Një aspekt tepër i rëndësishëm në marrëdhëniet Kinë-SHBA është edhe ndërveprimi mes njerëzve, ka thënë një ekspert amerikan për Kinën, duke u bërë thirrje të dy vendeve të forcojnë lidhjen mes njerëzve për të ushqyer ngrohtësinë dhe besimin ndaj njëri-tjetrit.
“Baza për të ecur përpara është ndërtuar mbi respektin dhe mirëkuptimin e njëri-tjetrit dhe kjo vjen nga një lidhje njerëzore”, -tha James B. Heimowitz, president i Institutit të Kinës në SHBA, një organizatë jofitimprurëse amerikane e dedikuar për të kuptuar më thellë Kinën, në një intervistë për “Xinhua”.
Foto nga VCG
Duke i cilësuar të dy vendet ndër më të rëndësishmit në planet, ai tha se do të ketë disa mosmarrëveshje mes tyre për disa aspekte, por çështja është se si të menaxhohen më mirë për të ardhmen. “Besoj se i gjithë planeti do të përfitojë nga më shumë perëndimorë që kuptojnë Kinën”, -tha Heimowitz, i cili më parë ka punuar në fushën e konsulencës dhe financës.
Pas mbi katër dekadash duke studiuar dhe punuar në Kinë, Heimowitz tha se nuk mund të mendojë për një mënyrë më të mirë për ta bërë këtë sesa përmes shkëmbimeve kulturore, historike dhe të biznesit.
Jeta e popullit kinez ka ndryshuar në mënyrë drastike që nga koha e tij e hershme në Kinë në vitet 1980 dhe përparimet janë të pashembullta. “Unë nuk njoh asnjë vend tjetër që është transformuar në mënyrën si e ka bërë Kina”, -tha eksperti amerikan.
Perceptimi i shumë amerikanëve për Kinën mbetet ndoshta një ose dy dekada prapa, vuri në dukje Heimowitz, duke shprehur shqetësimet e tij për zemërimin dhe urrejtjen e hedhur mbi aziatikët dhe amerikano-aziatikët në Shtetet e Bashkuara. Sipas Heimowitz, dhuna ndaj aziatikëve dhe amerikano-aziatikë është e rrënjosur thellë në injorancë dhe zgjidhja qëndron në edukimin e njerëzve për të rritur nivelin e ndërgjegjësimit të tyre.
“Unë do të shpresoja që ne ende mund të ushqejmë atë ngrohtësi dhe ndjenjën që kemi ndaj kulturave dhe historive të njerëzve të tjerë. Dhe për këtë duhet punuar nga të dyja palët”, -tha Heimowitz, duke shtuar se njerëzit nga instituti i tij përpiqen të ndihmojnë botën për ta kuptuar më mirë Kinën përmes gjuhës, artit, kulturës dhe praktikave të saj të biznesit.
Në mënyrë të veçantë, Heimowitz vuri në dukje një interes të fortë te prindërit amerikanë me prejardhje të ndryshme që duan që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën kineze, duke shtuar se të rriturit amerikanë janë gjithashtu të interesuar të mësojnë kinezishten për qëllime të zhvillimit profesional, pasurimit të interesave personale dhe lidhjes, ose thjesht të nxitur nga kurioziteti i përgjithshëm.
Heimowitz kujton se hera e parë që u përball me kulturën kineze ishte në vitin 1960, kur gjyshja e tij mori mësime gatimi në Institutin e Kinës.
Deri tani, instituti i tij ka prekur rreth 1 milion njerëz përmes programeve të tij të ndryshme dhe rreth 700 njerëz u regjistruan për një program të fundit në internet mbi ndikimin e Konfucit në Kinën e sotme, tha ai. Heimowitz inkurajon studentët amerikanë të shkojnë në Kinë dhe beson se ata do të mësojnë të vlerësojnë dhe të duan shumë aspekte të vendit aziatik.
“Ajo që shpresoj të arrij është të kem sukses përmes ndërtimit të një instituti që me të vërtetë shërben si një urë. Nëse ne vazhdimisht shohim vetëm dallimet, do të jetë një vend shumë i shëmtuar. Lidhja ndërnjerëzore është pikërisht zanafilla e përparimeve”, -theksoi Heimowitz, duke shprehur besimin se qeveritë e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara do të lehtësojnë krijimin e më shumë lidhjeve mes njerëzve të të dyja vendeve.
I themeluar në vitin 1926, Instituti i Kinës me bazë në Nju Jork është organizata më e vjetër bikulturore e SHBA-së e fokusuar ekskluzivisht te Kina.