Foto:VCG

Foto:VCG

Ndërsa Austria është quajtur gjerësisht si "vendi i muzikës" në Kinë, kultura e saj unike e verërave ka mbetur pak e njohur në vendin aziatik. Kjo me siguri do të ndryshojë pasi më shumë prodhues austriakë të verës po përpiqen të shfrytëzojnë tregun kinez, me rritjen e konsumatorëve të sofistikuar të verës.

Wolfgang Hamm, drejtor menaxhues i “Klosterneuburg Abbey” në periferi të Vjenës, i tha “Xinhua”-s se kantina e tij eksportoi më shumë se 10 për qind të prodhimit të saj vjetor në Kinë në dy vitet e fundit, pavarësisht ndikimit të pandemisë Covid 19.

Vera austriake është një pije e njohur për aromën dhe varietetet e shumta, përfshirë varietetin e famshëm lokal Gruner Veltliner.

Megjithatë, Austria ka qenë prej kohësh një vend më pak i njohur për prodhimin e verës në Kinë sesa eksportuesit kryesorë të verës, si Franca dhe Australia, kryesisht për shkak të prodhimit të saj më të ulët dhe çmimeve më të larta të produkteve.

"Ne po synojmë për një treg të veçantë në Kinë, për njerëzit në qytetet e mëdha që pëlqejnë ushqimin dhe verën",- tha ai. "Ne kemi marrë reagime nga klientët kinezë se verërat tona shkojnë shumë mirë me kuzhinën kineze", - tha Hamm.
Hamm shtoi se ai mori pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës 2019 në metropolin kinez të Shangait dhe vendosi kontakte të mira me partnerët e biznesit kinez.
Kantina e verës “Klosterneuburg Abbey” është tregues i rritjes së vazhdueshme të eksporteve të verës austriake në Kinë në vitet e fundit, falë lidhjeve më të ngushta midis dy vendeve dhe rritjes së kulturës së verës në Kinë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Sipas Bordit Austriak të Marketingut të Verës, të ardhurat nga eksportet e verërave të Austrisë në Kinë arritën në 2.19 milionë euro (rreth 2.37 milionë dollarë amerikanë) në vitin 2021, duke u rritur me 77.9 për qind nga viti i kaluar.
Edhe pse Kina përbënte vetëm 1 për qind të eksporteve totale të verërave të Austrisë vitin e kaluar, ajo ishte tregu më i madh i eksportit për verërat austriake jashtë Evropës dhe Amerikës së Veriut dhe është, sipas Bordit të Marketingut, një treg premtues për të ardhmen.
"Harta potenciale e eksportit, Austri" e Qendrës Tregtare Ndërkombëtare, një agjenci e përbashkët e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe Kombeve të Bashkuara, gjithashtu identifikon Kinën si tregun me potencialin më të madh për eksportet e verës austriake, duke thënë se ka hapësirë për të realizuar eksporte shtesë me vlerë 21 milionë dollarë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Johannes Schmuckenschlager, president i Shoqatës Austriake të Prodhuesve të Verës dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Austrisë, i tha “Xinhua”-s se është optimist që verërat austriake të zgjerojnë më tej gjurmën e tyre në tregun shumë konkurrues kinez.
Schmuckenschlager tha se shumë klientë kinezë kanë zbuluar verëra austriake, të cilat janë pritur jashtëzakonisht mirë nga tregjet e veçanta të Kinës, si industria e gastronomisë.
Ai shtoi se prodhuesit austriakë të verës kishin marrë pjesë në panaire tregtare në Kinë për të zgjeruar ndikimin e tyre në tregun kinez.
"Verërat austriake kanë një potencial të madh në Kinë",- tha ai. "Shpresoj se do të kemi më shumë prezencë në tregun kinez në vitet e ardhshme dhe do të rrisim eksportet tona atje".