Ambasadori i Kines Zhou Ding me srudenten e gjuhes kineze ne Institutin Konfuci (Facebook)
Vitet e fundit në Shqipëri është vënë re një tendencë në rritje e fëmijëve dhe studentëve në mësimin e kinezishtes. Për ta kjo gjuhë është sa e bukur aq edhe sfiduese. Arsyet kryesore të mësimit të kinezishtes lidhen kryesisht me fuqinë ekonomike të Kinës dhe shikohet si mundësi punësimi për të ardhmen. Në një takim me disa nga nxënësit dhe studentët që mësojnë gjuhën kineze pranë Institutit Konfuci në Tiranë, mësuam mendimet e tyre rreth kësaj gjuhe, si dhe synimet që kanë pasi ta mësojnë kinezishten.
Nxenesit dhe studentet qe mesojne kinezishten ne Institutin Konfucu (Facebook)
Njëra nga studentet, e cila quhet Griselda studion në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës dhe ka nisur të mësojë gjuhën kineze para katër muajve. Ajo thotë se ka qenë kushërira e saj që ja ka sugjeruar për të mësuar kinezishten.
“Duke qenë se unë studioj në një degë të ekonomisë dhe Kina ka një impakt të madh në ekonomi zgjodha që ta studioja si gjuhë” shprehet ajo.
Griselda ka arritur në nivelin HSP 2 dhe di të formulojë biseda të përditshme. Gjithashtu ajo thotë se ka mësuar shumë nga historia dhe kultura kineze, dhe synon të vazhdojë masterin në Kinë për administrim biznesi.
Lamberti, nxenes qe meson gjuhen kineze (Foto personale)
Lamberti është një tjetër nxënës që mëson kinezishten në Institutin Konfuci ka pothuajse një vit e gjysmë që studion këtë gjuhë, duke arritur deri në nivelin e tretë.
“Ishte dëshira ime për ta mësuar gjuhën kineze dhe për ta njohur këtë kulturë të veçantë” shprehet ai.
Lamberti po e mëson këtë gjuhë për kulturë të përgjithshme dhe më vonë dëshiron të vizitojë Kinën.
Era Kalnaja ka nisur të mësojë gjuhën kineze shtatë muaj më parë. Ajo studion për informatikë ekonomike në vitin e tretë.
“Gjuha kineze është një gjuhë e kohës dhe Kina është gjithmonë në zhvillim e sipër. Duke parë shumë filma më lindi dëshira për të mësuar këtë gjuhë” thotë ajo.
Era ka mësuar dhe disa gjëra nga kultura kineze, por dëshiron të vazhdojë të mësojë më shumë për historinë dhe kulturën e Kinës dhe ka dëshirë që ta vizitojë Kinën në të ardhmen.
Për Henri Banushin, mësimi i kinezishtes ka qenë një nga eksperiencat e tij më të bukura.
“Kam dy vite që studioj gjuhën kineze dhe është një nga eksperiencat e mia më të veçanta. Vitin e ardhshëm kur dhe pandemia të largohet dhe kufijtë të hapen them se mund të shkoj në Kinë” shprehet Henri.
Henri Banushi nxenes i gjuhes kineze (Foto personale)
Ndërsa Serilda studion në vitin e dytë për master shkencor në degën e marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe ka afërsisht dy vite që studion gjuhën kineze.
“Interesimi im për kulturën aziatike, por edhe për shak të shkollës që dua të specializohem për studime aziatike nxiti dhe mësimin e gjuhës kineze. Deri tani kam qenë mjaft e interesuar dhe e kam ndjekur gjatë gjithë kohës” tha ajo.
Ansi, që në moshën 7 vjeçare ka nisur të mësojë kinezishten me ndihmën e mësuesit të saj.
“Mësuesi im Blendi më ka ndihmuar shumë dhe më ka nxitur që të arrij këtu ku jam dhe kur ta mësoj mirë gjuhën dëshiroj të shkoj në Kinë” thotë ajo.
Klea, nxenese e gjuhes kineze (Foto personale)
Alesia Ismailja studion në shkollën 9 vjeçare “7 Marsi”, dhe për të është viti i parë që mëson kinezishten me mësuesen kineze Beilei Li, e cila e ka emrin shqiptar Gonxhe.
Për Klean kjo është një gjuhë ndryshe nga gjuhët e tjera.
“Unë nisa të mësoj këtë gjuhë sepse isha kurioze që a është shumë e vështirë si gjuhë siç thonin njerëzit, por kur fillova ta mësoj vetë nuk ishte dhe aq e vështrë. Unë thjesht e zgjodha si gjuhë sepse më duket ndryshe nga gjuhët e tjera dhe që ta kem, por do kisha shumë dëshirë që të studioja në Kinë. Gjithashtu kam mësuar dhe shumë gjëra nga kultura kineze, dhe vjet me rastin e Vitit të Ri Kinez kemi zhvilluar disa aktivitete me mësuesen që kemi pasur”, tha Klea për mikrofonin e Radio Ejani.
Nxenese e gjuhes kineze (foto personale)
Një tjetër studente, e cila edhe shkruan libra dhe dëshiron që t’i përkthejë në kinezisht shprehet:
“Synimi im për të mësuar gjuhën kineze ka qenë sepse mua më pëlqen të shkruaj dhe kam shkruar një libër deri tani dhe kam dëshirë që t’i përkthej në gjuhën kineze. Mendoj se zhanri i literaturës të cilin kam shkruar librin dhe po shkruaj akoma shkon shumë me kinezishten dhe është një zhanër i literaturës kineze”.
Numri i studentëve në Institutin “Konfuci” të Tiranës është rritur nga disa dhjetëra në qindra, dhe mësimdhënia vazhdon të zgjerohet dhe thellohet. Nxënësit dhe studentët e Institutit “Konfuci” shprehën interesin e tyre të madh për kulturën kineze dhe shpresën që të mësojnë mirë gjuhën kineze dhe të shkojnë në Kinë për studime dhe shkëmbime të mëtejshme në të ardhmen.
Gazmend Agaj