Nensi Xhani në intervistë për CMG
Nensi Xhani është një e re shqiptare që ka kryer studimet në fushën e Menaxhimit dhe Auditit Financiar dhe aktualisht ndjek studimet e doktoraturës në Shkollën Doktorale të Shkencave Ekonomike, në Universitetin rumun të Craiova-s, Rumani. Ajo ka marrë pjesë në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe është autore e disa artikujve shkencorë kryesisht në fushën e auditit të brendshëm dhe të jashtëm. Në përditshmërinë e Nensit një vend të veçantë zë dhe qenushi i saj Floki, një pastor gjerman, që në prill mbush 2 vjeç. Lidhja e tyre është e bukur dhe për këtë Nensi na flet me dashuri.
CMG: Nensi kush është Floki?
Nensi Xhani: Floki është një qen pastor gjerman, për të cilin unë kujdesem. E kam marrë atë në familjen time gjatë periudhës së pandemisë dhe vijoj ende të kujdesem për të.
CMG: Në cilin qytet do ta rrisësh?
Nensi Xhani: Unë e kam marrë Flokin gjatë periudhës që kam qëndruar në Përmet, pasi aty isha vendosur përkohësisht. Floki mbeti në Tiranë sepse e solla për t’i bërë vaksinat. Mami im nuk ishte dakord për ta marrë Flokin në Tiranë, por unë insistova.
CMG: A u përshtat Floki me Tiranën, apo Tirana me Flokin?
Nensi Xhani: Ne e kemi pasur shumë të vështirë menaxhimin e tij sepse ka qënë tjetër qen nga çfarë shihni tani. Shumë herë ishte shumë problematik dhe e kemi pasur të vështirë të na pranonin kudo ku shkonim, ndaj kemi qënë në siklet për ta sjellë në gjëndjen e qetë dhe e kemi parë si sfidë rritjen e tij.
CMG: Cilat janë vendet që nuk ju kanë pranuar me të?
Nensi Xhani: Kudo.. Dera mbyllej kudo. Në kopshte, çerdhe dhe kudo tjetër unë e kam pasur shumë të vështirë të rris Flokin dhe të ma pranojnë të tjerët.
CMG: Por ju kryet një trajnim për të apo jo?
Nensi Xhani: Po. Unë kreva një trajnim ku i mësova Flokit sjelljen e duhur në publik dhe jo vetëm. Trajnimi i shërbeu për t’u bërë më miqësor dhe i pranueshëm në shoqëri. Tani mund të dal lehtësisht me të pa pasur frikën që dikush do të më thotë nuk lejohet të hysh me Flokin. Gjatë këtij trajnimi ne kryenim dhe fundjava me kafshët për të parë si do të sillen në shoqërinë e njëri- tjetrit.
CMG: Ju ushtroni një profesion larg kujdestarisë së kafshëve. Si ka lindur dëshira për të mbajtur kafshë?
Nensi Xhani: Unë qëkurse kam qënë e vogël jam shoqëruar me një mike të afërt, e cila sapo shihte një kafshë gëzohej dhe kujdesej për çdo kafshë. Kështu edhe unë arrita ta bind veten që kafshët ta zbukurojnë jetën. Pastaj kur nisa studimet jashtë vendit u zhvendosa tek shoqja ime, e cila gjithashtu kujdesej për një pastor gjerman. Mund të them që aty ka nisur pasioni për të mbajtur një kafshë në shtëpinë time . Gjithçka nisi në Rumani.
Nensi dhe Floki ( Facebook)
CMG:Nensi a mund ta përfundosh fjalinë, më kujtohet kur…
Nensi Xhani: Më kujtohet kur isha ende fëmijë dhe ne kishim një biznes të ngrohtë familjar, një restorant. Babai im, si një gjuetar i mirë kishte kapur një shqiponjë, e cila kishte këmbën e thyer, por ai e solli në restorant. Ne u kujdesëm për të derisa u shërua dhe më pas e lëshuam, por ishtë një moment shumë i bukur për mua dhe familjen time.
CMG: Ku qëndron Floki kur ju jeni në punë?
Nensi Xhani: Floki kur ishte ende pa kryer trajnimin na ka lodhur për t’u kujdesur. Ai duhet të ikte tek prindërit e mi për të qëndruar aty sepse as kopshtet dhe as hotelet nuk e mbanin. Por pasi kreu trajnimin ai qëndron në kopësht dhe për të kujdeset dikush, luan me kafshë të tjera, argëtohet , harxhon energji dhe merr edhe përvoja të reja.
CMG: Si ndiheni që Floki ka ndryshuar kaq shumë?
Nensi Xhani: Sot ndihem shumë e qetë sepse Floki ka ndryshuar.
Dikur isha shumë e stresuar kur ai krijonte probleme në publik, por e kam kuptuar që gabim kam qënë unë në fakt. Unë duhet të reflektoja tek ai një tjetër sjellje që edhe ai të ndryshonte.
CMG: Emrin “Floki” kush ja ka vënë dhe pse?
Nensi Xhani: Emrin ja ka vënë vëllai im. Ai e ka huazuar nga seriali “Vikingët”. Flokit i përshtatet me tipin, siç është edhe në serial njëherë mirë dhe njëherë keq me humorin.
CMG: E ke pasur të vështirë të ushqyerit e Flokit?
Nensi Xhani: Po shumë. Floki ka pasur shumë naze . E vetmja gjë që ai ha pa bërë naze është një kokërr koncentrat me mish qingji.
Qenushi Floki (Facebook)
CMG: E merr me vete në udhëtime?
Nensi Xhani: Po, kudo dhe nuk të bezdis. Ai ka botën e vet dhe e vetmja gjë që do është të mos i preket rutina e tij. Përshembull, aty ku ne vendosim duart në ndenjeset e makinës, ai kërkon të vendosë këmbët dhe ne përpiqemi që Flokit mos t’ia prishim rutinën.
CMG: A po mendon që të marrësh një tjetër kafshë në shtëpi?
Nensi Xhani: Po! Floki aktualisht po shkon shumë mirë me qenushët e tjerë dhe mund të marr në shtëpi një shoqe për Flokin.
CMG: Për çfarë e vlerëson më tepër faktin që keni Flokin në jetën tuaj?
Nensi Xhani: Sepse më motivon. Roli i një kafshe është ta duash. Këta kurrë nuk mund t’i zëvëndësojnë ndjenjat e tjetërkujt, por kanë rëndësi në jetët tona. Nuk them që jam 100 për qind e dhënë, sepse unë shoh më tepër jetën time dhe nuk hyj ne atë kategorinë që harroj veten time për Flokin. Por e shoh si një dicka që më motvion, më shtyn për të bërë gjëra të bukura dhe nuk më pengon. Unë aktualisht vijoj doktoraturën dhe Floki nuk më ka penguar aspak.Madje unë kur e kam prane meditoj!
Intervistoi: Megi Latifi