Foto:VCG

Foto:VCG

Ndërsa bashkëpunimi ekonomik midis Kinës dhe Ganës vazhdon të rritet, gjithnjë e më shumë studentë ganezë në zona të largëta të vendit janë të përgatitur për të ardhmen e tyre me gjuhën kineze.

Për shumicën e kohës, studentët ganezë në Institutin Konfuci të Universitetit të Cape Coast, në perëndim të Ganës, u angazhuan në mësimin e gjuhës kineze dhe kulturës tradicionale kineze, nga kërcimi i luanit te bisedat në klasë.

Charles Delali Adegah, një indigjen në mesin e të tridhjetave, i cili ka studiuar gjuhën dhe kulturën kineze deri në nivelin master dhe jep mësim në Institutin Konfuci, deklaroi për “Xinhua”, cituar nga “China Daily”, se ai gjeti gëzim dhe perspektiva në mësimin e gjuhës.

“Duke qenë se mësoja gjuhën kineze, m’u dha mundësia të studioja në Kinë krejtësisht falas. Kur mbarova studimet e para, kalova një vit jashtë vendit dhe kur u ktheva, u punësova si përkthyes nga një sërë kompanish. Ndërsa, pas përfundimit të masterit, mora ofertën për të dhënë mësim në Institutin Konfuci në Universitetin e Cape Coast”, -tha ai.

Mësuesi i Institutit Konfuci tregoi se për shkak të sfidave financiare ai pati vështirësi gjatë arsimit të tij fillor dhe të mesëm dhe u bëri thirrje studentëve ganezë në institucionet terciare të shfrytëzonin mundësinë për të studiuar gjuhën kineze për shkak të perspektivës së saj.

“Dihet tashmë që shumë kompani në Ganë janë të orientuara drejt Kinës dhe, duke pasur njohuri të gjuhës kineze, është e lehtë të hysh në këto kompani. Ndaj, këshilloj që nëse jepet mundësia për të studiuar kinezishten, ajo duhet shfrytëzuar. Dhe duhet mësuar mirë”, -shtoi Adegah.

“Kur nisa fillimisht të mësoja gjuhën, ishte e vështirë, por ndërsa përparoja, kuptova se ka shumë kompani në Ganë që do të donin të punësonin ganezët që flasin kinezisht. Tani kam mundësinë të udhëtoj në Kinë dhe të vazhdoj studimet e mia atje”, -tha Belinda Koomson, studente në Universitetin e Cape Coast, e cila ka studiuar gjuhën dhe kulturën kineze për tre vitet e fundit deri në nivelin mesatar.

Studentja e vitit të fundit të universitetit theksoi me vendosjen e urave mes Ganës dhe Kinës, është bërë e nevojshme që ganezët të mësojnë gjuhën kineze.

“Kinezët kanë ardhur për të mësuar gjuhën tonë, kështu që është më mirë që ne të mësojmë gjuhën e tyre në mënyrë që të komunikojmë me ta dhe të punojmë në harmoni”, -tha Belinda.

Tang Hong, president i Shoqatës ganeze të Shoqërive Kineze dhe kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Ganë-Kinë, u bëri thirrje studentëve ganezë të studiojnë gjuhën kineze për shkak të dyerve të shumta që u hap njerëzve.

“Gjuha kineze është shumë e thellë dhe e bukur. Nëse e mësoni atë, ju krijon mundësinë të flisni me një ndër populljt më të mëdhenj në botë”, -tha Tang.

Ou Yamei, drejtuesi kinez i Institutit, tha se në Ganë janë zhvilluar një sërë kursesh, duke përfshirë artet marciale kineze, artizanatet, kaligrafinë, muzikën dhe kërcimet.

Sipas tij, Instituti, i themeluar në shkurt 2016, ka parë shumë vendas që kanë bërë një ndryshim në jetën e tyre pas studimit të gjuhës kineze.

“Ne do të përpiqemi të përmirësojmë mësimdhënien tonë dhe të ofrojmë mësime me cilësi të lartë për studentët tanë, për të përmbushur nevojat e tyre në rritje”, -përfundoi Ou.