Vilson Çekorja jeton dhe punon prej shumë vitesh në Itali bashkë me familjen e tij. Ai është larguar në një moshë të vogël nga Shqipëria, duke kryer dhe shkollimin e tij në shtetin fqinj. Deri në moshën 15 vjeçare pasioni i tij ka qenë sporti i xhudos, ku dhe ka fituar medalje. Më vonë Vilsoni nisi të ushtronte profesionin e kuzhinierit dhe fitoi eksperiencë të madhe në këtë fushë në restorantet më të mira të Italisë, ndaj sot është shef kuzhine në një nga restorantet e njohura në italiane. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për integrimin në Itali si dhe përvojën e punës si shef kuzhine në restorantet italiane.

Vilson Cekorja gjate punes ne kuzhine (Foto personale)

Vilson Cekorja gjate punes ne kuzhine (Foto personale)

CMG: Kur keni emigruar në Itali?

Vilson Çekorja: Në Itali kam emigruar bashkë me familjen në vitin 1997, kur isha fëmijë dhe u vendosëm në San Salvo të Italisë.

CMG: Sa vjeç keni qenë ju në atë periudhë?

Vilson Çekorja: Kam qenë 5 vjeç.

CMG: Ka qenë i vështirë integrimi i familjes suaj në Itali në ditët e para?

Vilson Çekoraj: Fillimet kanë qenë të vështira, por unë kam qenë i vogël dhe më është dukur si lojë, kështu që jam ambientuar shpejt. Vështirë ka qenë për prindërit sepse nuk dinin gjuhën, ambienti ishte i ri dhe ishin vetëm. Fillimisht ne jemi integruar shpejt sepse kemi shkuar direkt në shkollë bashkë me vëllain dhe motrën.

CMG: Për çfarë keni studiuar në Itali?

Vilson Çekorja: Unë kam kryer filloren dhe të mesmen për kuzhinier në Itali dhe jam diplomuar në shkollën Villa Santa Maria në profesionin e kuzhinierit.

CMG: Prej vitesh ushtroni profesionin e kuzhinierit në Itali, duke u bërë i suksesshëm në këtë fushë. Kur ka nisur pasioni për kuzhinën?

Vilson Çekorja: Pasioni për kuzhinën ka filluar kur vinim për pushime në Shqipëri, kur bashkoheshim të gjithë dhe përgatisnim pjata. Unë pasionin për kushinën e kam pasur gjithmonë dhe më ka pëlqyer sepse kemi ndenjur që në moshë të vogël në shtëpi. Kur prindërit ishin në punë unë gatuaja për vëllanë dhe motrën, pra që aty ka filluar pasioni për kuzhinën. Më vonë kam filluar të mendoj për profesionin e kuzhinës.

CMG: Cilat janë përparësitë dhe mangësitë e profesionit të kuzhinierit?

Vilson Çekorja: Mangësitë e këtij profesioni janë koha e lire, sepse nuk ke kurrë dedikim për gjërat dhe familjen, dhe je gjithmonë në punë. Ndërsa përparësitë janë sepse ke kënaqësi të madhe, sepse sot punoj si kuzhinier te restorantet më të mira në Itali dhe jam shumë i kënaqur.

CMG: A ja vlen të punosh kuzhinier në Itali?

Vilson Çekorja: Kuzhinier ja vlen të punosh sepse është kënaqësia qe merr në këtë profesion. Gjithashtu dhe paga është e kënaqshme, por ka dhe shumë avantazhe të tjera.

CMG: Cila do të ishte arsyeja për t’u larguar drejt një vendi ku kulinaria nuk njihet pothuajse aspak?

Vilson Çekorja: Sot për sot me të thënë të drejtën nuk kam interes të largohem nga Italia sepse për mua Italia është vendi i parë për kuzhinën në botë. Prandaj nuk mendoj se do të largohem nga Italia ndonjëherë. Këtu ndjehem shumë mirë dhe jam shumë i njohur në restorant sepse për mua është e rëndësishme që kur klienti të vijë në restorant më jep një kënaqësi të madhe.


