe madje edhe në provincë. Do të bëhet një model i bashkëpunimit Kinë-Singapori, shtoi ai.
"Ne do të thellojmë bashkëpunimin me palën e Singaporit në sektorët e ekonomisë digjitale, zhvillimin e gjelbër, ndërkombëtarizimin e renminbi-t në të ardhmen dhe do të rrisim nivelet e bashkëpunimit të gjithanshëm",- tha Zheng Yong, drejtor i zyrës së çështjeve të bashkëpunimit në Qytetin e Dijes.