Xheni Hatillari, (Facebook)

Xheni Hatillari, (Facebook)

Xheni Hatillari ka studiuar në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Tiranës. Ajo është një profesioniste e fushës mjekësore dhe njëkohësisht aktiviste e shoqërisë civile prej disa vitesh tanimë, duke nisur me çmimin "Vullnetarja e Vitit 2016" e duke vazhduar me implementimin e projekteve të ndryshme në rang kombëtar, me një eksperiencë pune në organizma të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare si Peace Corps Albania apo konsulente pranë UNICEF-it. Prej dy vitesh Xheni është anëtare e këshillit bashkiak të Bashkisë Tiranë, duke punuar edhe me projekte të ndryshme me të rinjtë. Një një intervistë për CMG, Xheni na tregon për rrugëtimin e saj jetësor dhe profesional si dhe angazhimet në fusha të ndryshme.


Xheni Hatillari ne interviste per CMG

Xheni Hatillari ne interviste per CMG

CMG: Kush është Xheni Hatillari dhe me çfarë merreni?

Xheni Hatillari: Unë kam disa vite në fakt që jam zhvendosur në Tiranë dhe kur u zhvendosa aty dhe ky rrugëtimi im i jetës ndryshoi sepse unë takova dhe mësova më shumë për komunitetin, mësova se si mund të kthej dhe jap në komunitet dhe si mund të bëj aktivitete të ndryshme që mund ta përfshijnë atë. Prej 10 vitesh punoj në shoqërinë civile si aktiviste, e kam nisur shumë herët dhe si vullnetare. Sot mendoj se kam arritur në një pikë që mund t’i jap mbrapsht komunitetit atë që mua komuniteti më ka dhënë, derisa unë arrita në këtë pikë. Sot unë aktivizohem pranë organizatave të ndryshme si konsulente përsa i përket çështjeve të të rinjve, dhe krahas kësaj kam dhe aktivitetin tim prej dy vjetësh në këshillin bashkiak të Bashkisë Tiranë dhe aktivizohem aty në kuadrin e të rinjve që përfaqësojnë të rinjtë në Bashki.

CMG: Si ka qenë në fillim të punoje vullnetare, duke ditur se shumë të rinj nuk e kuptojnë vullnetarizmin?

Xheni Hatillari: Kur unë e kam nisur nuk e dija se çfarë ishte puna e vullnetarit, thjesht organizohesha në një organizatë sepse ishin miqtë e mi aty, tek Instituti i Fëmijëve që nuk shikojnë. Duke punuar me ta shumë vite, në përfundim të asaj vërtetë kuptova vullnetarizmin. E kuptova, vazhdoj ta bëj akoma edhe sot, megjithatë shumica e njerëzve që më rrethonin duke nisur nga mamaja ime nuk e kuptonin, dhe kur e pyesnin mamin se çfarë pune bëja, thoshte gjithë kohën vullnetare sepse njerëzit e lidhin me çështjen financiare të pagesës. Sigurisht që një pjesë e komunitetit e ka të vështirë sepse i duhet t’i përdorë ato punë për të fituar para, por nga ana tjetër nuk besoj se anjërit nga neve i mungon një orë që të japë kontributin e tij.


Xheni Hatillari gjate nje aktiviteti nderkombetar (Facebook)

Xheni Hatillari gjate nje aktiviteti nderkombetar (Facebook)

CMG: Gjatë gjithë këtyre viteve të karrierës ju keni udhëtuar përmes punës. Si kanë qenë këto eksperienca udhëtimi për ju?

Xheni Hatillari: Ka qenë fantastike dhe tani që bëj mbledhjen e gjithë këtyre vendeve, mendoj se kam parë një pjesë të mirë të Europës, një pjesë prej programeve të shkëmbimit të mundësuara nga Bashkimi Europian apo nga shtete të ndryshme. Jam shumë e lumtur për këtë sepse mua më ka ndodhur që kam ndryshuar komplet mendimet, dhe përgjithësisht si komunitet nuk jemi shumë të ekspozuar ndaj kulturave të tjera sepse nuk kemi entitete të ndryshme këtu, dhe në fillim për mua ka qenë interesante të shikoja njerëzit që vinin nga komunitete të ndryshme me kultura të tjera ku kishte një lloj pasioni te këto gjëra si dhe kurioziteti. Më ka ndryshuar shumë sepse kam mësuar shumë nga të rinjtë që janë jashtë, që nga pjesa e mentaliteti, stereotipeve, nga mënyra se si e shikojnë punën dhe për dimensionet që ka puna. Unë përgjithësisht nuk e prezantoj veten kurrë me një profesion, kam mësuar shumë prej këtyre shkëmbimeve që ti mund të bësh shumë gjëra dhe të zbulosh veten nëpërmjet eksperiencave të ndryshme, kam mësuar edukimin jo formal dhe për këtë jam shumë falenderuese gjithë kohën.


