Sot është Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve. Le të njohim disa prej mësuesve që kontribuojnë për arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara...
Yu Linya dhe nxënësit e saj
Yu Linya është drejtoresha e shkollës Yanglingzi në qytetin Hangzhou të provincës Zhejiang të Kinës Lindore. Për 25 vitet e fundit ajo ka qenë thellësisht e përfshirë në vijën e parë të edukimit për fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale.
Fëmijët e shkollës Yanglingzi janë me aftësi të kufizuara intelektuale, nga ato me nivel të moderuar, deri te më të rëndat. Ndaj në vend që të thuhet se Yu Linya është drejtoresha e shkollës, është më mirë të thuhet se ajo është nëna e më shumë se 200 fëmijëve.
nxënësit e shkollës Yanglingzi
"Çdo fëmijë këtu është shumë i ndryshëm. Për sa kohë që ne do të jemi të gatshëm të ulemi dhe shkrihemi me ta, përparimi i tyre do të jetë domethënës." – tregon Yu Linya. Për shkak të komunikimit gjuhësor, atij psikologjik etj., nuk është e lehtë të hysh në botën e këtyre fëmijëve. Megjithatë, ajo pothuajse mund të dijë emrin e çdo fëmije dhe karakteristikat e zhvillimit të tyre. E gjithë kjo buron nga përgjegjësia e saj e madhe dhe dashuria e thellë për këta fëmijë. Kur ndonjëri prej nxënësve është sëmurë, ajo vrapon drejt mjekut, ndërsa kur një tjetër demonstron aftësi të kufizuara jetese, ajo i udhëzon ato pa u mërzitur… Drejtoresha kujdeset për nxënësit si për fëmijët e saj. Përqafimet e ngrohta, bashkëbisedimet e thjeshta dhe inkurajimi fëminor, i falin atyre kënaqësinë dhe lumturinë për të cilën kanë nevojë.
Në 25 vitet e fundit, ajo nuk ka kryer ndonjë heroizëm të rrallë, por ka bërë çmos që shoqëria të kujdeset për nxënësit me nevoja të veçanta. Ajo nuk i ka braktisur kurrë “engjëjt me krahë të thyer”. Përgjatë karrierës së saj më shumë se 50 nxënës kanë marrë punë të pavarura, janë integruar në shoqëri dhe kanë siguruar aftësinë për të mbajtur veten.
Qyteti Linyi
Fang Lingli, për 13 vite në Spitalin e Rehabilitimit të qytetit Linyi të provincës Shandong të Kinës Lindore, është njëra prej mësueseve të rehabilitimit për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Ajo e kishte nisur punën në vitin 2009 dhe që prej atëhere është e angazhuar në rehabilitimin dhe trajtimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, kryesisht fizike. Në këtë pozicion të veçantë ajo përdor jo vetëm dashurinë, por edhe aftësinë profesionale, duke formuluar plane individuale për trajtimin rehabilitues të çdo fëmije.
Yiyi, e lindur në shtator 2014, është një fëmijë e prekur nga paraliza cerebrale. Kur ishte 4 vjeç prindërit e dërguan në spitalin e Fangut. Sipas gjendjes së saj specifike, Fang Lingli e përqëndroi trajnimin te aftësitë e saj të vetëkujdesit, lojërave dhe edukimit parashkollor. Kur Yiyi u bë 7 vjeç, ajo hyri në një shkollë të zakoshme fillore për të marrë arsimim sistematik, gjë që e bëri të lumtur Fang Lingli-në. Ajo thotë se mes atyre që u ka shërbyer ndër vite, ka shumë fëmijë me këmbëngulje si Yiyi. “Unë u kam thënë atyre pafundësisht, mos kini frikë nga sytë e çuditshëm të të tjerëve dhe tregohuni të guximshëm. Bëhuni vetvetja dhe ndjehuni mirë." – tregon Fang-u.
Fang Lingli thotë se fati i fëmijëve me aftësi të kufizuara mund të ndryshohet dhe ata mund të kenë një të ardhme të ndritur si çdo fëmijë tjetër. Rehabilitimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara është një kauzë që kërkon kujdes të veçantë. Ajo e ndjen këtë nevojë nga sytë e fëmijëve, gjë që e motivon për të vazhduar të punojë edhe më shumë dhe të kuptojë vlerën e profesionit të saj.
Wang Yan
Wang Yan, është mësuese e Qendrës së Edukimit Special të Qarkut Ningyang të provincës Shandong. Këtu ndodhet një grup fëmijësh që kanë humbur aftësinë për të folur. Ndonëse pa shumë fat, ata e plotësojnë këtë mungesë, kur gjejnë një mësuese të rrallë e të kujdesshme si Wang.
Në vitin 1998, pasi u diplomua nga Shkolla e Mësuesve Specialë Changle në Provincën Shandong, Wang Yan erdhi në Qendrën e Edukimit Special të qarkut Ningyang për të filluar karrierën e saj në arsimimin special.
"Këto korda vokale të fëmijëve përdoren më pak dhe në përgjithësi degjenerojnë. Disa nga tingujt që ata nxjerrin janë të ashpër, të ngjirur, disa të tjerë të rrafshët, ndërsa ka edhe nga ata që s’mund të nxjerrin fare një tingull të drejtpërdrejt" – tregon ajo.
Për këtë qëllim, Wang Yan shpesh vendos dorën e fëmijës përgjatë fytit, duke i lënë vetë ata ta gjenerojnë tingullin përmes ndryshimit të dridhjes së kordave. Veprimi kryhet dhjetë herë, njëqind herë, ndërsa Wang Yan duhet të këmbëngulë. Nga fonemat, rrokjet, fjalët dhe fjalitë, çdo hap i përparimit të fëmijëve është falë përpjekjeve të saj. “Kur dëgjova për herë të parë fjalën “Përshëndetje mësuese” nga këta fëmijë, jam përlotur.” – thotë Wang me emocion.”
Çdo vit në Ditën e Mësuesit nxënësit do të mbushin dërrasën e zezë me urime dhe kartolina përshëndetëse: “Mësues, gëzuar festën”; “Mësues, ju keni punuar shumë”; “Mësuesja është si nënë”; “Mësues, ne do të të duam gjithmonë”... E gjithë kjo e bën Wang Yan të mendojë se përpjekjet e saj ia kanë vlejtur. "Edhe pse këta fëmijë s’mund të thonë fjalë shumë të mëdha, ata nuk e fshehin mirënjohjen. Për sa kohë do trajtohen me sinqeritet, ata patjetër do t'ju kujtojnë gjithmonë në zemrat e tyre." – përfundon Wang Yan.