Dardane Kastrati gazetare ne Radio Peja (burimi facebook)

Dardane Kastrati gazetare ne Radio Peja (burimi facebook)

Dardane Kastrati ka lindur në qytetin e Pejës në Kosovë dhe prej 11 vitesh punon si gazetare në Radio Peja. Në profesion është magjistre e shkencave juridike dhe në të ardhmen synon të bëhet juriste.Dardania është një vajzë optimiste, e shpallur së fundmi “Ambasadore e Paqes”, nga Federata Universale e Paqes

CMG: Mendimi i parë që ju vjen në mend kur i pëshpërsni vetes “Kush jam unë”?

Dardane Kastrati: Përballë të vërtetave dhe vetes çdo herë e gjej veten duke thënë të vërtetën. Kjo për mua është shumë e rëndësishme. Jam shumë reflektuese mbi atë që jam në ekzistencë. Nëse do ndalesha tek reflektimi më i thellë është fakti që “Jeta, përkundër çdo problem, është e bukur”.

Ne çdo ditë kemi një mundësi të re, e cila na fton të vazhdojmë dhe të mos ndalemi përballë problemeve që mund të kemi.


Dardane Kastrati gazetare ne Radio Peja (burimi facebook)

Dardane Kastrati gazetare ne Radio Peja (burimi facebook)

CMG: Si kanë qënë ngjyrat e fëmijërisë suaj?

Dardane Kastrati: Jam rritur në një familje që i ka ofruar të gjitha ngjyrat që një fëmijë ka nevojë të ketë dhe dy kryesoret janë përkrahje dhe dashuri.

CMG: Cilat janë 3 fjalet më të shtrenjta për ty?

Dardane Kastrati: Të dua, Faleminderit dhe Më fal!

CMG: A ke mjaftushëm besim në vete dhe atë që je?

Dardane Kastrati: Unë njihem si një njeri që kam shumë besim në vete dhe që kurrë nuk dorëzohem. Të jesh e fortë emocionalisht dhe të besosh në vete është një arritje e madhe për mendimin tim. Këtu kanë ndikuar rrethanat në të cilat unë jam rritur. Besimin në vete e marrim nga familja, prindërit që në vazhdimësi na kanë bërë të bësojmë që ne “mundemi” në çdo kohë t’ia dalim. Pra, besimin unë fillimisht e kam marrë nga familja e më pas falë punës dhe angazhimit që kam pasur në jetë, u rrit.

CMG: Kujt i qesheni çdo ditë?

Dardane Kastrati: Unë çdo ditë i qeshem jetës. E mbush veten me energjinë e duhur, duke e bindur që kjo ditë është një ditë e mirë dhe që duhet jetuar padiskutim.

Kam disa objektiva të ditës dhe atyre ju qeshem e punoj për t’i arritur. Çdo ditë e re është një mundësi e rë për të gjithë.


Dardane Kastrati gazetare ne Radio Peja (burimi facebook)

Dardane Kastrati gazetare ne Radio Peja (burimi facebook)

CMG: Parimet, për të cilat nuk e konceptoni të bëni kompromis?

Dardane Kastrati: Parimet janë të miat dhe kurrë nuk bëj kompromis. Ata që më njohin e dinë që këto parime lidhen me jetën time personale. Për disa mund të duken qesharake, por nuk lejoj askënd të ndërhyjë në jetën time personale dhe këtë bindje apo parim nuk e ndërroj për askënd.

CMG: Sa i rëndësishëm është profesioni në jetën tuaj?

Dardane Kastrati: Shumë. Fakti që unë kam tashmë shumë vite që merrem me punë, më ka bërë që të kem një zgjerim të mundësive. Pra nga ajo që unë i dhashë këtij profesioni në fillim, tani shoh që dyert janë të hapura kudo që trokas, profesioni ka filluar të më japë mua.

CMG: Sa kohë gjeni për librin?

Dardane Kastrati:Kur jemi tek libri unë kam shumë dëshirë për të lexuar, por nuk kam shumë kohë të lirë. Unë vijoj studimet për jurist dhe jam në përgatitje te provimit të jurisprudences, por kur kam kohë të lirë e gjej veten në rreshtat e librave psikologjikë, sepse më pëlqejnë shumë.