Xheni Hatillari (Facebook)

Xheni Hatillari (Facebook)

CMG: Pra ju bëni shumë profesione në të njëjtën kohë, po cili është profesioni juaj i parë?

Xheni Hatillari: Unë me profesion jam mjeke, që nuk e ushtroj dhe nuk prezantohem me të. Shumica e punës që unë bëj lidhet gjithmonë me të rinjtë, edhe konsulencat e mia, dhe puna ime e përdithsme dhe të gjitha këto lidhen me të rinjtë, dhe them gjithmonë që unë jam thjesht një e re më shumë në Tiranë. Më ka bërë që të zbuloj dimensionet e vetes, një edukim i vazhdueshëm sepse unë vazhdimisht ndjek proçese edukimi, pra kurse të ndryshme në mënyrë që të riaftësohem sepse bota e të rinjëve ndryshon, ndryshojnë të rinjtë ndryshojmë edhe ne që punojmë me ta, kështu që duhet të informohesh, dhe kjo gjë më ka ndihmuar shumë.

CMG: Gjithmonë ju keni sjellë dhe ide të reja projektesh ku më i fundit ishte projekti i titulluar “Gocë për shpi”. Si lindi ideja e këtij projekti dhe si është pritur kjo ide?

Xheni Hatillari: Në fakt “Gocë për shpi” ishte një ide që mua dhe shoqes time të ngushtë, teksa flisnim me orë të tëra me njëra- tjetrën, kështu ka qenë gjithmonë shoqëria jonë, dhe njëherë menduam që bisedat që bënim gjithmonë me miqtë t’i ndanim me të tjerët edhe pse në atë kohë nuk e dinim dixhitalizimin se si duhet për ta prodhuar. Rastësisht me një mik të përbashkët vendosëm ta nisnim dhe i vendosëm emrin “Gocë për shpi” sepse ne këtu kemi këtë mentalitetin se çfarë duhet të jetë standarde “gocë për ship”, dhe vendosëm që edhe për ta ngacmuar pubikun dhe për të nxitur pak mendimin kritik, t’i jepnim një dimension të ri fjalës. Ky projekt nisi pikërisht në karantinë, më 25 dhjetor ku ishte ende ajo vala e karantinës dhe nuk mendonim se do kishte aq shumë shikueshmëri, por eci shumë mirë ku dhe media ka qenë shumë entuziaste për të na mbështetur dhe gjatë gjithë kohës na ftonin për të folur për këtë gjë. Mendoj që ngacmoi dhe arriti synimin e vet, ne tani jemi në një pauzë dhe shumë shpejt do nisim. Këtë gjë e kemi nisur nga një gjë shumë e thjeshtë, me njerëz që punonin vullnetarisht, me njerëz ku krijuam një studio të improvizuar dhe që ishte komplet rastësore dhe shkoi mirë.


Xheni Hatillari gjate nje mbledhje te keshillit bashkiak (Facebook)

Xheni Hatillari gjate nje mbledhje te keshillit bashkiak (Facebook)

CMG: Si ka qenë si eksperiencë për ju këto dy vite në Këshillin Bashkiak të Tiranës?

Xheni Hatillari: Ka qenë shumë interesante për mua që të ulem për herë të parë në sallën e Këshillit Bashkiak. Më dukej vetja shumë e vogël se isha shumë e re që të ulesha me njerëz të rëndëshishëm aty, që i kisha parë vetëm në televizor. Fushata në vetvete për t’u zgjedhur unë ka qenë interesante sepse unë isha e hutuar gjithë kohës dhe e emocionuar dhe nuk e kisha përjetuar atë gjë. Sigurisht që ka peshën e vet, ka një peshë të jashtëzakonshme. Njerëzit mendojnë që ta lidhin me qasjet politike dhe ideologjinë, por Bashkia Tiranë në vetvete është një institucion shumë sportiv dhe nuk të duhet domosdoshmërisht të jesh me kostum dhe kollare dhe të marrësh vendime të mëdha, kështu që mendoj që ka pasur të gjithë strukturën e mundshme që unë të ndjehesha rehat në këtë pjesë, edhe kryetari vetë. Nga ana tjetër ka qenë shumë interesante se mua më duket sikur e kam përdoruar këtë gjë në të mirë sepse sa herë që të rinjtë që unë punoj duan që të bëjnë një takim me kryetarin, unë jua mundësoj këtë gjë dhe më duket sikur kështu e bëj më të aksesueshme dhe dera është e hapur. Mendoj se i kemi shtuar pak rini Këshillit Bashkiak.


