Foto: VCG
Nëse dëshironi të hyni në Hapësirë për të përmbushur detyrën, çfarë aftësie duhet të keni?
Dhunti dhe përgatitje të veçantë fizike, përshtatshmëri e shkëlqyer me mjedisin e Hapësirës, njohuri shkencore, cilësi e shkëlqyer psikologjike... Por përveç këtyre, astronautët përmendin edhe një cilësi befasuese: “pritjen e gjatë”.
Jing Haipeng dhe Liu Wang (Foto: VCG)
Liu Wang, astronauti i anijes kozmike Shenzhou 9, priti 14 vite deri sa më në fund hyri në Hapësirë, duke përfunduar me sukses misionin për lidhjen e anijes kozmike me laboratorin hapësinor Tiangong1.
Zhang Xiaoguang (Foto: VCG)
Astronauti Zhang Xiaoguang kishte “udhëtuar” 15 vite nga betimi para flamurit kombëtar deri tek ëndrra e realizuar e fluturimit në Hapësirë. Gjatë misionit Shenzhou 10, ai “shkëmbeu” 15 vjet këmbëngulje me 15 ditë fluturim në Hapësirë, duke përfunduar me sukses fluturimin e parë hapësinor të Kinës.
Jing Haipeng, astronauti që ka hyrë tre herë në Hapësirë, por pas dhjetë vitesh pritjeje.
"Çdo astronaut ka një dëshirë të jashtëzakonshme për të fluturuar dhe është i kualifikuar për të kryer diçka të tillë, pas një vlerësimi të rreptë dhe të gjithanshëm. Për shkak të numrit të kufizuar të misioneve dhe numrit të kandidatëve që fluturojnë, është e pamundur që të gjithë ta kenë mundësinë për të shkuar në qiell. Astronautët kryesorë dhe ata rezervë përcaktohen nga vlerësimi dhe renditja", tha Huang Weifen, Zëvendës Shefe Projektuese e sistemit të astronautëve në projektin e Fluturimit Njerëzor në Hapësirë.
Për astronautët vlerësimi dhe renditja janë mjaft rigoroze. Ka një ndryshim shumë të vogël mes vendeve të para dhe të fundit, ndërsa kualifikimi me skualifikimin, ndahen vetëm nga një ose dy pikë.
Për të përmirësuar performancën e tyre, astronautët bëjnë përpjekje të paimagjinueshme. Stërvitja me intensitet të lartë kapërcen edhe limitet e tyre fizike, madje ndonjëherë ata janë aq të lodhur, sa “harrojnë” edhe të ushqehen. Studimi sistematik dhe i gjithanshëm i teorisë dhe teknologjisë profesionale vë në provë të gjithë aftësitë dhe vullnetin e tyre. Për të përvetësuar sa më shpejt gjithçka nga njohuritë që u nevojiten, atyre rrallë u bie të pushojnë para mesnatës.
Zgjidhja e kudogjendur, vlerësimi në çdo kohë dhe kudo, studimi dhe trajnimi afatgjatë, përbëjnë jetën normale të astronautëve. Kur nisi stërvitjen për fluturim në vitin 2010, Liu Yang, astronautja e parë kineze që hyri me sukses në Hapësirë, porosinë më të zakonshme që mori nga astronautët më të vjetër, ishte: "Duhet të durosh vetminë".
Liu Yang (Foto: VCG)
Pas disa vitesh Liu Yang i kuptoi fjalët e grupit të parë të astronautëve, sepse në fakt vetmia është jeta normale e tyre. Duhet të bashkëjetosh me vetminë për të qenë mes atyre që do përzgjidhen për të fluturuar në Hapësirë.
“Jam e lumtur për astronautët e përzgjedhur, por njëherazi më vjen keq për ata që bënë të njëjtat përpjekje dhe humbën”, tha Huang Weifen, Zëvendës Shefja Projektuese e sistemit të astronautëve në projektin e Fluturimit Njerëzor në Hapësirë.
Deng Qingming (Foto: VCG)
Por pa dyshim, këmbëngulja dhe pritja më e gjatë, i përket astronautit Deng Qingming.
Ai nuk njihet nga publiku i gjërë, pasi ai nuk ka pasur kurrë fatin për të fluturuar në Hapësirë. Që kur iu bashkua ekipit të astronautëve në vitin 1998, Deng Qingming, kishte punuar për më shumë se 20 vite për të realizuar ëndrrën e tij. Ai ishte në listat e kandidatëve të astronautëve për anijet kozmike Shenzhou 9, 10 dhe 11, por asnjëherë nuk mundi të fluturonte në Hapësirë.
"Në një projekt dhe ëndërr kaq të madhe, nderi dhe turpi i individit janë të parëndësishme. Ne të gjithë punojmë së bashku për të përfunduar me sukses detyrën, e cila është më e rëndësishmja dhe më e nderuara." - tha Deng Qingming.
Të 14 astronautët e grupit të parë kinez i kishin të gjitha aftësitë për të shkuar në Hapësirë, por për shkak të detyrave specifike dhe kushteve të kufizuara, jo të gjithë patën mundësinë të shkonin në “parajsën” që quhet Hapësirë.
Në janar të vitit 2014, eprorët kishin vendosur për të pezulluar fluturimet si dhe trajnimin për pesë astronautë, duke përfshirë Li Qinglong, Wu Jie, Chen Quan, Pan Zhanchun dhe Zhao Chuandong. Tashmë, për shkak të moshës së tyre, ata nuk e kanë më mundësinë të fluturojnë në Hapësirë. Në 16 vitet e fundit ata ishin rrëzuar dhe ringritur shumë herë, duke i kushtuar kësaj ëndrre vitet më të çmuara të jetës së tyre, por pa rreshtur asnjëherë përgatitjet.
Megjithatë edhe kjo pritje e tyre është e mrekullueshme, sikurse anijet kozmike kineze, duke shkruar kështu së bashku, historinë e bukur hapësinore të këtij vendi të madh. Edhe ata janë padyshim heronjtë kozmikë të Kinës. (Çang Çuo)