CMG: Sa kanë ndikuar momentet e vështira për të të bërë më të fortë?

Dardane Kastrati:Jeta jonë është e mbushur me ngjarje dhe përjetime, të cilat ndikojnë tek ne. Unë zgjedh që gjërat t’i lë të ecin dhe të mos ju kthehem. Është e qartë që do të kemi momente të vështira në jetë, por e rëndësishme është t’i harrojmë dhe ato të na ndihmojnë të bëhemi më të fortë dhe jo më të dobët.

CMG: Cili është vakti më i shijshëm që konsumoni dhe që nuk do ta ndryshonit me asgjë tjetër në këtë moment?

Dardane Kastrati: Të shtroj vaktin me familjen dhe shoqerinë e zemrës. Vakti është familje!

CMG: Qyteti që ju ka vjedhur zemrën?

Dardane Kastrati: Absolutisht Peja!

CMG:Unë jam kjo që jam sepse…

Dardane Kastrati: Unë jam kjo që jam sepse, çdo herë kam besuar në vete.

Unë jam kjo që jam sepse, pas çdo rrëzimi jam ngritur më fuqishëm, kam vendosur që të fal persona që në disa raste nuk e kanë merituar faljen time. Jam kjo sepse unë jam rrethuar me njerëz që bëjnë të ndihem mirë dhe ata më duan dhe i dua.


Dardane Kastrati Ambasadore e Paqes (burimi facebook)

Dardane Kastrati Ambasadore e Paqes (burimi facebook)

CMG: Çfarë ju ka mesuar e kaluara dhe e tashmja? Çfarë ju kuriozon në të ardhmen?

Dardane Kastrati: E kaluara na ka shërbyer si mësim, të tashmen duhet ta jetojmë dhe e ardhmja është objektiv për të punuar, për ta pasur më të bukur, por jo për të na shqetësuar se si do të jetë.

CMG: Në sytë e mi kanë vend?

Dardane Kastrati: Njerëzit e mi dhe ndodhitë e bukura.

CMG: Cila është përpjekja më e zakonshme e juaja, që nuk keni frikë se mos dështoni?

Dardane Kastrati: Njerëzit duhet t’i ndërmarrin hapat, të nisen dhe jo të mendojnë dështimin. Aktualisht unë jam përballë një provimi të rëndësishëm, ndaj nuk do të humbisja kohë për të menduar një dështim të mundshëm.

CMG: Këshilla më e mirë për veten?

Dardane Kastrati: Të jem e lumtur. Është shumë e rëndësishme të jemi të lumtur. Lumturia nuk varet nga statusi, puna apo paraja. Ajo vjen nga brendia jonë dhe mënyra se si ndihemi, sa të pastër e kemi ndërgjegjen dhe sa punojmë për të tjerët. Lumturia jonë jemi vetë ne.

CMG: Ju jeni pjesë e Radio Pejës që prej…

Dardane Kastrati: Unë jam rritur në Radio Peja dhe jam e lumtur, sepse jam aty që prej gjimnazit. Kemi një staf të mirë dhe ambient të bukur. Nuk dua të ndalem tek një moment i veçantë sepse do zbeh gjithë të tjerët por të gjitha momentet bashkë bëjnë një kohë të bukur, shumë të gjatë, gati 11-vjeçare në Radio Peja.

CMG: Cilat janë personat kyç në jetën tuaj?

Dardane Kastrati: Mbështetja e madhe i takon stafit, por mbi të gjitha drejtorit të kësaj radioje, zotit Xhavit Husaj, i cili u tregua bashkëpunues dhe derën e hapi për mua që në moshë të hershme. Mbi të gjitha dua të falenderoj miq dhe familjarë, që kanë besuar tek unë. Çdo nisje është e vështirë, por ata kanë besuar që unë do t’ia dal.

CMG: Disa arsye pse duhet ta vizitojmë Pejën?

Dardane Kastrati: Sepse nuk mund të lesh pa vizituar Bjeshkët e Rugovës, njerëzit e mirë dhe traditat e këtij vendi. Në Pejë gjithçka është e bukur, kultura njihet deri jashtë trojeve. Çdo njeri që do të vijë në Pejë do të gjejë ngrohtësi.

Intervistoi: Megi Latifi