Edona Haklaj (Facebook)

Edona Haklaj (Facebook)

Edona Haklaj është një e re plot ëndrra e plane. Ajo është gazetare, që e ka nisur këtë profesion që në moshën 19 vjeçare, duke punuar në media të ndryshme. Një pasion i madh për vajzën e lindur në peizazhin malor të Tropojës përbën dhe poezia, që Edona e shkruan në dialektin gegërisht. Ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të saj kohën e lirë më së shumti Edona ia kushton aktivizmit për rritjen e rolit në shoqëri të grave dhe vajzave shqiptare, kryesisht në zonat rurale të vendit. Gazetarja e re sapo ka fituar një çmim nga Bashkimi Europian për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor.


Edona Haklaj duke raportuar (Apel media)

Edona Haklaj duke raportuar (Apel media)

CMG: Sapo mësova në media se je vlerësuar me një çmim nga Bashkimi Europian në një projekt për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor. Të flasim për këtë çmim.

Edona Haklaj: Është program i Bashkimit Europian me titull “Ambasadore e Ballkanit Perëndimor”, i cili ka filluar vitin e kaluar për të vazhduar në vijim me të rinj të tjerë pjesmarrës, të cilëve u jepet mundësia të aplikojnë. Më tej nëpërmjet votimeve online dhe votave të jurisë përzgjidhen të rinjtë që do të përfaqësojnë pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Të rinjve u jepet mundësia për të shkëmbyer kulturat dhe eksperiencat e gjithësecilit dhe së bashku për të zgjidhur problemet e rinisë në këto vende.

Është një vlerësim që e shikoj si një mundësi më shumë për t’i dhënë zë rinisë së vendit tim e për të çuar përpara ëndrrën prej dekadash për vendin tonë.

CMG: Edona ka lindur në vitin 1998, pra është një përfaqësuese e të rinjve shqiptarë. Si u përzgjodhët në këtë program dhe si u realizua votimi?

Edona Haklaj: Faza e parë ishte aplikimi online ku secili prej aplikuesve duhet të dërgonte një video 1 minutëshe ku të tregonte historinë e atij viti, apo përfqësimin e shoqërisë ku jetonte dhe përse mendonte se ai do të ishte një zë ndryshe në këtë program të BE-së. Kjo video, por dhe një biografi mbështetëse dërgohen në një votim online ku të afërmit, miqtë apo kolegët mund të votonin. Por kjo nuk ishte faza kryesore e procesit sepse kryesorja ishte vota e jurisë. Në aplikimin tim ishte vlerësuar fjala ime ku thoja se “E shoh veten me një mision në këtë jetë për të mbrojtur të pambrojturit, për të luftuar padrejtësitë dhe me mundësinë e të folurit dhe ballafaqimin me heshtjen dhe zërin e mbytur”. Pikërisht këtë juria kishte vlerësuar për atë që në e cilësojmë si mision të rëndësishëm në këtë rrugëtim, qoftë profesional, por edhe aktivizëm.


Edona Haklaj gjatë raportimit në terren (Faktor.al)

Edona Haklaj gjatë raportimit në terren (Faktor.al)

CMG: Me esenë që sapo përcolle ndjehet që ke një shpirt poetik dhe kjo vërehet dhe në poezitë që ke botuar. Je një vajzë e lindur në Bajram Curri dhe e veçanta e poezive të tua është se i shkruan në gegërisht. Në ese është çdo fjalë në vendin e vet. Janë pak fjalë, por shumë ide dhe mendime. Aftësi kjo e një gazetareje të re. Flasim për gazetarinë dhe më pas edhe për poezinë.

Edona Haklaj: Poezia ka qenë dashuria ime e parë.

CMG: Si të gjithë të rinjtë...

Edona Haklaj: Si të gjithë të rinjtë, ndoshta mosha e adoleshencës, momenti kur së pari vihesh në kontakt me letërsinë. Kurse gazetaria është shumë më ndryshe. Është një art që çdo i ri ose çdo individ e ka mundësinë për të bërë diçka ndryshe. Gazetaria për mua është shumë e rëndësishme, është një udhë, një rrugëtim, një mision, të cilin ia kam vendosur vetes dhe e kam provuar herë me sukses e herë ndoshta e pakënaqur me produktin që kam nxjerrë për publikun.

