---- Intervistë me Zhai Ziqi, një vullnetare e Olimpiadës Dimërore të Pekinit që ndihmoi delegacionin shqiptar

Zhai Ziqi në punë

Zhai Ziqi në punë

Zhai Ziqi, një studente në vitin e 3-të të degës së anglishtes dhe të studimeve ndërkombëtare të Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit, ka pasion për vullnetarizmin. Ajo shpreson që të shkëlqejë në punën vullnetare dhe të jetë një njeri i dobishëm për shoqërinë. Me aftësitë e saj të shkëlqyera në anglishte, ajo arriti të bëhej vullnetare për delegacionet e Lojërave Olimpike Dimërore. Ajo i shërbeu delegacionit indian, por sot t’ju flasim për lidhjen e saj me delegacionin shqiptar.

Zhai Ziqi

Zhai Ziqi

Zhai Ziqi ende është e gëzuar kur kujton përvojën e saj. Ajo tregon: “Mbrëmjen e datës 1 shkurt, ishte gati ora dhjetë e mbrëmjes, kur pasi ndihmova delegacionin indian të regjistrohej, rrugës për te ashensori takova Kliton Muçën, kreun e delegacionit shqiptar të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit. Ai po ecte dhe shikonte përreth para derës së godinës. E pyeta nëse kishte nevojë për ndihmë. Kliton Muça më tregoi se një anëtar i delegacionit shqiptar sapo kishte mbërritur atë mbrëmje në fshatin olimpik, por, për shkak se nuk kishte dalë ende raporti i testit të acidit nukleik, ai duhej të priste rezultatin në dhomë, pastaj mund të dilte nga godina. Ai nuk kishte ngrënë ende darkë, dhe Klitoni dëshironte të dinte se si do t'u sillej ushqimi anëtarëve të ekipit në banesë. Në atë kohë nuk kishte shumë punonjës shërbimi brenda asaj godine dhe ai nuk dinte si të bënte. Menjëherë kontaktova me përgjegjësin e godinës së tij në telefon. I raportova atij fillimisht situatën specifike të delegacionit shqiptar në gjuhën kineze dhe më pas i shpjegova në anglisht Klitonit mënyrën e zgjidhjes nga përgjegjësi i godinës. Kështu bëra një “trajnim përkthimi” aty për aty. Njëkohësisht, u ndjeva shumë e kënaqur që munda të ndihmoja.”

dy distinktivë të Shqipërisë

Përgjegjësi i godinës e ndihmoi Klitonin të zgjidhte problemin e ushqimit, dhe Klitoni buzëqeshi i gëzuar. Ai nxori nga xhepi dy distinktivë të Shqipërisë dhe i tha Zhai-t: "Ti e flet shumë mirë anglishten. Ti meriton dy!" Zhai i tha Klitonit që, nëse do të kishte nevojë për ndihmë në të ardhmen, vetëm ta merrte në telefon. Që atëherë, ata u bënë miq!

Në këtë mënyrë, Zhai zuri një mik shqiptar. Ajo tha se Klitoni ishte shoku i parë i saj shqiptar. Me humorin dhe qetësinë e tij, Zhai-t iu krijua një përshtypje e mirë dhe miqësore për shqiptarët.

Zhai Ziqi

Zhai Ziqi

Zhai Ziqi studion në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, ku është hapur dega e parë e gjuhës shqipe në Kinë, prandaj ajo kishte disa njohuri për Shqipërinë nëpërmjet miqve të saj kinezë të kësaj dege. Ajo tha: "Kam dëgjuar nga shokët e mi për peizazhet e bukura të Shqipërisë, veçanërisht për peizazhet natyrore. Vija bregdetare jugore mund të konsiderohet si një destinacion i mirë turistik."

Zhai Ziqi

Zhai Ziqi

Nëpërmjet vullnetarizmit në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, Zhai Ziqi ka fituar shumë dhe ajo shpreson të bëhet një lidhje për shkëmbime kulturore midis kinezëve dhe të huajve. "Jam krenare që jam vullnetare e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit. Nuk jam vetëm ‘përkthyese’, por edhe ‘asistente në çdo detaj’ dhe më e rëndësishmja, jam urë e miqësisë ndërmjet Kinës dhe vendeve të huaja”

Ajo mendon se çdo vullnetar i Lojërave Olimpike të Pekinit është si një flok bore, që “bie” në Lojërat Olimpike Dimërore duke përcjellë miqësinë e kinezëve dhe integrohet në miqësinë mes Kinës dhe vendeve të huaja. Ajo shpreson që një ditë, ky flok bore “të fluturojë” edhe në Shqipëri, duke i dhënë mundësinë që të shijojë bukurinë e Shqipërisë me sytë e saj dhe të vazhdojë të shkruajë një kapitull të ri të miqësive me shqiptarët. (Çang Çuo)