Mimoza Ahmetaj ka lindur dhe është rritur në Tiranë, ndërsa në vitin 1991 ka shkuar në Austri ku edhe ka punuar në një firmë shtetërore vendase. Kjo firmë solli punimet për ujësjellësin në disa qytete të Shqipërisë, të cilat Mimoza i ndoqi vetë nga afër. Në vitin 2002 ajo u shpërngul drejt Gjermanisë, ku studio psikologjinë dhe social- pedagogjinë dhe aktualisht punon në një nga bashkitë e vendit.
Mimoza është pjesë e “Qendrës Kulturore për diasporën” në Shtutgart, ku jep ndihmesën e saj, duke punuar që të rinjtë të gjejnë një strehë por edhe për t’u kthyer në Shqipëri për të aplikuar dijet e tyre. “Nuk ka si vendlindja”, shprehet Mimoza për Radio Ejani, ndërsa aktualisht është duke punuar një dokumentar për trojet shqiptare, që do t’ju prezantohet shqiptarëve të Gjermanisë si një thirrje për të vizituar Shqipërinë dhe për ta pasur atë si një zgjedhje.
Mimoza Ahmetaj kujtime nga femijeria ( burimi facebook)
CMG: Shkronja “A” në jetën tuaj. Nga do ta nisnit rrëfimin mbi jetën?
Mimoza Ahmetaj: Së pari, unë jam shumë e lumtur ta tregoj historinë time. Fëmijëria ime, nëse unë do të mendoja mbrapsht do të kujtoja tani që ato vite kanë qënë shumë të bukura. Jam rritur në Tiranë, në rrugicat e pazarit të Tiranës. Kemi qënë ai brezi që u rrit jashtë, duke luajtur e duke e shijuar jetën. Ndërsa vitet kalojnë shoh që fëmijëria ka lënë tek fytyra i me një buzëqeshje të fortë. Kjo buzëqeshje çelet tek unë sapo ngacmoj kujtimet. Jam rritur në një familje të bukur e të ngrohtë.
CMG: Më pas, si e kujtoni veten si adoleshente?
Mimoza Ahmetaj: Në adoleshencë mori formë gjithçka. Në moshën 16- vjeç unë u dashurova, por fatkeqësia ishte që regjimi i asaj kohe u mundua të ma priste në mes bukurinë, sepse familjes së ish burrit tim iu desh të vuante internimin. Pas kësaj ishte familja ime ajo që insistoi të më fejonte tjetërkund. Por me natyrën që unë kisha nuk ja arritën dot. Paketova rrobat dhe u nisa edhe unë pranë ish burrit tim. Isha shumë rebele dhe ndaj e bëra atë veprim. Vendimin atëherë nuk e kuptoja, ndërsa sot që e shoh me logjikën e tanishme nuk e di nëse do ta bëja. Isha e dashuruar në atë kohë.
Mimoza Ahmetaj ne familje ( burimi facebook)
CMG: Si ju shihnin të tjerët pas këtij ndryshimi të jetës suaj në atë kohë?
Mimoza Ahmetaj: Filloi të më vinte keq sepse njerëzit më shihnin ndryshe e unë nuk isha mësuar të më shihnin ashtu. E kisha provuar që të më shihnin si çapkëne, por jo e bullizuar. Çdo gjë që bëje e shihnin gabim. Unë jam mësuar që ëdo gjë që bëj është e bukur. Ishim të deklasuar dhe nuk na afrohej asnjë njeri dhe kjo na bënte të ishim edhe më të mërzitur. Më pas vitet kaluan dhe u bëra nënë, lindi Aldo djali im i pare. Katër vite më pas regjimi ra dhe ishim më të qetë, u rikthyem në Tiranë.
Në vitin 1991 u largova nga Shqipëria sepse ndieja frikë, jo se nuk e doja vendin tim. Unë e dua shumë Shqipërinë por frika ishte tepër e madhe deri në ato momente. E kishim tmerrin në placë dhe kjo na bëri të linim në gjysmë jetën tonë. Me lot në sy ika nga Shqipëria sepse lashë këtu nënën dhe babain tim. Babai im përherë thotë “Unë në jetë kam ngrënë më shumë lot se bukë, sepse nuk e dija se çfarë po ndodhte me ty”.
CMG: Kur u larguat nga Shqipëria, e patët të vështirë të njihnit një botë të re?
Mimoza Ahmetaj: Ne e ndjemë që ishte një ndryshim dhe një botë tjetër. Bëra diçka që nuk më kishte shkuar kurrë mendja që mund t’ia dilja. Kur shkela në atë botë pashë diçka tjetër, çdo gjë më ndryshe. Synimi im kryesor ka qënë të mësoja gjuhën. Gjithnjë kam qënë tepër sociale . Në fillim isha në Austri atje përktheja e punoja , luftova tepër.
Mbaj mend që vajzës së zyrës i bleva një kuti për të mbajtur cigaret dhe një çakmak, më pa me habi sepse nuk i kishte bërë ndonjë shtetas tjetër dhuratë. Më tha që kjo ishte dhurata e parë që merrte në këto rrethana dhe me vështirësi e pranoi. Me këtë dua të tregoj dashurinë që kemi ne shqiptarët për njerëzit dhe sa shumë i vlerësojme. Unë më pas fillova punë dhe për këtë isha shumë e lumtur.
Punova në firmën austrikae SBL, me të cinën erdha në Shqipëri dhe ndihmova në ndërtimin e ujësjellseve të Tiranës, Laçit, Shkodrës dhe më pas në Sarandë e nderpreva si projekt, sepse pata probleme me familjen.