Ka qenë një dilemë nëse do të vazhdoja studimet e larta për gazetari apo letërsi, kur do i drejtohesha dyerve të universitetit, por e kaploi këtë dëshirë gazetaria. Kështu hyra në atë rrugë që e mendoja jo të qenurit një imazh televiziv, apo të dalurit në një ekran, por e kisha menduar si një mundësi që unë të hedh dritë apo të jem pranë njerëzve dhe problemeve të tyre.

CMG: Ke filluar të punosh herët, sepse sot je një vajzë 23 vjeç. Si i ke realizuar të gjitha këto?

Edona Haklaj: Ka qenë fundi i vitit të parë universitar kur kam rënë në kontakt me median për herë të parë. Veç daljeve televizive e ftuar për poezinë apo për angazhimin qytetar, fillova punë si gazetare në një media informative kur isha 19 vjeç. Në fillim ishte një praktikë pune ku ndiqja lajmet nga bota dhe pastaj për të mbuluar kulturën. Pas një muaj praktike doja të ndiqja lajmin orar e pa orar, ishte dëshira për të parë një botë ndryshe që unë sapo e kisha prekur. Drejtuesit e televizionit më dhanë mundësinë që të filloja zyrtarisht punë, duke kuptuar angazhimin tim dhe dëshirën për të ndjekur lajmin. Pastaj kanë qenë tre vite eksperiencë në një media informative ku kam mësuar shumë dhe ka më ka rritur profesionalisht, duke më zbuluar idenë që unë kisha për ekranin dhe që e zbulova kur u bëra pjesë e ekranit dhe televizionit.

CMG: Poezia do të kalojë nga niveli i frymëzimit në botim?

Edona Haklaj: Poezia më ka ndihmuar në gazetari përsa i përket shkrimit. Më jepte një aftësi ndryshe lidhur me lajmin për të sjellë diçka ndryshe në tekstin që shkruaja. Në planet e mia afatgjata është poezia. Periudha e angazhimit gazetaresk e ka lënë pak në hije, por nuk do të vonojë shumë kur unë të sjell një botim me poezi. Nuk do të jenë ato poezi që kam shkruar kur isha më e re, sepse besoj se ka ndryshuar perceptimi im për poezinë. Do të jetë në gegërisht sepse sado që unë e flas në jetën e përditëshme dhe e respektoj gjuhën standarde por kur shkruaj poezia është gegë.


Edona Haklaj në intervistë për CMG

Edona Haklaj në intervistë për CMG

CMG: Të kemi parë si aktiviste për çeshtjen e vajzave në zonat periferike. Si e sheh këtë mision për të ndihmuar të rejat, kur edhe ti vetë je shumë e re?

Edona Haklaj:Mendoj se ndërgjegjësimi nëpërmjet shoqatave të ndryshme është një armë e fortë. Aktivizohem për fuqizimin e vajzave dhe grave në çdo cep të Shqipërisë, jo vetëm në kryeqytet ku padyshim gëlon mundësia e arsimimit, e përfshirjes në aktivitete. Periferia dhe zonat rurale e kanë më të vështirë qoftë kapërcimin e sfidave, stereotipeve, paragjykimeve që shpesh herë vajzat e reja përballen. Është një ëndërr e imja, pse jo një mision që të jem në kontakt me vajzat që ndodhen kudo në zonat rurale të Shqipërisë, për t’u treguar që asgjë nuk është e pamundur.

CMG: Një pyetje, që për fat të keq u bëhet të rinjve tanë. E mendon të ardhmen tënde në Shqipëri?

Edona Haklaj: Kam pasur mundësi të largohem. E kam menduar, por gjithmonë më ka mbajtur dashuria për vendin. Përtej të gjitha problemeve që Shqipëria ka, për të cilat unë reagoj për ditë, besoj dhe shpresoj të jetoj në Shqipëri, në vendin tim të realizoj çfarë dua. Do të doja që një ditë të rinjtë të mos iknin nga Shqipëria, por të ktheheshin këtu.

Intervistoi Eda Merepeza