Anila Hoxha Gjermeni, (Foto personale)

Anila Hoxha Gjermeni, (Foto personale)

Anila Hoxha Gjermeni është një soprano e mirënjohur shqiptare që jeton në Milano të Italisë. Anila ka lindur në Tropojë dhe studimet i ka kryer në Shkodër për të vijuar në Akademinë e Arteve në Tiranë. Pas një karriere artistike të ngjeshur në skenat shqiptare Anila vendosi të emigrojë në Itali, ku vazhdoi të performojë si këngetare lirike. Me një repertor të gjerë në skenat botërore që përfshin role në kryevepra si “La Boheme”, “Traviata”, “Tosca” etj, ajo kurrë nuk e ka harruar prejardhjen e saj, mësuesit e fëmijërisë dhe rininë. Në një intervistë për CMG Anila tregon për karrierën e saj artistike si dhe lidhjen e saj me vendlindjen.


Anila Hoxha Gjermeni ne interviste per CMG

Anila Hoxha Gjermeni ne interviste per CMG

CMG: Jetoni prej më shumë se dy dekadash në Itali bashkë me familjen tuaj. Kur jeni larguar nga Shqipëria?

Anila Hoxha Gjermeni: Unë në Itali kam ikur në vitin 1994 dhe kam gati 28 vjet që jetoj atje. Unë jetoj në Milano, me karrierë aty dhe gjithashtu dhe nëpër Europë dhe botë si soprano. Kam filluar që nga viti 2015, por që e vogël e kam kënduar dhe populloren klas folk. Koncertet e mia përveçse opera, koncerte lirike, në fund të koncertit ose pjesën e dytë të tij e realizoj dhe me këngët e bukura shqiptare folklorike, të përpunuara si dhe atomë origjinalet që mos të humbasim origjinalitetin tonë.

CMG: Si nisi karriera juaj artistike në Shqipëri?

Anila Hoxha Gjermeni: Studimet në Institutin e Lartë të Arteve i kam mbaruar këtu në Tiranë në vitin 1989, dhe në vitin 1985 kam mbaruar shkollën artistike “Preng Jakova” në Shkodër me profesor Ferid Bala, që sot nuk jeton më. Pastaj më emëruan me dëshirën time në Fier, ku u njoha me bashkëshortin. Për gati 5 vjet punova në Fier si mësuese e kantos në Liceun Artistik “Jakov Xoxa”.

CMG: Si u integruat me jetën në Itali, me jetën artistike atje?

Anila Hoxha Gjermeni: Në Itali si çdo fillim nuk ishte i lehtë, sepse fillimi është i vështirë. Unë kam dhe familjen, kam dhe dy fëmijë, i dyti lindi në vitin 1997 dhe të dyja në përgjithësi i kam bërë, si familjen ashtu dhe profesionin. Fillimisht kam filluar me koncerte të vogla, ku njoha një profesoreshë të kantos në Milano dhe nga ato koncerte të vogla kisha shumë sukses saqë në vitin 2001 fillova me rolin e parë në operën “Traviata”, në një qytet afër Milanos. Aty filloi suksesi i parë si soliste dhe protagoniste e parë e operës në rolin e Violetës.


Anila Hoxha Gjermeni duke interpretua (Foto personale)

Anila Hoxha Gjermeni duke interpretua (Foto personale)

CMG: Një ëndërr e shumë artistëve është interpretim në Teatrin “La Scala” dhe ju keni realizuar. Si jeni ndjerë si pjesë e këtij teatri të famshëm ?

Anila Hoxha Gjermeni: Edhe për mua kjo ëndërr u realizua në vitin 2009, kur sapo kisha mbaruar Akademinë e “La Scala”, një kurs një vjeçar. Aty u organizua një konkurs i madh, ku më zgjodhën mua nga shumë soprano të tjera për të bërë një koncert me orkestrën e madhe të auditorit Giussepe Verdi te sinfonia e Bethovenit. Për mua ai moment ishte vërtetë magjik dhe një ëndërr e madhe për çdo artist, për çdo soprano dhe ndjehesha aq mirë, saqë ajo Anila, vajzë e vogël e Tropojës që mbaroi shkollën e mesme të muzikës dhe konservatorin, tani ishte mes Teatrit “La Scala”, duke kënduar në teatrin më të njohur të Europës.

CMG: Sa vite keni punuar në “La Scala” dhe si e përjetuat këtë eksperiencë?

Anila Hoxha Gjermeni: Kam qëndruar për tre vjet dhe ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. Ishte një punë shumë e madhe dhe një përgjegjësi për shumë gjëra. U ndjeva vërtetë e lumtur dhe e ndjeva veten të vlerësuar si soprano profesioniste.


Anila Hoxha Gjermeni ne koncert (Foto personale)

Anila Hoxha Gjermeni ne koncert (Foto personale)

CMG: Keni pasur bashkëpunime me institucionet e artit në Shqipëri për koncerte të ndryshme në fushën e muzikës?

Anila Hoxha Gjermeni: Unë në Shqipëri kam realizuar disa koncerte recitale me orkestrën sinfonike të RTSH-së dhe Akademisë së Arteve, dhe kjo për mua është kënaqësi e madhe. Sigurisht ka pasur shumë sukses dhe dëshirën e kam përsëri të realizoj këto koncerte si dhe të bëj klas folk, të realizoj këngët e bukura, jaret e bukura shqiptare, t’i nxjerrim vlerat e këngës shqiptare, sepse mua ato më shkojnë shumë dhe i realizoj ashtu siç e kanë menduar kompozitorët e vërtetë.

