Stenda e Ombra GVG në Panairin e Librit (Ombra Facebook)

Stenda e Ombra GVG në Panairin e Librit (Ombra Facebook)

Një panair libri duket ngjan me një festival, ku arritjet njëvjeçare të punës u prezantohen lexuesve dhe në fund janë ata që vendosin fatin e librave nga autorë vendës e të huaj. Një botues punon gjithë vitin, pavarësisht panairit përmbyllës. Gjithësesi për botimet panairi është si një fund viti kalendarik dhe suksesi i një enti botues vërehet nga një panair në tjetrin. Si çdo produkt edhe libri në stendat e një panairi përballet me konsumuesit e tij, lexuesit. Çfarë ndodh një ditë pasi një panair libri ka mbyllur dyert ?

Një bisedë me drejtuesen e Shtëpisë Botuese “Ombra G.V.G” Vasilika Tafa na njeh me punën e “padukshme” të botuesve, nga njeri panair në tjetrin.

Shtëpia Botuese “OMBRA GVG”, e themeluar në vitin 1998 nga Vasilika dhe Gëzim Tafa, është një ndër emrat më të njohur në botimet shqiptare. Veprimtaria e saj është e mbështetur në disa kolana të letërsisë shqipe dhe të huaj, klasike dhe bashkëkohore. Në 2010, “ OMBRA GVG” fitoi Çmimin e Bibliofilisë "Lumo Skëndo", dhënë nga Biblioteka Kombëtare dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Botimet “OMBRA GVG” kanë ndikuar dukshëm në cilësinë e tregut të librit shqip, dhe në afrimin e tij me standartet më të larta evropiane. Ky ent botues është pjesë e projektit kino-shqiptar të botimeve të ndërsjella dhe ka sjellë në tregun shqiptar të librit vepra nga letërsia, filozofia, ekonomia dhe historia e Kinës.

Vasilika Tafa drejtuese e Ombra GVG (CMG)

Vasilika Tafa drejtuese e Ombra GVG (CMG)

CMG: Ju keni shumë vite në industrinë e librit. Cila është puna dhe përpjekjet e një shtëpie botuese një ditë pas panairit e deri në ditën e parë të panairit të ardhshëm?

Vasilika Tafa: Libri të bën të jesh përherë në kërkim. Do të përmendja një shprehje të të madhit Dritëro Agolli që thotë “Ata që merren me librin janë minatorë”. Unë vërtet e ndjej veten një minatore, sepse sa më shumë vite të kalojnë, aq më shumë të reja dhe vepra që do të dëshiroja t’i kisha në logon e “Ombra G.V.G”, dalin para meje, para Gëzimit dhe shtëpisë sonë botuese, si projekte të së ardhmes.

Panairi i sivjetëm është një rilindje, një rikthim në një dashuri të paparë që të jep kontakti fizik me lexuesin, diskutimet e shumta për përkthimin për mënyrën se çfarë dhe si botohet, për dëshirën dhe kolanat e ndryshme që shtëpia botuese ka hapur në kolanën e saj. Mendoj që panairi është një festë dhe një përballje, një ankth dhe një dashuri. Them një ankth sepse ti je duke parë sytë kureshtarë të lexuesve të tu, atyre që të kanë ndjekur gjatë gjithë vitit, sepse nuk mund të thuash që vetëm në panair ka botime të reja. Botimet vazhdojnë çdo muaj apo shumë libra në muaj, por panairi është përballja. Midis ankthit dhe dashurisë ka një gjendje që vetëm botuesit, kolegët e mi e kuptojnë.

Të botosh do të thotë dhe të organizosh. Gjithmonë kam menduar se pse quhet “shtëpi botuese” sepse edhe në gjuhët e tjera është fjala “shtëpi”. Mendoj sepse në shtëpi organizohesh për të gjitha. Kështu në shtëpi organizon përkthimin, kërkon një vepër të re, pra është një proces i tërë deri sa vjen te gjendja fizike e librit.

CMG: Në Panairin e 24-t të Librit si jeni ndjerë? Jeni optimistë për të rinisur një vit të ri në kërkim dhe publikim të librave të rinj?

