Një dërrasë e zezë e dizenjuar artistikisht me shkrimin "Ni Hao", që në gjuhën kineze do të thotë "përshëndetje", mirëpret çdo mysafir në shtëpinë e Pierre Lavi në Jerusalem.
Pierre Lavi
Pranë saj, në një kabinet, është certifikata dhe trofeu që Lavi mori në vitin 2020, si një nga 15 fituesit e Çmimit të 14-të Special të Librit të Kinës.
Si botues izraelit, Lavi i është përkushtuar përkthimit të librave kinezë në hebraisht që nga viti 2016. Temat variojnë nga zhvillimi dhe politikat ekonomike të Kinës, deri te poezitë, romanet dhe tekstet akademike.
Lavi filloi të lexonte libra për Kinën që në rini, në vitet 1970, kur shkëmbimet kulturore midis Kinës dhe Izraelit ishin ende të pakta. Nëpërmjet librave, ai u magjeps gjithnjë e më shumë nga vendi oriental i zhytur në histori.
Pierre Lavi
Mungesa e librave mbi Kinën në hebraisht doli të ishte një katalizator për eksplorimin e tij profesional në moshën madhore. Pasi shkroi disa libra në vitet e tij të hershme, ai krijoi Shtëpinë Botuese Lavi në vitin 2019 për të zgjeruar dhe thelluar lidhjet e tij me Kinën në faqet e librave.
“Krijimi i lidhjeve me Kinën në këtë mënyrë ka përmbushur ëndrrën time të fëmijërisë”, -tha ai.
Tani, në fund të të 50-ave, Kina moderne që Lavi po dëshmon është krejtësisht ndryshe nga ajo që mësoi nga librat në moshë të re. Në vitin 2019, ai vizitoi Chengdu, kryeqendrën e provincës Sichuan në Kinën jugperëndimore, ku provoi hotpotin ekzotik dhe pa pandat e adhurueshme për herë të parë.
Përveç simboleve kulturore, Lavi tha se ishte më shumë i mahnitur nga infrastruktura moderne, shërbimet e përshtatshme publike dhe zhvillimi i shpejtë i shkencës dhe teknologjisë edhe në një qytet kinez pa dalje në det. Pikërisht atëherë botuesi izraelit kuptoi imperativin e vërtetë të promovimit të fuqishëm të mirëkuptimit të ndërsjellë midis dy popujve.
"Filozofia ime është se kultura, veçanërisht librat, është një urë e rëndësishme midis njerëzve. Ju mund të mos jeni në gjendje të flisni gjuhën e njëri-tjetrit ose të kuptoni kulturën e njëri-tjetrit, por leximi mund ta kapërcejë këtë hendek",- tha Lavi për “Xinhua”.
Përveç përkthimit të librave kinezë në hebraisht, Lavi është gjithashtu bashkautor i dy librave me vajzën e tij: “Shira kërkon një shkëmb nga Hëna” dhe “Shira dëshiron të fitojë çmimin Nobel”, që të dy janë botuar në kinezisht nga “Commercial Press” i Kinës.
Duke pasur parasysh distancën midis Kinës dhe Lindjes së Mesme, Lavi theksoi rëndësinë e veçantë të reduktimit të keqkuptimeve midis popujve nga të dyja palët. “Nuk mund ta njohim njëri-tjetrin në mënyrë perfekte, as nuk mund të jemi saktësisht të njëjtë, por mund të marrim shumë frymëzim duke lexuar mes rreshtave”, - tha ai.
Pierre Lavi
Duke këmbëngulur se ajo që ka arritur është ende larg të mjaftueshmes, izraeliti tha se pret të bashkëpunojë me më shumë partnerë kinezë dhe të mobilizojë përkthyes më të talentuar kinezo-hebraisht për të shtyrë përpara shkëmbimet kulturore.
Ai ka vënë në lëvizje planet e tij, duke lehtësuar ndërtimin e një biblioteke kulturore kineze dhe duke zhvilluar një program televiziv, në të cilin do të intervistojë shtetas izraelitë dhe do t'u kërkojë atyre të prezantojnë kulturën dhe turizmin izraelit për audiencën kineze.