Ditët e fundit nisi zyrtarisht në qytetin Ningbo të provincës Zhejiang të Kinës Lindore seria e aktiviteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore 2022, “Yunyong”. Ky eveniment do të integrojë burimet online dhe offline sipas kërkesës së tregut dhe do të kontribuojë në promovimin e rimëkëmbjes ekonomike, duke mbajtur 1 ose 2 aktivitete të larmishme në internet si, shitjet online, transmetimi i drejtpërdrejtë në internet, promovimi, lidhja në internet etj.
Seria e aktiviteteve “Yunyong” u krijua në vitin 2020 dhe është një masë e rëndësishme për Ningbo-n për të përcjellë risitë në modelet e shërbimit dhe promovuar bashkëpunimin pragmatik ekonomik dhe tregtar nën sfondin e Epidemisë. Gjatë dy viteve të fundit kjo seri aktivitetesh ka zhvilluar më shumë se 20 takime online dhe offline, të cilat janë kthyer në një platformë të rëndësishme për promovimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
E ndikuar nga epidemia e koronavirusit të ri, ekspozita e tretë Kinë-Vendet e EQL-së u shty, por përpjekjet për të zgjeruar më tej bashkëpunimin mes dy palëve nuk kanë ndalur kurrë. Li Guanding, nënkryetari i bashkisë Ningbo, tha se qyteti do të vazhdojë të promovojë fuqishëm bashkëpunimin konkret me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të ndërtojë një zonë demonstrimi të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar të nivelit të lartë Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe të ofrojë më shumë mundësi bashkëpunimi për ndërmarrjet kineze dhe ato të huaja.
Dusan Bella, ambasadori sllovak në Kinë, tha se masat e rrepta anti-epidemike kanë penguar tregtinë dhe dobësuar lidhjet mes njerëzve dhe bizneseve. Përmes serisë së aktiviteteve “Yunyong” të mbajtur në Ningbo, është promovuar shkëmbimi ekonomik për të dy palët, ndërsa ka rritur aktivitetin e tregut kinez për prodhuesit e vendeve të EQL-së. "Ne gjithashtu presim zhvillime të reja në futjen e produkteve bujqësore në tregun kinez, hyrjen e ndërmarrjeve të vogla e të mesme në platformën e tregtisë elektronike të Kinës dhe përmirësimin e logjistikës në të gjithë rajonin e EQL." – shtoi ambasadori sllovak.
Zhang Yadong, drejtor i Qendrës së Promovimit të Ekspozitës dhe Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në Ningbo, tha se më 20 maj u lançua aktiviteti "Le të blejmë prodhimet e Evropës Qendrore dhe Lindore", ku u shpërndanë mallra me vlerë 5 milionë juanë nga ky rajon. Aktiviteti zgjati 5 javë. Deri më 7 qershor, më shumë se 40 kompani, me mbi 4 mijë lloj produktesh morën pjesë në aktivitet, ndërsa vlera e shitjes arriti në 5.2 milion juanë. Nga korriku deri në gusht do të ketë gjithashtu një aktivitet komunitar ku mallrat e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore të mund të futen deri në zonat e banimit të qytetarëve, për të propaganduar mallrat me karakteristikat e vendeve të EQL-së, për të reklamuar kulturën e këtyre vendeve dhe promovuar importin e mallrave nga ky rajon.
Foto: VCG
Ditët e fundit u nënshkruan katër projekte bashkëpunimi biznesi, nga të cilët më i veçanti ishte kontrata që Qendra Tregtare e Mallrave të Importuara Ningbo nënshkroi me përfaqësuesin e markës polake të jahteve “Cartier” në Kinë. Aktualisht ndërmarrjet e tregtisë së jahteve të Evropës Qendrore dhe Lindore janë vendosur zyrtarisht në Zonën e Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjik, Ningbo. Përveç kësaj, edhe tre kompani kineze nënshkruan kontrata me kompani nga Polonia, Çekia dhe Serbia, duke e çuar xhiron tregtare të projektit në 130 milionë juanë.
Gjithashtu u publikua zyrtarisht faqja e pavarur “Sea Camel Shopping”, e specializuar për importin dhe shitjen e mallrave nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Platforma bashkon më shumë se një mijë produkte të cilësisë së lartë në 15 kategori nga 16 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Ajo përmban prodhime kozmetike, kafe, lëngje frutash, verë, etj. Përmes integrimit të shërbimeve të zinxhirit të furnizimit, kjo faqe i ndihmon njerëzit të blejnë produkte me cilësi të lartë nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Foto: Visual People
Sipas statistikave, në vitin 2021 vëllimi i importit dhe eksportit mes Ningbo dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore arriti 39.2 miliardë juanë, duke u rritur 40.4 për qind në krahasim me vititin 2020. Nga janari deri në prill të këtij viti, vëllimi i importit dhe eksportit mes Ningbo dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore arriti 14.1 miliardë juanë, me një rrjtje prej 22.9 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të ardhmen Ningbo do të vazhdojë të promovojë fuqishëm bashkëpunimin konkret me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të ndërtojë një zonë demonstrimi të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar të nivelit të lartë Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe të përpiqet të arrijë qëllimin e importimit të mallrave nga këto vende në shumën 10 miliardë dollarë amerikanë brenda pesë viteve. Ningbo do t'u ofrojnë ndërmarrjeve kineze dhe të huaja më shumë mundësi bashkëpunimi, duke kontribuuar në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.(Çang Çuo)