Sipas traditës, kthimi në vendlindje për t’u bashkuar me të afërmit është elementi më i rëndësishëm gjatë Festës së Pranverës në Kinë. Por ka një grup njerëzish që qëndrojnë në punë për të mbrojtur paqen dhe lumturinë e njerëzve.
Foto:VCG
Stafi hekurudhor
Nga 11 janari i vitit 2022, Hekurudhat e Kinës po zbatojnë një orar të ri trenash për të siguruar udhëtimin e njerëzve. Numri i përgjithshëm i trenave të udhëtarëve dhe mallrave që qarkullojnë në të gjithë vendin arriti përkatësisht në 5231 dhe 10 606 çifte. Struktura e qarkullimit të trenave është optimizuar vazhdimisht dhe kapaciteti i transportit të udhëtarëve dhe mallrave është përmirësuar më tej.
Punonjësit hekurudhorë që merren me mbarëvajtjen e udhëtimeve për Festën e Pranverës do të qëndrojnë në postet e tyre gjatë kësaj feste për të siguruar nevojat e udhëtimit të më shumë njerëzve.
Liu Zhong, një konduktore e Kompanisë Hekurudhore të provincës Gangdong, ka punuar për 15 vjet dhe ka kaluar shumë Festa Pranvere në punë. Nga veshja dhe rregullimi para nisjes, deri në çdo aspekt të ndërresës, ajo nuk është kurrë e lirë. Ajo e di që ka disa udhëtarë të posaçëm, çfarë nevojash kanë ata dhe ku duhet të zbresin... Në vagonin e vogël, ajo u krijon komoditet udhëtarëve dhe fiton lëvdata të panumërta me sinqeritetin e saj.
Liu Zhong e do këtë punë dhe për t’i bërë udhëtarët të ndihen mirë, mundohet t’u krijojë atyre një mjedis sa më të këndshëm. Gjatë epidemisë, ajo i kushton rëndësi punës së përhapjes së njohurive për kontrollimin e parandalimin e epidemisë te udhëtarët, i udhëzon ata që të zënë vendet e tyre për të mos krijuar grumbullime, u kujton të mbajnë maska për të shmangur infeksionin etj.
Foto:VCG
Shoferët e autobusave të natës
Gjatë Festës së Pranverës, autobusat e natës do të vijojnë të qarkullojnë në Pekin.
39-vjeçari Li Jingjing ka punuar 14 vjet si shofer autobusi në Pekin. Ky është viti i pestë që ai është shofer i autobusave të natës. Në fillimin e hapjes së linjës së natës, Li ishte i ri dhe me energji, prandaj e mori vullnetarësisht përsipër ta bënte këtë punë. Gjatë punës, për arsye që drita nuk është e mirë, për të garantuar sigurinë e qarkullimit të autobusit, Li Jingjing duhet të kujdeset shumë në rrugë gjatë natës.
Ai rrëfen: "Njerëzit që udhëtojnë me autobusat tanë janë përgjithësisht fiksë, si për shembull njerëzit që mbarojnë punë vonë, shoferët që ngasin makinën në vend të atyre që kanë pirë alkool, njerëzit që fillojnë punë shumë herët, prandaj ne i njohim ata". Kur është koha për të hipur në autobus, por askush nuk gjendet në stacion, Li Jingjing i kushton vëmendje të veçantë hapësirës përqark stacionit, për të parë nëse po vijnë udhëtarë apo jo.
Sipas Li Jingjing, megjithëse në autobusat e natës nuk ka shumë udhëtarë, autobusat e natës kanë rëndësi të madhe, sidomos për udhëtarët e vjetër, sepse natën ai mund t’i çojë ata në shtëpi të sigurt.
Foto:VCG
Punonjësit e policisë
Punonjësit e policisë gjithashtu janë ndër më të ngarkuarit gjatë Festës së Pranverës.
Zhang Chengri dhe Wu Zhiqiang janë dy policë të rinj në qytetin Lingwu të Rajonit Autonom Ningxia-Hui. Gjatë Festës së Pranverës, ata shkojnë në zonën që kanë nën ngarkim për të kryer kontrolle sigurie, udhëzojnë personat përgjegjës të zonës për të kryer disa punë sigurie dhe, në të njëjtën kohë, udhëheqin banorët për të bërë siç duhet parandalimin e kontrollin e epidemisë.
Ata mendojnë se, duke qëndruar në punë gjatë festës, do të garantojnë sigurinë për publikun dhe kështu mund të ndiejnë lumturi.
Foto:VCG
Stafi mjekësor
Gjatë festës, stafi mjekësor i shumë spitaleve është i zënë si gjithmonë.
"Sa më e madhe të jetë festa, aq më shumë duhet të qëndrojmë në postet tona dhe duhet të sigurojmë që t'i presim pacientët në kohën e duhur," thotë Tong Ying, kryeinfermiere e departamentit ambulator të Spitalit Xing'an në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme. Znj. Tong tha gjithashtu se ajo dhe kolegët e saj gjithmonë qëndrojnë në punë gjatë pushimeve të festave. Stafi mjekësor i spitalit të saj do të qëndrojë në punë dhe do të ofrojë mbështetje të fortë për shumicën e pacientëve.
Cao Bin, mjeku i Spitalit Popullor të distriktit Yuanyang të provincës Yunnan, u shpreh se, për arsye si ndryshimi i motit dhe kthimi i njerëzve nga qytetet e mëdha në vendlindje, punët e urgjencës janë të vështira gjatë pushimeve të Festës së Pranverës. Ai qëndron në punë që të ofrojë shërbime të mira për të sëmurët, dhe kështu të japë kontribut që njerëzit të kremtojnë sa më mirë Vitin e Ri Kinez.
Bai Meifen, kryeinfermiere për sëmundjet infektive në këtë spital, tha se gjatë Festës së Pranverës do të qëndrojë në punë dhe se është e gatshme për të trajtuar urgjencat. Ajo shtoi se në këto pushime feste, ata i kushtojnë shumë rëndësi punëve të dezinfektimit.
Le të shprehim respektin për njerëzit e zakonshëm që qëndrojnë në punë gjatë Festës së Pranverës.