Foto: bjd.com.cn
U zhvillua Forumi i 5-të i Kryetarëve të Bashkive të Kryeqyteteve Kinë - Vendet e EQL-së
Ditët e fundit u zhvillua në kryeqytetin e Bosnjë - Hercegovinës Sarajevë, në mënyrë virtuale, Forumi i 5-të i Kryetarëve të Bashkive të Kryeqyteteve Kinë – Vendet e Europës Qendrore e Lindore. Kryebashkiaku i Pekinit Chen Jining mori pjesë dhe mbajti fjalim në këtë forum.
Chen Jining tha se ky forum është një platformë e rëndësishme e bashkëpunimit shumëpalësh të qyteteve në mekanizmin e “Bashkëpunimit Kinë- Vendet e Europës Qendrore e Lindore”. Si dritarja e Kinës, Pekini zbaton hapjen në nivel të lartë ndaj botës dhe do të shtojë ndërlidhjen, përplotësimin e ndërsjellë dhe forcën e bashkëpunimit.
Pekini është i gatshëm të vazhdojë të zhvillojë bashkëpunimin ndërkombëtar me kryeqytete të ndryshme për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, do të inkurajojë më shumë institucione kërkimore shkencore, ndërmarrje dhe spitale për të kryer studimin dhe prodhimin e përbashkët të vaksinave dhe do të promovojë shpërndarjen dhe përdorimin e barabartë të burimeve të parandalimit të epidemisë në mbarë botën. Pekini do të forcojë bashkëpunimin shkencor dhe teknologjik në përballimin e ndryshimeve klimatike, mbrojtjen ekologjike dhe mjedisore, dhe do të promovojë integrimin e projekteve inovative dhe shkëmbimin e talenteve shkencore dhe teknologjike. Pekini do të forcojë intensifikimin e bashkëpunimit në tregtinë digjitale, tregtinë e shërbimeve, tregtinë elektronike ndërkufitare, shërbimet profesionale etj., do të zgjerojë tregtinë dhe investimet e dyanshme dhe do të arrijë një nivel më të lartë përfitimesh të ndërsjella. Pekini gjithashtu do të fokusohet në uljen e lëshimeve të karbonit, energjinë e gjelbër dhe fusha të tjera për ruajtjen e energjisë dhe reduktimin e karbonit, do të ndajë mundësitë e zhvillimit transformues dhe do të promovojë zhvillimin e gjelbër dhe të qëndrueshëm urban, do të zgjerojë dhe thellojë shkëmbimet kulturore, do të mbështesë shkëmbimet akademike dhe trajnimin e talenteve, dhe do të planifikojë me kujdes promovimin e turizmit.
Në forum, kryebashkiaku i qytetit organizues, Sarajevës, mbajti fjalimin e mirëseardhjes. Kryebashkiakët ose përfaqësuesit nga Beogradi, Tirana, Athina, Podgorica dhe Bukureshti mbajtën fjalimet e tyre. Në forum u miratua edhe “Deklarata e përbashkët” për të arritur unanimitet të mëtejshëm dhe për të nxitur bashkëpunimin.
Foto:VCG
U vu në përdorim Baza e Inovacionit e Evropës Qendrore dhe Lindore e Ningbo-s (Budapest).
Ditët e fundit u përurua Baza e Inovacionit e Evropës Qendrore dhe Lindore e Ningbo-s (Budapest). Kjo është një masë e rëndësishme që ka marrë Zona e Bashkëpunimit Industrial Kinë – Vendet e EQL-së në Ningbo për të krijuar bazën e inovacionit jashtë Kinës dhe shërben si një dritare e bashkëpunimit industrial midis Kinës e vendeve të EQL-së.
Përgjegjësi i Zonës së Bashkëpunimit Industrial Kinë – Vendet e EQL-së tha se Baza e Inovacionit e Evropës Qendrore dhe Lindore e Ningbo-s (Budapest) krijoi urën e lidhjes midis qytetit Ningbo dhe vendeve të EQL-së në kushtet e epidemisë. Ajo do të ofrojë një bazë të fortë për zonat e bashkëpunimit industrial dhe tekniko-shkencor.
