Nertila Sinameta

Nertila Sinameta

Nertila Sinameta ka lindur në Shqipëri, në qytetin e Kavajës, dhe në vitin 2002 ka shkuar bashkë me familjen në Itali. Ajo ka kryer studimet në Universitetin e Gjuhëve të Huaja në Siena, Toscana. Në 2014 ka qenë studente në Beijing Jiaotong University dhe më pas është rikthyer në Itali për të mbaruar studimet në bachelor si dhe për të filluar masterin në fund të dhjetorit të viti 2014. Në vitin 2018 ajo është rikthyer në Kinë dhe jeton në Pekin, ku punon si Marketing Manager në një shkollë private të gjuhës italiane. Nertila flet shtatë gjuhë të huaja dhe i pëlqen të shkruajë, lexojë dhe të udhëtojë. Ajo ka bërë dhe disa bashkëpunime me televizionin shtetëror të Kinës CCTV dhe në kohën e lirë merret me tregëtinë e verës të kuqe.

Nertila Sinameta duke ndihmuar te prekurit me Covid 19

Nertila Sinameta duke ndihmuar te prekurit me Covid 19

CMG: Përshëndetje Nertila dhe faleminderit për këtë intervistë në Radio Ejani.

Nertila Sinameta: Përshëndetje miqve nga Shqipëria dhe në të gjithë botën!

CMG: Ju jetoni prej vitesh në Kinë dhe këto ditë jeni bërë pjesë e një grupi vullnetarësh për të ndihmuar të prekurit nga Covid-19. Na tregoni pak më shumë për këtë angazhim tuajin?

Nertila Sinameta: Ju e dini dhe keni parë dhe nga lajmet që Pekini është prekur pak sërish nga Covid19 dhe para disa ditësh ne kemi punuar nga shtëpia, kështu që kam dhe pak kohë të lirë të jap një ndihmë në komunitetin ku jetoj. Ata nuk menduan se një e huaj do të bëhej pjesë e një grupi vullnetarësh që t’i ndihmonte, dhe kur më sollën ftesën që të isha pjesë në këtë organizim, unë i thashë po dhe që nuk ka problem. Kjo ishte një mundësi që të kuptoja nga afër se si është të ndihmosh me këto rrobat e bardha ose “engjëlli i bardhë”, si i thonë këtu në Kinë, personave që ndihmojnë për testimet në komunitetin ku jetojnë.


Nertila Sinameta ne nje aktivitet per te ndihmuar kunder Covid

Nertila Sinameta ne nje aktivitet per te ndihmuar kunder Covid

CMG: Sa vite keni që jetoni në Kinë?

Nertila Sinameta: Unë herën e parë kam ardhur si studente në vitin 2015, por ishte vetëm një periudhë shkëmbimi midis universitetit në Itali dhe atij të Kinës. Pastaj përfundimisht erdha të punoj këtu për një periudhë më të gjatë nga viti 2018 deri tani.

CMG: Pse zgjodhët pikërisht Kinën për studimet tuaja, por dhe për të punuar?

Nertiala Sinameta: Unë në bachelor kam kryer studimet në Universitetin e Gjuhëve të Huaja në Siena dhe aty kam zgjedhur si gjuhë të huaj kinezishten, për të cilën bëra një vit shkëmbim studimor në 2015. Pastaj për masterin unë u specializova në Itali dhe Gjërmani, më vonë u ktheva përfundimisht në Itali për të përfunduar tezën e masterit dhe pata një ofertë pune e kështu u riktheva në vitin 2018 për të punuar në Kinë. Zgjedhja e gjuhës kineze faktikisht ka qenë në vitin e parë të studimeve në bachelor, kur zgjodha gjuhët e huaja anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht, pastaj kurrikula e bachelor-it ishte në gjuhë të huaj si ruse, japoneze dhe kineze. Unë e mendova në atë kohë si një të ardhme më të gjatë, si një mundësi pune dhe kështu zgjodha gjuhën kineze.

Mami dhe babi atëherë kishin më qejf që të zgjidhja gjuhën ruse sepse siç e dinë të gjithë, kur ata ishin të rinj në Shqipëri mësohej gjuha ruse. Atëhere unë i thashë mamit që në atë kohë ka qenë historia juaj, por që unë do ta ndryshoj pak historinë ose zgjedhjet dhe do të zgjedh gjuhën kineze.

Fillova të studioja gjuhën kineze dhe ka qenë rastësi sepse e kërkonte kurrikula e studimeve. Nuk ishte e domosdoshme, por doja të provoja sepse unë në gjimnaz në Itali kam mësuar gjuhët europiane dhe nuk kam pasur në atë kohë mundësi të studioja një gjuhë kaq egzotike, ose një gjuhë aq të lashtë dhe të largët. Ndoshta në atë kohë si një vajzë e re kisha ëndrrën që të shkoja në një shtet kaq të largët. Kjo ka qenë dhe arsyeja që unë zgjodha gjuhën kineze për studimet.


Nertila Sinameta me babain ne aeroportin e Romes

Nertila Sinameta me babain ne aeroportin e Romes

CMG: Ju keni shkuar në Itali në moshë të vogël. E mbani mend sa vjeç keni qenë në atë kohë?

