Doljana Velia (Foto: facebook)

Doljana Velia (Foto: facebook)

Doljana Velia është një 29 vjeçare, e cila fëmijërinë e ka kaluar në qytetin e Vlorës. Ndonëse me aftësi të kufizuara të shikimit në 2013 ajo përfundoi Liceun Artistik për kanto, ndërsa në 2016 ka përfunduar studimet për marëdhënie me publikun, komunikim.

Në periudhën 2017-2021 Doljana realizoi ëndrrën për një diplomë të dytë në psikologji këshillimi.

Krahas studimeve, ajo ka marrë pjesë në shumë trajnime brenda dhe jashtë vendit . Qysh në moshën 16 vjeçare Doljana ka filluar të aktivizohet në organizata për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar si dhe vazhdon të jete advokuese për këtë target grup.

Aktualisht ajo drejton një organizatë për integrimin dhe promovimin e të rinjve të talentuar PAK.


Doljana Velia (Foto: facebook)

Doljana Velia (Foto: facebook)

CMG : Doljana a është profesioni vetëm një punë që duhet bërë, apo pak më tepër?

Doljana Velia : Është më tepër se sa kaq. Ndonjëherë ky koncepti që profesioni është një punë që thjesht duhet bërë, mua nuk më ka pëlqyer kurrë dhe më ka krijuar ndjesi jo të mirë. Unë e shijoj profesionin dhe e shikoj si pjesë të jetës sime.

CMG : E nisim nga fëmijëria, si kanë qenë vitet në fëmijëri?

Doljana Velia: Kanë qenë vitet më të bukura për mua. Kam pasur një fëmijëri të gjallë dhe të bukur. Në fakt unë në atë moshë nuk kuptoja asgjë dhe mendoja që të gjjthe njerëzit nuk shihnin siç edhe nuk shihja unë . Më vonë e kuptova që diçka ishte ndryshe. Unë isha ndryshe. Nëse të gjithë fëmijët luanin me vija unë luaja me rërë, që të ndieja hapësirën dhe veprimin.

Kam qenë një fëmijë shumë i lëvizur, kam rënë nga pema, nga kati i dytë. I kam provuar të gjitha (qesh).

Më kanë trajtuar me shumë dashuri dhe më kanë përkëdhelur shumë sepse kam qenë fëmijë i vogël në familje. Kam marrë dashurinë e gjyshes dhe besoj kaq mjafton për ta cilësuar një fëmijëri të lumtur.

CMG : Kujtimi më i shtrenjtë që ti ke?

Doljana Velia : Kujtimi me i shtrenjtë ka qenë momenti kur mësova notin. Në fakt unë detin e konsideroj si ekosistemin me të sigurt se sa token, ndaj isha shumë e lumtur kur në moshën 5 vjeçare arrita të notoj pa frikë.


Doljana Velia (Foto: facebook)

Doljana Velia (Foto: facebook)

CMG : Çfarë është liria për ty?

Doljana Velia : Liri është të ndjesh atë që ti do dhe të kesh hapësirë dhe mundësi për ta bërë realitet. Kjo është liri për mua.

CMG :Ka pasur momente kur keni thënë nuk do të mund t'ia dal?

Doljana Velia : Ka pasur fraksione momentesh që mund të kem thënë nuk do t'ia dal, por vetëm kaq. Rritur nga një nënë, e cila ka qenë gjithnjë pozitive dhe me energji të mire, nuk mund të isha ndryshe.

Unë mendoj që jeta ka sfida, por nuk janë kaq të vështira për t’u kaluar.

CMG: Çfarë është lumturia për ju?

Doljana Velia : Të jem mirë me veten. Lumturia nuk gjendet në gjëra të mëdha, por në detaje të vogla. Për mua lumturi është edhe në një moment kur të gjjthë ndihen jo mirë. Po marr një shembull, nëse në një autobus shumica e njerëzve janë të irrituar, unë nis dhe meditoj.

