Ardian Ajazi ne interviste per CMG
Ardian Ajazi jeton në Komunë e Çairit të qytetit të Shkupit. Ai ka përfunduar studimet në degën e marrëdhënieve me publikun dhe aktualisht punon si supervizor në një firmë për kreditet. Gjithashtu Ardiani drejton një bar restorant në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Në një intervistë për CMG Ardiani na tregon për arritjet si dhe planet që ka në të ardhmen.
CMG: Për çfarë keni studiuar dhe cili është angazhimi juaj këtu në Shkup?
Ardian Ajazi: Unë kam studiuar për marrëdhënie me publikun dhe tani për momentin jam supervizor në një një firmë për kreditet, pra për kreditë e shpejta. Gjithashtu kam dhe një restorant lounge bar këtu në Shkup.
CMG: Degën për të cilën keni studiuar e keni zgjedhur vetë dhe e keni ushtruar ndonjëherë si profesion, pasi keni mbaruar fakultetin?
Ardian Ajazi: Unë e kam zgjedhur vetë këtë degë sepse merrem me gjërat që më pëlqejnë. Për momentin puna që unë bëj nuk ka të bëjë me fakultetin që kam kryer, por në të ardhmen do të shohim që të mundem të merrem edhe me marrëdhënien publike, degë për të cilën kam studiuar.
CMG: Keni menduar të vazhdoni dhe masterin?
Ardian Ajazi: Nuk e kam në plan akoma për vazhdimin e masterit, por besoj se shumë shpejt do të vendos edhe për nisjen e masterit.
CMG: Si ju erdhi si mundësi puna që bëni aktualisht dhe a ndjeheni mirë me këtë punë?
Ardian Ajazi: Unë kam gati tre vjet që jam futur në atë punë dhe erdhi shumë papritur si mundësi. Unë nuk e zgjodha si punë, por u gjenda në atë degë dhe jam i kënaqur për momentin me punën që bëj.
CMG: Ju e përmendët që keni dhe një biznes, bar dhe restorant. Si arrini të menaxhoni punën e përditëshme dhe biznesin tuaj?
Ardian Ajazi: Është vërtetë pak vështirë për të menaxhuar kohën, por për fat të mirë kam edhe njerëz që me ndihmojnë. Kam punësuar edhe menaxherë që e mbajnë këtë biznes me ndërrime, kur unë nuk jam i pranishëm. Unë nuk e kam vetëm restorantin, por është dhe një kushëri i imi që e kemi të dy bashkë dhe ndërrohemi me njëri- tjetrin. Kështu që me menaxhim të mirë edhe puna ecën mirë.
Ardian Ajazi
CMG: Si ndjeheni me komunitetin në komunën e Çairit?
Ardian Ajazi: Unë jetoj gati prej 12 vitesh në komunën e Çairit dhe me komunitetin këtu jemi mësuar dhe është pjesa e Shkupit ku shumica e banorëve janë shqiptarë. Nuk kemi asnjë problem dhe punojmë e jetojmë mirë.
CMG: Keni menduar ndonjëherë që të largoheni në një vend tjetër, për një jetesë më të mirë?
Ardian Ajazi: Nuk e kam menduar këtë gjë sepse në Maqedoninë e Veriut jetesa është e mirë dhe unë jam i kënaqur këtu.
CMG: E keni vizituar ndonjëherë Shqipërinë dhe cilat janë përshtypjet tuaja?
Ardian Ajazi: Shqipërinë e kam vizituar disa herë dhe më ka lënë përshtypje shumë të mira dhe kohët e fundit ka përparuar shumë. Më shumë në Shqipëri shkojmë për pushime, por Tiranën nuk e kam parë akoma. Është një nga destinacionet e mia për ta vizituar në të ardhmen.
CMG: Cilat kanë qenë destinacionet turistike në Shqipëri dhe çfarë përshtypjesh keni pasur?
Ardian Ajazi: Unë kam qenë për pushime në Durrës, Vlorë dhe në Ksamil, i cili më ka lënë më shumë përshtypje, vend i vogël, por është fantastik.
Ardian Ajazi ne bar restorant Bistro
CMG: Si janë marrëdhëniet tuaja me komunitetet e tjera që jetojnë në Maqedoninë e Veritut?
Ardian Ajazi: Unë kam marrëdhënie të mrekullueshme me të gjithë sepse deri para 12 viteve kur erdha në komunën e Çairit, jetonim në komunën e qendrës dhe atje kam marrëdhënie shumë të mira me maqedonasit. Por edhe në Çair ku jetojnë të gjitha nacionalitetet, shqiptarë, turq, boshnjakë, marrëdhëniet i kemi shumë të mira, pavarësisht se mediat nuk e kanë atë pasqyrim, por jetohet mrekullueshëm.
CMG: Çfarë ofroni për klientët e bar restorant Bistro?
Ardian Ajazi: Në bar Bistro kemi prej kafes, ëmbëlsira të ndryshme, por shërbejmë dhe mëngjesin, drekën dhe darkën. Pra ne e nsim prej mëngjesit deri në darkë dhe kemi një menu të pasur për të gjithë klientët që duan të konsumojnë diçka në barin tonë.
CMG: Cilat janë planet tuaja në të ardhmen, dëshirat dhe qëllimet që ju keni?
Ardian Ajazi: Unë për momentin dëshiroj që të arrij nivele të larta në karrierën time, por do shohim se çfarë do na sjellë e ardhmja dhe nuk kam asnjë plan për momentin.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.
Ardian Ajazi: Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë dhe besoj se do shihemi shumë shpejt.
Intervistoi: Gazmend Agaj