Foto:Fujianwanbao
Në 12 maj është Dita Ndërkombëtare e Infermierëve. Në listën e vlerësimit për “infermierët më të bukur në Kinë” për vitin 2021, bie në sy edhe një mashkull, i cili quhet Huang Qubo. Ai është 35 vjeç dhe punon prej 10 vitesh në këtë profesion.
Në vitin 2011, pasi u diplomua në Universitetin e Mjekësisë Tradicionale Kineze në provincën Fujian të Kinës juglindore, Huang Qubo u bë një nga 8 infermierët meshkuj në departamentin e Kardiokirurgjisë së spitalit pranë Universitetit Mjekësor Fujian.
Disa pacientë të pamësuar me injektimet e barnave dhe ekzaminime të ndryshme nga një infermier mashkull, e kanë të vështirë të pranojnë në fillim. Disa të tjerë, por edhe familjarë të tyre, e ngatërrojnë infermierin Huang Qubo me një mjek, ndaj ai shpesh duhet t’ua shpjegojë të vërtetën. "Në fillim u ndjeva në siklet, por gradualisht kuptova se në mjekësi pozicionet e mjekëve dhe të infermierëve janë po aq të rëndësishëm. Spitali ynë ka krijuar një platformë shkëmbimi infermierësh për meshkujt, të quajtur "Aleanca për meshkuj". Aktualisht në spital ka më shumë se 80 infermierë si mua, ndaj tani e kam më shumë ndjenjën e përkatësisë.” - thotë Huang Qubo.
Në njësinë e Kujdesit Intensiv të Kardiokirurgjisë, Huang Qubo përballet me pacientë që sapo kanë përfunduar ndërhyrje kirugjikale shumë të vështira në zemër. Për infermierët meshkuj kjo lloj pune kërkon energji, por edhe shumë butësi.
Huang Qubo ka përvetësuar të gjitha instrumentet dhe pajisjet moderne të reanimacionit. Ai gjithashtu duhet të zbulojë menjëherë një pacient që rrezikon jetën, të njoftojë dhe të bashkëpunojë me mjekun për rastet urgjente. Përveç kësaj, ai është i zënë edhe me punët rutinë të një infermieri. “Detyrat njëra pas tjetrës, thuajse nuk të lënë kohë për të ndalur, prandaj nuk guxoj kurrë ta marr celularin në punë.” – tregon Huang Qubo.
"Infermierët meshkuj si Huang janë “personat e çmuar” të Departamentit”. Lin Yanjuan, drejtor i Departamentit të Infermierisë së Spitalit pranë Universitetit Mjekësor Fujian, thotë se në departamente të tilla si ai i Urgjencës dhe Kujdesit Intensiv, infermierët meshkuj janë të fortë fizikisht, me afësi të larta vëzhguese dhe reagimi ndaj urgjencave. Ata kanë avantazhe unike në aftësinë përpunuese dhe aspekte të tjera, prandaj mjekët dhe infermieret femra parapëlqejnë të bashkëpunojnë me ta.
Në mars të vitit 2018, infermieri Huang Qubo doli vullnetar për t'u bashkuar me grupin e 15-të të ekipit mjekësor të Kinës (Fujian) për të ndihmuar Botsvanën në Afrikë për një periudhë dyvjeçare.
Ai ishte i vetmi infermier mashkull në njësinë e Kujdesit Intensiv dhe shpesh i takonte të kryente detyra të rëndësishme. Një herë, alarmet e ventilatorit të një foshnjeje 3- muajshe dhe monitorit të EKG-së u dëgjuan në të njëjtën kohë. Huang Qubo, i cili ishte gati të dilte nga puna, u kthye me nxitim në shtratin e foshnjes, hapi rrugët e frymëmarrjes dhe udhëzoi kolegët të kryenin një tjetër ndërhyrje në gojën e fëmijës, duke e shpëtuar mrekullisht atë. Një tjetër foshnje 4-muajshe pësoi dermatit eksfoliativ (zhveshje e lëkurës) në të gjithë trupin. Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për t'u kujdesur, madje as injeksionet s’mund të kryheshin dot. Fatmirësisht edhe kjo foshnje u shpëtua përmes punës në grup.
Gjatë punës së tij në Afrikë, Huang Qubo trajnoi mjekë dhe infermierë vendas dhe u shndërrua në një "baba të shkëlqyer" për shumë foshnje të lindura para kohe (prematurë) dhe me sëmundje zemre.
"Vajza ime ishte vetëm një vjeç e gjysëm kur u nisa për të punuar në Afrikë, por kur u ktheva e gjeta në kopësht" – thotë Huang Qubo. Edhe bashkëshortja e tij është një infermiere dhe të dy prindërit kanë shumë pak kohë për vajzën e tyre. "Jemi shumë të zënë dhe unë shpesh punoj jashtë orarit. Vajza ime gjithmonë thotë: "Mami dhe babi nuk kanë shumë kohë për të qëndruar me mua". Tani, ajo mund të numërojë me gishta turnet tona të natës." – shton ai.
Kur kthehet nga puna, Huang Qubo gjen kohë të komunikojë me bashkëshorten për profesionin e infermierisë, por edhe gatuan, lan rrobat dhe tregon histori për vajzën e tij, si një baba shembullor.