Rolando Lekaj (rolandolekaj.com)
Rolando Lekaj është një model dhe sipërmarrës shqiptar jeton prej më shumë se 10 vitesh në Shangai të Kinës. Në fillim ai ka punuar si model dhe aktualisht drejton sëbashku me bashkëshorten bizneset e tij me mbi 3000 punëtorë. Rolando është i martuar me Tereza Lekaj, sipërmarrëse e famshme nga Kina, të njohur në botë për sipërmarrjet në fushën e bukurisë, spitale dhe klinika ku kryen operacione plastike. Për Radio Ejani, Rolando tregon rreth fillimeve të jetës së tij në Kinë dhe suksesin në biznes.
“Unë në Kinë kam ardhur në vitin 2008. Nga ky vit e deri jam në Kinë, që i bie gati rreth 12-13 vjet sepse një pjesë kam qenë në Shqipëri dhe kam lëvizur nëpër botë, si në Amerikë, Angli, Dubai me takimet e punës. Momentin e parë kur kam ardhur në Kinë si model kam qenë në një kompani shqiptaro-kineze. Gjatë asaj kohe, në vitin 2008 kam qëndruar tre muaj në Kinë dhe pastaj u ktheva në Shqipëri, për t’u rikthyer pas tre muajsh. Kështu vazhdoi pastaj çdo gjë në rrugën e modelingut. Më pas në vitin 2014 u njoha me bashkëshorten time, që punon në fushën e kirurgjisë plastike. Ajo ka një rrjet spitalesh në të gjithë Kinën dhe pastaj kam vazhduar me menaxhimin e kompanisë bashkë me bashkëshorten. Gjithashtu kisha dhe kompaninë time të modës me rreth 300 model që punonin për mua në të gjithë Kinën.”shprehet Lekaj.
Rolando Lekaj me bashkëshorten (rolandolekaj.com)
Veç biznesit që drejton së bashku me bashkëshorten sipërmarrëse, Lekaj na tregon edhe për aktivitetin ekonomik që e lidh me Shqipërinë. Ai shpreh edhe shqetësimin për situatën e krijuar për shkak të pandemisë, e cila ka ndikuar në stepjen e investitorëve në drejtim të Shqipërisë.
“Aktualisht operoj në fushën e kirurgjisë plastike bashkë me bashkëshorten. Fusha tjetër që është eksport- import. Aty ndihmoj pak vëllain tim sepse është kompania që ka hapur vëllai, por gjithmonë jam pjesë me të. Që nga vitet 2019-2020 jam dhe këshilltar ekonomik pranë Ambasadës shqiptare në Pekin, ku merrem me gjetjen e investitorëve të huaj nga Kina për në Shqipëri, investitorë strategjikë. Fatkeqësisht për arsye të virusit gjatë këtyre dy viteve nuk ka qenë e mundur të kemi investitorë strategjikë nga Kina, por shpresojmë që me kalimin e virusit të bëjmë diçka të bukur, sepse Shqipëria është realisht e bukur dhe unë e dua shumë, e adhuroj. Dhe pse në moshë të re jam larguar nga Shqipëria, jam larguar prej hallit dhe çdo ditë zemra dhe mendja ime është tek Shqipëria.”shprehet Lekaj.
Edhe pse atje ka një jetë të mbushur me plot dashuri, famë e sukses sërish mëndja e Rolandit është në Shipëri.
“ Po pres me padurim që një ditë sa më shpejt të kthehem dhe të jetoj në Shqipëri bashkë me familjen time, sepse realisht e dua Shqipërinë dhe kam dëshirë që të kem një biznes timin familjar, që të jetë dhe një investim strategjik në Shqipëri, që të kem mundësi të punësoj sa më shumë shqiptarë te ky biznes. Me kalimin e kohës shpresoj që të bëhet e mundur”, thotë ai.
Rolando Lekaj me bashkëshorten (zeroMedia)
Teksa ndodhet vetë në Kinë, Rolando ka edhe një mesazh për të rinjtë shqiptarë.
“Përsa i përket një mesazhi për të rinjtë shqiptar, që më del nga zemra sesa ta them thjesht me fjalë, rrini punoni sa më shumë në Shqipëri sepse Shqipëria është një vend që i ka të gjitha bukuritë e Zotit, një vend që shumë vende të botës e kanë lakmi. Pavarësisht se shumë thonë që në Shqipëri nuk bëhet jetë, nuk ka të ardhura, me thënë të drejtën në një farë pike jam paksa i penduar që jam larguar nga Shqipëria. Normal jam largu për një jetë më të mirë, por unë mendoj që edhe në Shqipëri bëhet jeta e mirë, bëhet jeta e bukur aq më tepër që i ke të gjithë njerëzit rreth e rrotull teje”, thotë Rolando Lekaj.
Rolando Lekaj me familjen
Në rrëfimin e tij ai shpreh mall për vendlindjen dhe të afërmit.
“Sepse kemi një jetë dhe duhet ta shijojmë sa më shumë me familjën, me babin, me nënën, me vëllain, me motrën, se ditët edhe vitet kalojnë shumë shpejt dhe nuk ka rëndësi në pikpamjen time, sa i pasur je. Nuk blen dot kohën dhe shumë gjëra që koha t’i jep dhe t’i fal siç janë dashuria për familjen, gëzimet që mund të marrësh nga afrimiteti i familjes. Dhe dicka tjetër, do ju thoja të rinjve mos i shikoni ata njerëz që bëjnë lekun në rrugë jo të pastër si ideale të jetës suaj, sepse ata që bëjnë lekë jo me pastërti dhe e bëjnë lekun shumë shpejt nuk është se e gëzojnë, kështu që uroj që të mos keni modele të tilla në jetë, por të keni modele të njerëzve që jetojnë dhe punojnë me djersën e ballit. Kështu do të keni një jetë tepër të qetë, normale, të gjatë dhe të lumtur”, shprehet Rolando.
Para se të hapte kompaninë e tij, në jetën e modelingut në Kinë, Rolando thotë se ka qënë ndër modelët më të paguar dhe më me emer. Ai flet për kënaqësinë që merr në punën që bën me biznesin që drejton më bashkëshorten në drejtim të operacioneve plastike.
“E adhuroj biznesin sepse i ndryshon jetën njërëzve, i bën të ndjehen mirë. Njerëzit janë më të lumtur dhe më të fortë për të ecur përpara. Marrim shumë gëzim nga klientët, që pasi bëjnë ndërhyrje ju ndryshon jeta për mirë. “ thotë sipërmarrësi Lekaj.