Mësohet se Baza e Inovacionit e Evropës Qendrore dhe Lindore e Ningbo-s (Budapest) do të përputhet saktësisht me nevojat e bashkëpunimit të ndërmarrjeve shkencore dhe teknologjike të vendeve e EQL-së me Ningbo-n dhe madje edhe me ndërmarrjet e fuqishme të vendit, do të bëjë çdo përpjekje për të nxitur transferimin e shkencës dhe teknologjisë dhe zbatimin e projekteve industriale në vendet e EQL-së dhe do ta ndihmojë Ningbo-n të ndërtojë një zonë demonstrimi për bashkëpunimin ndërkombëtar në Europën Qendrore dhe Lindore.
Foto:VCG
Tregtia e provincës Shaanxi me Evropën Qendrore dhe Lindore u rrit më shumë se 70 % në tre tremujorët e parë
Sipas të dhënave të publikuara ditët e fundit nga dogana e qytetit Xian, në tre tremujorët e parë vlera totale e importit dhe eksportit të provincës Shaanxi me Europën Qendrore dhe Lindore ishte 7.56 miliardë juanë, duke u rritur 75.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Midis tyre, eksportet ishin 5.53 miliardë juanë, duke u rritur 57.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa importet 2.03 miliardë juanë, 155.8 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme.
Trenat Kinë-Europë kanë nxitur tregtinë midis provincës Shaanxi dhe EQL-së. Në gushtin e vitit të kaluar, u vu në qarkullim treni i parë Changanhao nga provinca Shaanxi deri në Budapest. Si qendra e shpërndarjes së mallrave në Europën Qendrore dhe Lindore, ngarkesat mund të mbulojnë Rumaninë, Sllovakinë, Austrinë, Kroacinë dhe vende të tjera nëpërmjet Budapestit. Me funksionimin normal të rrugës Chang'anhao për në Europën Qendrore dhe Lindore, shtrirja tregtare dhe industriale e Shaanxi-së me Evropën Qendrore dhe Lindore është përshpejtuar, shkalla e tregtisë është zgjeruar më tej dhe bashkëpunimi ekonomik me Europën Qendrore dhe Lindore është bërë më i ngushtë.
Foto: Chinanews
Në vitin e ardhshëm do të organizohet maratona Kinë- vendet e EQL-së
Zyra e Punëve të Jashtme e provincës Qinghai organizoi aktivitetin “Qinghai ekologjik ndihmon Olimpiadën Dimërore”. Diplomatët nga Sllovakia, Kroacia, Republika Çeke, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Hungaria, Serbia dhe Greqia morën pjesë në këtë aktivitet.
Tema e këtij aktiviteti është mirëpritja e Olimpiadës Dimërore të Pekinit me zhvillimin e gjelbër. Diplomatët e vendeve të EQL-së në Kinë provuan sporte në akull si kërlingu, hokeji mbi akull dhe patinazhi artistik në Qendrën Qytetare të Xining-ut, kryeqendrës së provincës Qinghai, për të përjetuar frymën e sporteve të rrafshnaltës në vend dhe për të mirëpritur Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit.
Ambasadori i Çekisë në Kinë Vladimír Tomšík tha në këtë aktivitet: "Nuk është e lehtë për pushtetin vendor që t'u ofrojë qytetarëve mjedise kaq të mira dhe të zhvillojë sportet në akull. E përgëzoj. Jam shumë krenar për Republikën Popullore të Kinës, veçanërisht Pekinin, i cili është bërë një lojtar global. I vetmi qytet organizator si i Olimpiadës Verore, ashtu edhe asaj Dimërore. Urime!"
Në kornizën e mekanizmit të “Bashkëpunimit Kinë- Vendet e EQL-së”, në vitin e ardhshëm do të organizohen më shumë aktivitete të shkëmbimeve kulturore, si maratona Kinë-vendet e EQL-së, për të krijuar urën e bashkëpunimit sportiv. (Çang Çuo)