CMG: Pra në njëfarë mënyre ju po riktheni dhe vlerat e e muzikës folklorike, ato këngë të bukura popullore burimore.

Anila Hoxha Gjermeni: Kjo është e vërtetë dhe kam shumë dëshirë që të rikthehet muzika jonë e bukur.


Anila Hoxha Gjermeni me kostumin popullor te Tropojes (Foto personale)

Anila Hoxha Gjermeni me kostumin popullor te Tropojes (Foto personale)

CMG: Keni menduar të realizoni ndonjë album me këto krijime popullore?

Anila Hoxha Gjermeni: Kam menduar, dhe pikërisht para pak kohe kur kam ardhur në Shqipëri kam realizuar një koncert në vendlindjen time Tropojë, që ishte koncerti i dytë. Koncerti është pritur shumë mirë dhe jam e lumtur që publiku e priti aq bukur. Unë bisedova dhe me Bashkinë e Tropojës për të bërë diçka më shumë për këtë lloj arti dhe të ketë një ndryshim artistik në Tropojë.

CMG: Për çfarë ju merr malli më shumë kur riktheheni në vendlindje?

Anila Hoxha Gjermeni: Kur kthehem në vendlindje, sapo futem në Tropojë fillojnë emocionet dhe më mbushen sytë me lot. Më pëlqen sepse është toka ime dhe unë pikërisht aty kam lindur dhe jam rritur deri në moshën 14 vjeç. Gjithmonë kam vajtuar në Tropojë deri në mbarim të shkollës, kur isha në moshën 18 vjeçe. Edhe kur isha në shkollën e lartë shkoja çdo gjashtë muaj kur kishim pushimet e shkollës. Tropoja është vendlindja ime dhe është vendi ku unë ndjehem mirë, ku gjej veten time, ku çdo gjë më duket shumë mirë. Edhe po të ketë ndonjë defekt mua nuk më duket ashtu sepse është vërtetë toka që unë dua, aty ku më pëlqen mua, aty ku kam kënduar për herë të parë, aty ku publiku më ka dëgjuar për herë të parë, aty ku profesorët më kanë mësuar për herë të parë. Në vendlindje çdo gjë më duket e imja dhe nuk dua që ta humbas atë tokë.


Anila Hoxha Gjermeni gjate nje performance ne skene (Foto personale)

Anila Hoxha Gjermeni gjate nje performance ne skene (Foto personale)

CMG: Tropoja ka këngë dhe artistë shumë të mirë, dhe këtu mund të përmend artisten e madhe Fatime Sokoli, e cila ka qenë udhërrëfyese e juaja në rrugën artistike.

Anila Hoxha Gjermeni: Unë këngëtaren e madhe Fatime Sokoli nuk do ta harroj kurrë, sepse ajo më pregatiti për të vajtur në konkurs në shkollë të mesme. Ishtë një bisedë shumë e këndshme kur unë isha e vogël dhe më tha nëse unë kisha dëshirë që këngën ta bëja profesion. Unë me habi e pyeta nëse kjo gjë bëhet, dhe ajo mu përgjigj se po. Kështu që më çoi në konkurs në shkollën artistike “Preng Jakova” në Shkodër dhe aty fitova konkursin, si dhe filloi karriera ime artistike. Këngët e të madhes Fatime Sokoli nuk duhen harruar asnjëherë, dhe nuk i harron populli ynë sepse është e vetmja këngëtare që ngriti popullin në këmbë, duke i realizuar vetë fjalët e këngës dhe duke i kënduar vetë, që në moshë të vogël. Unë e kam këngëtare të zemrës, siç e kanë gjithë tropojanët.


Anila Hoxha Gjermeni gjate nje koncerti (Foto personale)

Anila Hoxha Gjermeni gjate nje koncerti (Foto personale)

CMG: Anila jeni e plotësuar artistikisht me kaq sa keni arritur dhe në skenën ndërkombëtare?

Anila Hoxha Gjermeni: Unë jam dhe profesoreshë e kantos dhe i këshilloj nxënësit e mi se nuk duhet të kënaqemi asnjëherë me pak. Nuk është pak kaq sa kam bërë, por mendoj gjithnjë e më lart. Dëshiroj që të bëj akoma më shumë dhe mos ta ndërpres këtë profesion kaq të bukur, që unë e transmetoj me shpirt dhe dua që dhe brezi i ri të ketë po këtë lloj dëshire që kam unë. Me aq sa unë kam realizuar role pafund të shumë kompozitorëve të mëdhenj botërorë, pse jo dhe brezi i ri ti ketë këto mendime.


Anila Hoxha Gjermeni ne Tropoje (Foto personale)

Anila Hoxha Gjermeni ne Tropoje (Foto personale)

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.

Anila Hoxha Gjermeni: Përshëndes të gjithë dëgjuesit dhe uroj që çdo gjë të ketë ndryshim në vendin tonë si për artin, kulturën dhe çdo gjë tjetër. Faleminderit shumë për intervistën.

Intervistoi: Gazmend Agaj