CMG : A ka diçka që ende mbetet peng i 2021?

Doljana Velia: Unë nuk mbaj pengje në jetë, por mundohem që t’i zgjidh. Përpiqem shumë që mos kem një jetë që kokën ta kem pas. Këtë e kam pasur parim. Ndërsa nëse tani do më jepnit një laps unë nuk do ta shkruaja dot jetën time. Ndryshe do të doja ta kisha njësoj.

CMG : Cilat janë mësimet tronditëse nga jeta?

Doljana Velia : Vetë kjo! Vetë kjo idea që çdo gjë është mësim, të trondit. Në jetë gjithçka është mësim. Është e vërtetë që ka situata të cilat për ty mund të jenë pozitive dhe për mua jo, por kjo nuk do të thotë që nuk mësojmë nga këto. Njeriu po nuk dështoi, nuk mëson.

CMG :Cili ka qenë momenti juaj i kthesës?

Doljana Velia: Padyshim ka qenë momenti kur unë erdha nga Vlora në Tiranë. Nisa studimet e larta dhe besimi që krijuan prindërit e mi tek unë, ka qenë një ndër fitoret me të mëdha.

Është bukur kur ti ja del vetë. Edhe nisja e një shkolle të dytë ka qenë arritje dhe kthesë për mua. Pastaj kthesa më e madhe dhe fitorja më e madhe padiskutim ka qenë nisja e punës. Të kuptosh që ti vlen dhe shërben është shumë e rëndësishme.

CMG: A e njeh Doliana veten?

Doliana Velia: Po. Edhe pse njeriu çdo herë e më tepër e njeh veten në momente të ndryshme. Të tjerët e dinë që unë jam një vajzë e shkathët që e dua shumë jetën dhe që luftoj për të.

CMG : Si ndiheni aktualisht? Cilat janë përjetimet e momentit...

Doliana Velia : Për momentin ndihem shumë e përmbushur!


Doljana Velia (Foto: facebook)

Doljana Velia (Foto: facebook)

CMG : Çfarë të sjell në vëmendje kur nis fjalia "Na ishte njëherë kur"...

Doliana Velia : Na ishte njëherë kur unë ika nga Shqipëria vetëm. Ishte hapi me i rëndësishëm që unë kam bërë si një vajzë me aftësi të kufizuar dhe kjo drejt SHBA-së. Aty mësova se çfarë do të thotë liri. Aty njerëzit nuk të shihnin si njeri ndryshe! Më bënte përshtypje kur më trajtonin njësoj.

CMG :Cilët janë personat që të kanë qëndruar me pranë?

Doliana Velia : Ka shumë! Shoqëria shqiptare është shumë dashamirëse. Ka nevojë vetëm për pak informacion dhe gjithçka është në rregull. Kam një familje që më ka qëndruar përherë pranë dhe kështu më kane mësuar vlerën e shoqërisë.

CMG : A mëson njeriu nga humbjet?

Doliana Velia : Njeriu dështon dhe humb kur nuk humbet dhe nuk dështon.

CMG : Çfarë është jeta për ty?

Doljana Velia : Jeta është e plotë atëherë kur merr risqe dhe kur guxon!

CMG : Cila është muzika që të përshkruan karakterin?

Doljana Velia : Muzika Klasike. Unë e dua shumë muzikën klasike. E kap vetëm shpesh duke dëgjuar, medituar apo shijuar një gotë verë.

CMG : Të qenit psikologe a të ka bërë ta shohësh botën më pozitive?

Doljana Velia : Po sot jam më e drejte dhe mendoj që jeta është shumë e shkurtër për t’u mërzitur, apo për të qëndruar i hidhëruar. Jeta sociale është e rëndësishme dhe të kuptuarit që gjithçka kalon.

CMG :Cili është urimi për 2022?

Doljana Velia : Uroj që kjo atmosferë festash të jetë pranë çdo dëgjuesi që rri pranë radios.


Intervistoi Megi Latifi