Xheni Hatillari gjate nje aktiviteti (Facebook)

Xheni Hatillari gjate nje aktiviteti (Facebook)

CMG: Keni bërë një vit kurs të gjuhës kineze pranë Institutit Konfuci në Tiranë. Si ju lindi dëshira për të mësuar kinezishten?

Xheni Hatillari: Unë i kam shumë qejf kulturat e ndryshme, dhe tek Instituti Konfuci para disa viteve lexova një lajmërim për të bërë një kurs të gjuhës kineze, ku e ndoqa për një vit. Nuk them se jam fluent, por kam marrrë bazat e gjuhës, dhe ishte shumë interesante për mua sepse ne krahas faktit të mësimit të gjuhës mësonim dhe për kulturën, shikonim filma dhe ekspozoheshim më tepër. Ishte vërtetë interesante dhe isha shumë e lumtur ku një pjesë e mësuesve ishin nga Kina, që na jepte më shumë mundësi shkëmbimi mes nesh. Ka qenë një kujtim shumë i bukur dhe gjithmonë e mbaj të hapur mundësinë që të rimarrë mësime në të ardhmen dhe shpresoj që ta bëj shumë shpejt.

CMG: Ju e keni vizituar ndonjëherë Kinën?

Xheni Hatillari: Jo akoma s’e kam vizituar, por do kisha shumë dëshirë të shkoja sepse unë mendoj se është një vend i cili ka kaq shumë kulturë dhe gjëra që neve nuk jemi ekspozuar dhe na jep shumë mundësi. Ne kemi pasur dhe një histori shumë të bukur me Kinën më përpara, një lloj miqësie e cila përmendet nga paraardhësit tanë. Unë jam gjithmonë kurioze që ta vizitoj sepse gjyshi im ka studiuar atje dhe gjithmonë më tregon për Kinën dhe unë kam qenë gjithmonë në kërkim të mundësive për ta vizituar spese është shumë interesante.


Xheni Hatillari gjate aktiviteteve (Facebook)

Xheni Hatillari gjate aktiviteteve (Facebook)

CMG: Xheni shumë të rinj edhe pse duan të investojnë në Shqipëri, prapë duan që të largohen jashtë për një jetë më të mirë. Ju personalisht do të dëshironit të kontribuonit në vendin tuaj apo në një të ardhme e sheh veten jashtë Shqipërisë?

Xheni Hatillari: Unë e kam pasur mundësinë që të zhvendosem jashtë. E kam provuar dy herë, njëherë në Itali dhe njëherë në Zvicër, dhe në të dyja herët kam përfunduar duke u kthyer në vendin tim. Unë kam një lidhje të pashmangshme me Shqipërinë dhe mendoj që është një gjë që nuk do e ndërroj dot. Sigurisht që nuk jam kundra eksperiencave që të rinjtë duan të akumulojnë jashtë, qoftë për studime apo disa vite punë dhe të rikthehen.

CMG: Së fundi një mesazh për miqtë tuaj dhe dëgjuesit e Radio Ejani.

Xheni Hatillari: Unë ju falenderoj për ftesën, ishte shumë shumë kënaqësi dhe dua të jap një mesazh të shkurtër për të rinjtë. Bota na duket sikur nuk ka shumë mundësira për ne dhe jemi të demoralizuar, por kini parasysh gjithmonë që për ta kuptuar vërtetë nëse është kështu duhet të trokisni. Filloni dhe kërkoni mundësira, dilni nga zona juaj e komfortit dhe jam shumë e sigurt që përtej kësaj shtrihet një botë e tërë mundësish. Nuk është e lehtë, por është shumë e bukur që t’i arrish vetë një e nga një të gjitha këto hapa.

Intervistoi: Gazmend Agaj