Mimoza Ahmetaj ne kurorezimin e saj ( burimi facebook)
CMG: Çfarë ndodhi në familjen tuaj?
Mimoza Ahmetaj: Erdhi divorci! U detyrova të kthehem andej. Marrëdhënia ime filloi të binte që me internimin sepse njerëzit kur kanë trysni e nxjerrin atë tek njerezit e tjerë dhe pa e ditur ai e shkarkoi tek unë dhe fëmijët. Erdhi momenti që gjërat u bënë të padurueshme.
U dobësua marrëdhënia, por mua Zoti në rrugë të jetës më solli një dashuri të re. Ai ka qënë shoku im i fëmijerisë dhe jemi njohur rastësisht. Kemi krijuar tani një familje shumë të bukur dhe shumë të shëndetshme. Ai është dashuria ime e jetës.
CMG: Si kanë qënë këto vite për ju?
Mimoza Ahmetaj: Si një film. Braktisa Austrinë dhe shkova në Shtutgart dhe aty nisa jetën nga e para. Me partnerin tim filluam një biznes për shitjen e makinave. Unë në atë kohë punoja përkthyese, kur shefi im më tha” Gjëja më e bukur që mund të bësh është të studiosh psikologji” dhe sot e ushtroj këtë profeison për të traumatizuarit e luftrave, nga vende të ndryshme.
CMG: Kur e ktheni vështrimin pas, a i thoni vetes “Të lumtë!” ? Cilat janë arritjet më të mëdha?
Mimoza Ahmetaj: Po. I them sepse kam luftuar shumë. Arritjet e mia më të mëdha janë familja ime, fëmijët e mi. Ata janë gjithçka që unë kam, shtysa ime dhe besimi im. Arritjet në profesion janë të mëdha sepse unë ika nga Shqipëria një vazjë pa përvojë dhe në Austri kapa majat. Unë jam mësuar që të rrëzohem, të më dhëmbë e të ngrihem prapë në këmbë.
CMG: Na rrëfeni pak sa e dashurar ndiheni aktualisht?
Qendra kulturore Shqiptare ne Sttutgart (burimi facebook)
Mimoza Ahmetaj: Zemra ime kishte mbetur në rrugë dhe e papërkrahur dhe kur njoha Kolin, ai e mori në dorë e përkedheli, pa lart tek unë jo poshtë. E ndjeva që ky njeri ishte ai që do më mbështese familjen. Unë dua të zgjohem me të, me aromën e tij. Ne jemi lidhur në 9 prill në vitin 2000 dhe bëjmë bashkë 22 vite, nga këto 12 vite martesë. Jemi martuar në datën 10.10.2010, në orën 10:10. Ishte lënë në orën 10.00, por unë erdha 10 minuta me vonesë. Fëmijët tanë donin që ne të martoheshim. Ne e kishim provuar njeherë martesën dhe nuk e mendonim më. E dinim që ishim të njëri- tjetrit dhe kjo mjaftonte. Një ditë në një udhëtim familjar me anije ai më dha të hapja një shije shampanje dhe brenda ishte unaza. Më pyeti nëse do doja të isha gruaja e tij dhe ky ishte momenti që s’do e harroj kurrë.
CMG: Cilat janë tiparet që shquan tek bashkëshorti?
Mimoza Ahmetaj: Ai ka një vesh të hapur gjithmonë për mua. Është një shok i mirë për mua. I thonë njerëzit “Si ja bën me Mozën!” dhe ai ju thotë “Ajo me mua është e butë”. Ka sy që më japin dritë. Ai më ka mbështetur në çdo hap që kam hedhur. Nëse s’do ishte ai në krahun tim kur zhvillova studimet, nuk do ja kisha dalë.
CMG: Me çfarë jeni duke u marrë aktualisht?
Mimoza Ahmetaj: Përveç profesionit që vërtet më merr kohë, kam shumë njerëz që janë të traumatizuar nga lufta. Kam mbi 7 vite punë dhe së fundmi më kanë ardhur dhe nga lufta e Ukrainës. Jam tepër e tensionuar me punën. Ne e vuajmë që nuk jemi në atdhe dhe krijuam në 5 maj të vitit 2015 “Qëndrën Kulturore Shqiptare” si shoqatë në Shtutgart, ku ka shqiptarë nga të gjitha trevat. Jemi intelektuale, të mbledhur për të dëgjuar të gjitha problemet që kanë ata dhe të ruajmë vlerat që kemi. Duam që fëmijët tanë të ruajnë gjuhën dhe zakonet shqipe.
Fëmijët tanë duhet ta mësojnë në shkollë gjuhën shqipe. Ne jemi të mirë, të brishtë sepse këtë kemi treguar. Nuk duhet të harrojmë që në Gjermani ka shumë shqiptarë. Gjuha dhe kënga duhet mbrojtur. Ne promovojmë shqiptarë e artistë që ja vlejnë. Ajo që ne kemi më shumë nevojë është një vëmendje më e madhe për t’u dëgjuar në vendin tonë.
Aktualisht ne po bëjmë një dokumentar nëpër Shqipëri, i cili titullohet “Të zbulojmë thesaret e Shqipërise”. Me anë të këtij dokumentari kemi dëshirë t’i tregojmë Gjermanisë që Shqipëria është e bukur.
Do kisha shumë dëshirë që edhe këtu në Shqipëri të kisha më shumë kontakte. Ambasadat janë të gjitha derëhapur, por duhet më tepër vemendje për ne.
Mimoza Ahmetaj në intervistë për CMG (CMG)
CMG: Cilat janë tre fjalët, që i përdorni më shpesh çdo ditë?
Mimoza Ahmetaj: Dashuri, respekt dhe atdhedashuri.