Vasilika Tafa: Ne si botues mendojmë se në kufizimet që kanë ndodhur për shkak të pandemisë mund të ketë një rënie të titujve, por ne dëshirojmë të sjellim titujt më të mirë të botuar në botë. Nëse ti i servir lexuesit më pak tituj të botuar gjatë një viti, të paktën t’i servirësh më shumë vlera krahasuar me ato të botuara gjatë viteve të shkuara. Këtu kam shumë kryevepra për të përmendur, siç është libri “Stalingradi” i Vasil Grosman, një nga historianët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, i cili duke qenë vetë pjesmarrës në betejën e Stalingradit ka treguar me vërtetësi të madhe çfarë është bërë në të. Gjithashtu fituesi i Nobelit për paqe presidenti kolumbian Juan Santos vjen me librin “Beteja për paqen”, një libër me vlera letrare por dhe historike.

Tao Te Ching nga Laozi (Ombra)

Tao Te Ching nga Laozi (Ombra)

CMG: Shtëpia Botuese “Ombra G.V.G” ka sjellë për publikun dhe librin “Tao Te Ching” një përkthim nga origjinali i veprës së filozofit të madh kinez Laozi, nga sinologu Iljaz Spahiu. Këtë vit cilat do të jenë veprat tuaja nga letërsia kineze, në plan për botim?

Vasilika Tafa: Në fakt edhe në vitet e shkuara ne kemi vazhduar të botojmë letërsi kineze dhe jo vetëm këtë libër të mrekullueshëm të sjellë nga origjinali nga Iljaz Spahiu. Ne kemi botuar “Artin e Luftës” nga Sun Tzu që është mirëpritur nga lexuesi shqiptar. Gjithashtu kemi botuar librin “Rruga e madhe” ku tregohen arritjen e Kinës në ekonomi si dhe kemi tre libra të tjerë për ekonominë që mendoj se i vlejnë ekonomistëve të sotëm shqiptarë, por edhe studentëve. Kemi projekte mjaft të bukur dhe nga Kina mund të marrësh libra të bukur. Në projektet tona të afërta është publikimi i një albumi mjaft cilësor, i cili do të tregojë bimët e rralla kineze, i përkthyer po nga Iljaz Spahiu nga origjinali. Asnjëherë nuk mund të mendohet se mund të përkthehet nga një gjuhë e dytë një gjë që ka lidhje me bimësinë e rrallë. Gjithashtu do të kemi një botim që besoj se do të kënaqen shumë lexuesit shqiptarë sepse në të flitet për kopshtet e rralla të lidhura me shkrimtarët. Është një libër ku tregohen kopshtet e rralla të Kinës ku kanë shkruar këta shkrimtarë kinezë. Në projektet tona janë dhe shumë libra të tjerë dhe dy të radhës janë konceptet e Konfucit, pjesë e një kolane dhe shumë projekte të tjerë që do të dëshironim të realizonim për botime nga letërsia kineze. Ne jemi gjithashtu të interesuar për historinë e lashtë kineze dhe kemi një projekt të afërt për një libër me këtë temë, por nuk po e zbuloj.

Edicioni i 24-t i Panairit të Librit u zhvillua në Tiranë nga 17-21 nëntor me pjesmarrjen e 95 shtëpive botuese. Pas një vit mungese, panairi edhe këtë vit u zhvillua në kushte pandemie, me masa kundër përhapjes së virusit, teste për punonjësit e shtëpive botuese, mbajtjen me detyrim të maskave nga të gjithë pjesmarrësit dhe masa të tjera të ruajtjes së kushteve higjenike në hapësirat e tij. Këtë vit panairi i zvogëloi me 25 për qind kapacitetet e tij, për shkak të pandemisë dhe për rrjedhojë numri i vizitorëve të tij ishte më i ulët, por kjo nuk i pengoi miqtë e librit për të marrë “ushqimin” e tyre shpirtëror në stendat e shtëpive botuese pjesmarrëse.

Intervistoi Eda Merepeza