----Intervistë me shoqëruesen kineze të delegacionit të Shqipërisë në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës Dimërore të Pekinit
Zhang Qihong
Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit ka përfunduar para disa ditësh dhe Zhang Qihong, studente pasuniversitare në vitin e parë në Universitetin Minzu të Kinës, publikoi foto ku shihet si shoqëruesja e delegacionit të Shqipërisë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit. Ajo tha se, për shkak të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, është lidhur me këtë vend të largët evropian dhe shpreson ta vazhdojë këtë lidhje.
Shoqërueset dhe drejtori i përgjithëm i ceremonisë së hapjes të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit Zhang Yimou
Kur Pekini organizoi Lojërat Olimpike në vitin 2008, Zhang Qihong ishte vetëm 11 vjeçe dhe në atë kohë ajo shpresonte që të merrte pjesë në olimpiadë. Kur erdhi në Pekin për të studiuar për master në 2021, ajo pa njoftimin për të rekrutuar anëtarë stafi për një pjesë të rëndësishme të ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore dhe u regjistrua menjëherë. Pas disa raundesh shqyrtimesh rigoroze, më në fund ajo u caktua të bëhet pjesë e ekipit të shoqërueseve të delegacioneve në ceremoninë e hapjes. Fara olimpike e hedhur 14 vjet më parë në zemrën e saj zuri rrënjë. Ajo u ndje me shumë fat dhe ishte e vendosur të bënte më të mirën e vet në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit.
Shoqërueset në stërvitje
Në ceremoninë e hapjes, shoqërueset e delegacioneve duhej të mbanin tabelën në formën e flokut të borës ku ishte shkruar emri i secilit vend. Ky veprim nuk është i lehtë. Duhet të përdoret forca e të kontrollohet vendndodhja e tabelës, që kërkon shumë stërvitje e përsëritje, duke forcuar të ashtuquajturën “kujtesë të muskujve”. Qysh nga tetori i vitit të kaluar, Zhang Qihong dhe koleget e saj nuk kishin asnjë fundjavë pushim dhe çdo javë duhej të bënin stërvitje me intensitet të lartë. Gjatë stërvitjes, ato i mbanin gjithmonë mbi një orë këto tabela në formë floku bore. Shumë prej kishin dhembje koke e probleme të tjera. Kishte nga ato vajza që s’mund të duronin dhe zgjodhën të largohen. Por Zhang vazhdoi, sepse kishte dëshirë të ishte pjesë e olimpiadës dimërore.
Zhang Qihong mban tabelën në formën e flokut të borës, ku shkruhet “Shqipëria”
Procesi i stërvitjes ishte i vështirë, por edhe i paharrueshëm. Zhang thotë: “Gjatë provës së parë, u emocionova shumë, veçanërisht kur pashë që flamuri i kuq me pesë yje u dorëzua nga përfaqësuesit e shquar dhe përfaqësuesit e 56 kombësive në ceremoninë e hapjes dhe u ngrit në qendër të platformës. U ndjeva shumë krenare për atdheun.” Në atë kohë, shumë shoqëruese kishin lot në sy, por e mbanin veten të mos u binin lotët, sepse duhej të ruanin pamjen e tyre. Ato dëshironin që me një paraqitje profesionale të tregonin forcën e rinisë.
Zhang Qihong mban tabelën në formën e flokut të borës, ku shkruhet “Shqipëria”
Dy ditë para ceremonisë së hapjes, më 2 shkurt, Zhang Qihong mësoi që ajo do të ishte shoqëruesja e delegacionit të Shqipërisë. Lidhur me këtë vend, Zhang rrëfen sinqerisht se nuk dinte shumë. Në fillim ajo vetëm mendoi se emri i këtij vendi në gjuhën kineze tingëllonte shumë romantik. Për ta bërë mirë punën e saj, Zhang kërkoi shumë materiale dhe gjithashtu kërkoi ndihmë nga nëna e saj, duke u njohur me shumë histori të marrëdhënieve midis Kinës dhe Shqipërisë. Nëna i tregoi Zhang-ut përshtypjet dhe ndjenjat e brezit të saj për Shqipërinë. Nëna i sugjeroi gjithashtu të shikonte filmin “Ngadhnjim mbi vdekjen”. Përveç kësaj, Zhang Qihong i kushtoi rëndësi edhe informacionit mbi skiatorin shqiptar Denni Xhepa. Ajo shprehet: “Si i vetëm sportist shqiptar në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, Denni Xhepa udhëtoi mijëra kilometra për të ardhur në Pekin, gjë që dëshmon shpirtin e guximit e të qëndresës të shqiptarëve, që është edhe fryma olimpike dhe që duhet të çmohet shumë.”
Zhang Qihong dhe Delegacioni i Shqipërisë në ceremoninë e hapjes të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit
Zhang Qihong dhe Delegacioni i Shqipërisë në ceremoninë e hapjes të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit
Nga 2 deri më 3 shkurt, Zhang Qihong me pasion vazhdoi të bëjë stërvitje. Në fund, më 4 shkurt, filloi ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit. Vajza e re, që mbajti në mënyrë standarde tabelën, eci para delegacionit të Shqipërisë. Ajo rrëfen: “Në atë kohë isha shumë e emocionuar, sepse ndieja se shqiptarët po u kushtonin vëmendje Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit dhe sportistëve shqiptarë nëpërmjet tabelës që mbaja unë në dorë, ku me pesë hieroglife ishte shkruar emri i Shqipërisë.” Zhang mendon se nëpërmjet përpjekjeve të saj, shqiptarët mund të njohin Pekinin dhe Kinën.
Zhang Qihong
Ceremonia e hapjes përfundoi, por Zhang Qihong s’mund të jetë e qetë. Me përvojën e saj, ajo fitoi shumë. Për shkak të kërkesave për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, Zhang Qihong nuk pati mundësi të komunikonte shumë me delegacionin shqiptar, por ndjeu se kishte krijuar lidhje me Shqipërinë. Ajo shprehet: "Më parë Shqipëria ka qenë për mua vetëm një emër në hartë, por për shkak të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, kam krijuar lidhje të mrekullueshme me këtë vend dhe kjo lidhje do të zgjasë tërë jetën. Si pasuniversitare në degën e arsimit ndërkombëtar kinez, unë gjithashtu shpresoj të shkoj në Shqipëri për të paraqitur kulturën kineze dhe për të dhënë kontribut në shkëmbimet mes popullit kinez dhe popullit shqiptar.”(Çang Çuo)