Shoqata e Miqësisë Egjipt-Kinë mbajti një simpozium në kryeqytetin egjiptian, Kajro, për të festuar 66-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Egjiptit. Aktiviteti u ndoq nga diplomatë, akademikë, profesorë dhe ekspertë egjiptianë dhe kinezë, duke përfshirë kryetarin e shoqatës, Ahmed Waly, dhe ambasadorin kinez në Egjipt, Liao Liqiang.
Gjatë simpoziumit, Waly përshëndeti bashkëpunimin në rritje kulturor dhe ekonomik midis Kinës dhe Egjiptit. Nga ana e tij, Liao përgëzoi simpoziumin dhe organizatorët e tij për rolin e tyre pozitiv në nxitjen e marrëdhënieve Kinë-Egjipt.
“Egjipti dhe Kina kanë mbajtur shkëmbime të nivelit të lartë dhe i kanë intensifikuar ato”, -tha ambasadori kinez gjatë një interviste për “Xinhua”, duke theksuar shkëmbimet e shpeshta midis lidershipeve të dy vendeve në vitet e fundit.
Liao vuri në dukje se marrëdhëniet në rritje ekonomike dhe tregtare midis Egjiptit dhe Kinës, nën kuadrin e nismës së propozuar nga Kina, “Një brez, një rrugë” (BRI), kanë mundësuar forcimin e partneritetit të favorshëm midis dy vendeve.
“Iniciativa ka ofruar zgjidhje kineze për dilemat e zhvillimit global. Si Egjipti, dhe më shumë se 100 vende të tjera dhe disa organizata ndërkombëtare, duke përfshirë Kombet e Bashkuara, kanë pasur një qëndrim pozitiv ndaj nismës”, -tha ai.
Vëllimi i shkëmbimit tregtar midis Kinës dhe Egjiptit arriti në rreth 20 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2021, duke shënuar një rritje vjetore prej 37.3 për qind, që, sipas ambasadorit kinez, mishëron integrimin e nivelit të lartë ekonomik mes dy vendeve.
Pjesëmarrësit e simpoziumit nënvizuan nevojën për të promovuar vizionin kinez për një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, veçanërisht në dritën e krizave të vazhdueshme si pandemia COVID-19 dhe konflikti ruso-ukrainas.
Ali el-Hefny, ish-ambasadori i Egjiptit në Kinë dhe ish-zëvendësministri i Jashtëm egjiptian, tha se Kina gjithmonë u ka bërë thirrje të gjitha vendeve që të punojnë së bashku për një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, e cila, sipas tij, ka marrë një përgjigje pozitive nga të gjitha palët, qofshin shtetet, rajonet apo kontinentet.
Hefny, gjithashtu nënkryetar i Shoqatës së Miqësisë Egjipt-Kinë, deklaroi se një “Një brez, një rrugë” është një nismë praktike, e iniciuar nga Kina, që ka korrigjuar fenomenin e globalizimit dhe ka trajtuar shumë nga defektet e tij.
Egjipti vendosi lidhje diplomatike me Republikën Popullore të Kinës më 30 maj 1956.