Vilson Cekorja ne kuzhine duke gatuar (Foto personale)

Vilson Cekorja ne kuzhine duke gatuar (Foto personale)

CMG: A do të hiqje dorë nga kuzhina për të ushtruar një profesion tjetër në jetë?

Vilson Çekorja: Jetës nuk i dihet, por sot për sot jo, sepse profesioni im është shumë i kënaqshëm.

CMG: Flasim për ftesat që ju keni marrë nga televizione të ndryshme në Itali për të qenë i ftuar në programet e tyre.

Vilson Çekorja: Kam qenë disa herë i ftuar nëpër kanale televizive lokale ku bëjnë publicitete të mëdha nëpër zona të ndryshme dhe në qendër të Italisë. Me të thënë të drejtën kam kaluar mirë sepse ky është një zanat shumë i bukur dhe që kam një publicitet të madh këtu në Itali.

CMG: A e vizitoni shpesh Shqipërinë?

Vilson Çekorja: Në Shqipëri vitet e fundit vij më rrallë sepse në këtë profesion që kam nuk kam shumë kohë të lirë. Por pushimet e para që kam vij dhe i kaloj në Shqipëri se është vendlindja ime, është vendi që i takon zemrës gjithmonë.

CMG: Cila është pjata e preferuar për të pregatitur?

Vilson Çekorja: Te restoranti që unë punoj tani pjata më e famshme dhe që ne ju propozojmë klientëve është një pjatë ku ka pak specialitetin e makaronave dhe asti është lloji i peshkut që përgatisim. Kjo është pjata që sot më ka bërë mua të njohur në këtë zone dhe që e përgatis më me qejf.

CMG: Sa kohë i kushtoni profesionit tuaj në ditë?

Vilson Çekorja: Nuk është se kam shumë kohë të lirë, vetëm ditën e pushimit kur restoranti është mbyllur, por kaloj 12 - 13 orë në ditë në restorant.

CMG: Keni pasur momente të vështira të ushtrimit të këtij profesioni?

Vislon Çekorja: Në periudhën e COVID-19 ka qenë shumë e vështirë, sepse ka penalizuar shumë restorantet, duke mbetur për një kohë të gjatë të mbylluara. Pra koha e pandemisë ka qenë shumë e vështirë për restorantet ku dhe ne kemi qëndruar të mbyllur. Tani në sezon veror unë rri në një qytet bregdetar, që është nga zonat më të frekuentuara dhe më të njohura në Itali. Sot për sot jetojmë mirë dhe e kemi marrë veten nga periudha e vështirë që kaluam.

Vilson Cekorja ne restorant (Foto personale)

Vilson Cekorja ne restorant (Foto personale)

CMG: Aktualisht në cilin restorant punoni në Itali?

Vilson Çekorja: Unë sot punoj te “Recchi Fish Restorant”. Kam shtatë vjet që punoj si shef kuzhine në këtë restorant.

CMG: Si janë marrëdhëniet tuaja si shef kuzhine me stafin, që mund të kenë më pak eksperiencë se juve?

Vilson Çekorja: Në kuzhinë duhet mos të kesh shumë presion, por të jesh shumë i qetë. Ky është një profesion që nuk mbaron kurrë së mësuari.

CMG: Përveç kuzhinës që tashmë e keni profesion, keni ndonjë pasion tjetër në jetë?

Vilson Çekorja: Pasioni im përpara kuzhinës ka qenë xhudoja. Unë e kam praktikuar sportin e xhudos, por të dyja gjërat bashkë nuk bëhen dhe ka fituar kuzhina. Unë kam një kujtim të bukur të jetës që ka qenë sporti i xhudos.

CMG: E keni peng që jeni shkëputur fare nga sporti i xhudos?

Vilson Çekorja: Nuk më ka mbetur peng sepse e kam lënë herët si sport, që kur kam qenë 15 vjeç.

CMG: Cilat kanë qenë sukseset e arritura në xhudo në ato vite?

Vilson Çekorja: Kam korrur sukses sepse kam fituar shumë medalje, dhe kur kam qenë fëmijë kam qenë shumë i shkathët.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj?

Vilson Çekorja: Faleminderit dhe ju përqafoj të gjithëve sepse Shqipëria është në zemrën time.

Intervistoi: Gazmend Agaj