Nertiala Sinameta: Në atë kohë kam qenë 10-11 vjeçe, nuk isha aq e vogël, por e vogël sepse në atë kohë në Shqipëri kam bërë vetëm disa klasë në shkollën fillore. E mbaj mend se ka qenë dita e Krishtlindjeve. Në 24 dhjetor të vitit 2002 ne jemi larguar nga porti i Durrësit për në Itali me familjen. Babai jetonte prej shumë kohësh në emigracion dhe u bashkuam si familje përfundimisht në Itali, pra unë me prindërit dhe motra me vëllain.


Nertila Sinameta gjate kohes jur ishte studente ne Pekin

Nertila Sinameta gjate kohes jur ishte studente ne Pekin

CMG: Kanë ardhur ndonjëherë prindërit tuaj për t’ju vizituar në Kinë?

Nertiala Sinameta: Prindërit e mi punojnë shumë dhe ja kushtojnë shumë kohën punës. Kur babai pati rastin që të vinte në Kinë, e kishte bërë si plan që të vinte të më vizitonte mua në prill të vitit 2020 sepse në atë periudhë kishte kohë të lirë, por ky plan u prish prej Covid 19 dhe ndoshta është edhe kjo ajo arsyeja pse unë u bëra pjesë e atyre vullnetarëve.

Ndoshta ne të rinjtë e kemi akoma shpresën që pandemia të mbarojë sa më shpejt dhe sa më mirë, që të bashkohemi prapë me familjen dhe me të dashurit tanë. Besoj se prindërit e mi e kanë akoma atë plan, por do të jetë pak më vonë, duke shpresuar që të hapen kufijtë.


Nertila Sinameta me studentet gjate provimit te gjuhes italiane

Nertila Sinameta me studentet gjate provimit te gjuhes italiane

CMG: Aktualisht ju punoni si menaxhere marketingu në një kompani në Kinë. Jeni e kënaqur më punë që bëni?

Nertiala Sinameta: Kompania ku unë punoj është italo-kineze sepse është një shkollë private ku merremi me studentët universitarë kinezë që shkojnë në Europë, me aplikimet në universitetet italiane dhe pastaj të vizës. Kjo është një punë që më tërheq sepse këtu ata mësojnë edhe gjuhën italiane dhe unë jam një nga ekzaminuesit që bëj provimet e italishtes. Studentëve kinezë u duhet kjo çertifikatë e gjuhës dhe më vonë bëjnë aplikimin për në Itali.

Ky rol që kam është pak me stres kur shoh studentët që bëjnë provimet, sepse më kujtohen vitet e para kur do të mësoja gjuhën italiane dhe tani kur shikoj ata që mësojnë italishten, sikur shoh historinë e jetës time. Këtu jam mësuese dhe më shkon në mendje jeta që kam pasur në Shqipëri dhe Itali.

CMG: E keni vizituar shpesh Shqipërinë këto vite dhe për çfarë keni më shumë mall për vendlindjen tuaj?

Nertiala Sinameta: Shqipëria është vendi i origjinës time, është vendi i babait dhe mamit, është vendi ku kam lindur dhe i kujtimeve, vendi i fëmijërisë. Faleminderit dhe prindërve të mi sepse kam mësuar se ndoshta origjina është ajo pjesë që të formon karakterin. Unë dhe familja shkojmë shpesh në Shqipëri kur kam fatin të jem në Europë. Një apo dy herë në vit shkoj dhe takoj prindërit sepse ata jetojnë në Itali, por dhe në Shqipëri. Gjithashtu takoj dhe xhaxhallarët, gjyshërit, kështu që kam shkuar gjithmonë të bëj vizitë në Shqipëri. Gjëja që më merr malli janë kujtimet e fëmijërisë, që për mua janë gjëja më e bukur.


Nertila Sinameta si guest speaker ne programin e CCTV ne Pekin

Nertila Sinameta si guest speaker ne programin e CCTV ne Pekin

CMG: Një shqiptare që keni emigruar e vogël në Itali dhe tani jetoni dhe punoni në një shtet tjetër të largët, siç është Kina. Ku e shikoni të ardhmen tuaj?

Nertiala Sinameta: Unë e kam thënë shpesh me studentët e mi dhe me miqtë, që duhet të jemi me karakter shumë të hapur për mundësitë. Unë mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për gjithçka, dhe besoj se do ta kem një të ardhme ku shpresoj të jetë një bashkëpunim midis Shqipërisë dhe Italisë ose Kinës me Shqipërinë.

Kur më pyesin që jam shqiptare apo italiane, unë them që jam edhe shqiptare dhe italiane. Unë i kam mbajtur të dyja pasaportat dhe shpresoj që edhe në të ardhmen të jenë disa mundësi me disa bashkëpunime midis Shqipërisë, Italisë dhe Kinës. Tani për momentin për një plan të shkurtër ndoshta jam këtu në Kinë, në një afat më të gjatë mbase do jem dhe në Europë, Shqipëri dhe Itali. Këto i kam në program.

CMG: Unë ju falenderoj për këtë intervistë dhe ju uroj shëndet dhe suksese.

Nertiala Sinameta: Faleminderit të gjithëve dhe ju përshëndes nga Kina.

Intervistoi: Gazmend Agaj