Albana Çakshiri është Presidente e Agjensisë “Albania Event production” dhe organizon aktivitete të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare me pjesëmarrjen e fëmijëve, por dhe të rriturve. Prej disa vitesh kjo agjensi organizon spektaklin për fëmijë “Miss dhe Mr Children”, dhe këtë vit organizon në Tiranë eventin e madh ndërkombëtar “Miss Summer World” me pjesëmarrjen e 40 vajzave nga të gjitha kontinentet. Në një intervistë për CMG, Znj. Çakshiri tregon për aktivitetet e kësaj agjensie si dhe spektaklin ndërkombëtar të bukurisë, që do të zhvillohet më datë 20 maj në Amfiteatrin e Tiranës.
CMG: Jeni në pregatitje të një eventi të madh ndërkombëtar, që do të zhvillohet në Tiranë. Na tregoni pak më shumë rreth këtij aktiviteti?
Albana Cakshiri (Foto personale)
Albana Çakshiri: “Agjensia Albania Event Production” është një agjensi që punon me talentet, punon me fëmijët por dhe të rriturit sigurisht, dhe kemi një filozofi në punën tonë për të promovuar sa më shumë Shqipërinë nëpërmjet talenteve në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë që aktiviteti që ju sapo e përmendët është një garë botërore për të rritur “Miss Summer World”. Janë vajza që vijnë nga 40 shtete të botës, nga të gjitha kontinentet, të cilat do të jenë prezente në Shqipëri për rreth 10 ditë dhe sigurisht që ne do të promovojmë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, do promovojmë turizmin, vlerat, traditën, trashëgiminë kulturore dhe gjithëçka tjetër që ka të bëjë me atdheun tonë.
Është një garë në fakt që përgjatë ditëve të qëndrimit të mysafireve speciale në Shqipëri do të ndalemi në qytete të ndryshme të vendit tonë, por finalja e madhe do të zhvillohet në Tiranë, i cili këtë vit është përzgjedhur për të qenë European Youth Capital. Ky aktivitet do të zhvillohet në Amfiteatrin e Tiranës në datën 20 maj në mbrëmje, një garë dhe spektakël që është në kujdesin e posaçëm të Bashkisë së Tiranës dhe të kryetarit të saj Z.Erion Veliaj.
CMG: Ky është një eveniment i bukurisë, por që vajzat besoj do të njohin dhe bukuritë natyrore shqiptare, dhe që kur të kthehen në vendet e tyre do ju tregojnë miqve bukuritë tona natyrore.
Albana Cakshiri duke porezantuar nje event (Foto personale)
Albana Çakshiri: Patjetër që ata janë vajza që vijnë për herë të parë në Shqipëri, janë përzgjedhur dhe kanë fituar garat kombëtare në shtetet përkatëse. Bashkë me to do të kemi dhe jurinë ndërkombëtare, që janë emra të shquar të botës së artit, spektaklit, televizionit dhe që vijnë nga shtete të ndryshme të botës, pasi dhe juria është e përbërë me njerëz të kësaj fushe.
Ne do ta promovojmë ashtu siç kemi bërë dhe pesë vitet e tjera Shqipërinë dhe vlerat më speciale të saj tek këto mysafire që janë ambasadore të bukurisë dhe që nëpërmjet tyre ne përcjellim vendin tonë në vendet nga ato vijnë. Sigurisht janë mbresat dhe emocionet që marrin, mikpritja shqiptare që është kaq e veçantë, do të përcillet bukur në vendet që ato do të shkojnë.
CMG: Përpara finales së madhe në Tiranë, cilat janë qytetet e tjera që këto vajza do të vizitojnë?
Albana Cakshiri gjate nje eventi nderkombetar (Foto personale)
Albana Çakshiri: Ne do të jemi në disa qytete dhe bashki. Do të ndalemi në qytetin e Vlorës, do të jemi në Durrës, në qarkun e Elbasanit dhe atë të Fierit për të prekur nga pak të gjitha pjesët më të veçanta të Shqipërisë, atë pjesë autentike dhe shumë speciale. Në fakt vitin e kaluar kjo garë është zhvilluar në Kalanë e Gjirokastrës dhe ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm, ndërkohë që këtë vit nga një qytet i veçantë i trashëgimisë kulturore ndalemi në një qytet modern dhe me një shpirt rinor, siç është kryeqyteti jonë Tirana. Sigurisht që ne do të përçojmë dhe tregojmë këtyre vajzave Tiranën e traditës dhe të trashëgimisë kulturore, atë Tiranën tjetër shumë të veçantë dhe moderne.
CMG: Do të ketë ky spektakël edhe të ftuar të tjerë?
Albana Çakshiri: Finalja e këtij spektakli është e mbushur me surpriza dhe numra të ndryshëm artistik, ku do të kemi padyshim këngëtarë vendas dhe të huaj. Pra spektakli i ka të gjitha elementët e vet brenda në natën finale, e cila natyrisht është e mbushur me emocion, përveç artit, elegancës dhe bukurisë që konkurentet shfaqin në skenë. Natyrisht do të sjellim kolorin dhe traditën nëpërmjet kostumeve të tyre popullore tradicionale të vendeve nga vijnë, të cilat janë shumë interesante. Gjithashtu do të kemi gjatë ditëve të qëndrimit, natën e madhe të miqësisë mes kombeve, ku konkurentet do të takohen me njëra tjetrën, do të shkëmbejnë dhurata por njëkohësisht do të krijojnë ato raportet e miqësisë dhe shkrirjes së një elementi që është shumë thelbësor, siç është miqësia pavarësisht racës, krahinës, shtetit dhe etnisë se ku jemi.
CMG: Ndalemi pak tani tek aktivitetet tuaja ndër vite ku ju keni realizuar disa spektakle të bukura për fëmijët.
Albana Çakshiri: Në fakt agjensia jonë një vëmendje të veçantë ju kushton fëmijëve, ku zhvillojmë një garë modelingu, por dhe talente siç është “Miss dhe Mr. Children”, por dhe shfaqje të ndryshme për fëmijët. Me rastin e çeljes së sezonit turistik ne kishim një festival shumë të rëndësishëm danci, që vjen në edicionin e tij të parë, një patentë tërësisht e agjensisë sonë, është “Elite Dance Festival”, i cili ka në garë 10 grupet më të famshme të kërcimit në Shqipëri. Në këtë festival morën pjesë 160 artistë kërcimtarë, të cilët performuan në Divjakë ku konkuruan për çmime të ndryshme. Një garë tjetër ishte edhe ajo e koreografëve të këtyre grupeve, që erdhën nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por dhe Kosovës gjithashtu.
CMG: Si është për ju të punosh me fëmijët dhe të rriturit?
Albana Cakshiri me femijet gjate eventit Miss dhe Mr Children (Foto personale)
Albana Çakshiri: Në fakt fëmijët janë një dashuri e madhe sepse të dhurojnë emocione shumë të veçanta me sinqeritetin, pafajësinë e tyre, por dhe mirësinë që kanë. Unë kam përfunduar vetëm pak ditë më parë një garë në qytetin e Vlorës “Miss dhe Mr Children” e cila ka pasur plot 177 konkurentë, një numër i jashtëzakonshëm pjesëmarrje dhe që ka korrur një sukses. E konsideroj të tillë sepse mbrëmja e natës finale të spektaklit ka qenë e jashtëzakonshme, salla e pallatit të kulturës është mbushur tej kapacitetit të saj, një publik i zjarrtë që ka duartrokitur dhe lumturi tek fëmijët, por dhe shumë talente të zbuluara.
Ky është qëllimi i agjensisë tonë, të zbulojmë talente që lidhen me artin skenik siç është kënga, kërcimi apo dhe interpretimi dhe instrumentat gjithashtu, dhe për ti nxitur këta fëmijë drejt rrugës së bukur të artit. Unë dëshiroj gjithmonë që flamuri i Shqipërisë të ngrihet lart nëpërmjet artit, kulturës, por dhe talenteve sepse është bukur t’i tregojmë botës që kudo që ne shkojmë se Shqipëria ësht një vend i vogël, por ka shumë vlera, ka një trashëgimi kulturore por natyrisht ka dhe talente, art të mirëfilltë ku punohet me fëmijët dhe me të rinjtë dhe kjo është mënyra më e bukur për ta prezantuar vendin tonë në skena të ndryshme.
CMG: Pasi të mbyllni eventin e radhës këtu në Tiranë, cilat do të jenë projektet në të ardhmen?
Albana Çakshiri: Agjensia Albania Event Production boton prej disa kohësh një revistë ndërkombëtare për fëmijë “VIP Kids International”, e cila i dedikohet fëmijëve në mënyrë shumë profesionale për t’i promovuar ata fëmijë të gjithë botës në arenën ndërkombëtare. Kjo është një revistë që çdo muaj ka një shtet të caktuar dhe promovon fëmijët e atij shteti, ku kryhen sigurisht fotoshooting, artikuj të posaçëm me këta fëmijë, dhe është një projekt që unë e dua shumë, është një revistë në gjuhën angleze që e shpërndajmë në disa vende të botës.
Gjithashtu kemi projekte të shumta, do të jemi në javën ndërkombëtare të modës në Dubai në muajin qershor. Sapo më ka mbërritur një ftesë për të qenë pjesëmarrës me disa fëmijë në javën ndërkombëtare të modës, që zhvillohet në Kapadokia në Turqi. Ndërkohë që një nga projektet më të dashura për mua është një garë që agjensia jonë zhvillon tashmë suksesshëm prej katër vitesh në Antalia të Turqisë. Në këtë garë ka fëmijë nga e gjithë bota të cilët vijnë dhe prezantojnë vendet e tyre në disiplina të ndryshme të artit skenik siç është kënga, kërcimi, interpretimi por dhe modelingu.
Këtë vit gara do të jetë në muajin tetor ku do të kemi padyshim përfaqësues nga Shqipëria dhe Kosova, por dhe nga vende të ndryshme të botës për t’i bërë bashkë fëmijët që të japin mesazhe dashurie dhe paqeje, por dhe për ti nxitur ata drejt rrugës së suksesshme të artit.
Artistet e koncertit te Lola Gjokes (Facebook)
CMG: Një bashkëpunim të suksesshëm keni dhe me Kinën. Çfarë projektesh keni realizuar atje?
Albana Çakshiri: Agjensia jonë ka një komunikim dhe marrëdhënie të shkëlqyer me Kinën me disa nga eventet më prestigjoze që zhvillohen në Kinë, eventet e bukurisë siç është “Miss Tourism World”, por dhe gara të tjera. Ne do të jemi në një garë për fëmijë, dhe do të jetë “Star Internacional”, që zhvillohet në muajin dhjetor në Tajlandë, për shkak të masave anti covid. Vitin e ardhshëm shpresojmë që sërisht të rikthehen garat e Kinës sepse janë aq të mrekullueshme dhe shumë profesionale, jo vetëm për fëmijë dhe të rritur sepse bashkëpunimi im me këtë vend është shumë i suksesshmëm dhe me fryte të mëdha.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese në këto evente.
Albana Çakshiri: Faleminderit ju, Radio Ejani si dhe gjithë dëgjuesit.
Intervistoi: Gazmend Agaj