Vaksinimi në Shqipëri (Gazeta Tema)
Fjala më e përdorur në vitin 2020 në mbarë botën ishte “pandemi” dhe “Covid 19”, ndërsa këtë vit është “ vaksinë”. Të gjithë qytetarët e botës kanë historinë e tyre kovidiane që detyrimisht lidhet me vaksinimin. Tashmë një pjesë e rëndësishme e bisedave mes njerëzve është infektimi nga koronavirusi dhe vaksinimi. Secili prej nesh ka historinë e tij të vaksinimit. Shqipëria tashmë ndjehet më e çliruar nga kthetrat e pandemisë sepse është rritur numri i të vaksinuarve, pavarësisht se do të duhet të ishte më i lartë. Një nga shtyllat kryesore të fushatës së vaksinimit në Shqipëri e përbëjnë vaksinat kineze Sinovac dhe Coronavac.
Vaksina kineze sinovac (A2)
Fillimisht hezitues ndaj vaksinës shumë shqiptarë, kryesisht ata të moshës mbi 40 vjeç u ndjenë të lehtësuar kur mësuan se do të mund të imunizoheshin me vaksina kineze. Sepse gjatë shekullit të kaluar shqiptarët që në vogëli janë imunizuar ndaj sëmundjeve infektive si fruthi, rubeola, poliomeliti falë vaksinave kineze.
Këto vaksina kanë krijuar një histori suksesi te shqiptarët që në vitet 60 të shekullit të kaluar, ndaj shumë prej tyre i ndalën rrugën koronavirusit me vaksinat kineze.
Pothuajse të gjithë të moshuarit në Shqipëri kanë kryer dy dozat e vaksinës Sinovac dhe tashmë po marrin dozën e tretë. Me vaksinat kineze janë imunizuar ndaj virusit shtresa të shoqërisë me profesione në kontakt të ngushtë me publikun dhe për rrjedhojë risk të lartë infektimi si mjekët, infermierët, mësuesit, punonjësit e policisë dhe të institucioneve publike në vend.
Me mikrofonin tonë mblodhëm opinione të qytetarëve në Tiranë, lidhur me vaksinimin
“Unë kam bërë vaksinën kineze. Për të vetmen arësye se e kam parë më të besueshme. Edhe miqtë e mi mjekë më kanë rekomanduar që të bëj vaksinën kineze. I kam bërë të dyja dozat dhe ndjehem mirë. Nuk kam patur asnjë shqetësim dhe ndjehem më i mbrojtur nga covid. Edhe analizat i kam bërë, por dhe moralisht jam më mirë.”
Një tjetër qytetar na tregon se familjarisht kanë zgjedhur vaksinën kineze:
"Ne familjarisht kemi bërë vaksinën kineze Sinovac. I kemi bërë të dyja dozat dhe jemi pajisur me certifikatën përkatëse. Deri tani shumë mirë jemi ndjerë dhe nuk kemi patur asnjë lloj shqetësimi. Në fillim normalisht janë shenjat e vaksinimit, por asgjë tjetër. Ne e zgjodhëm vetë vaksinën kineze, sepse ishin tre mundësi, por zgjodhëm këtë sepse na u duk më e drejtë pasi nuk është me viruse siç janë dy të tjerat (Pfizer dhe Astra Zeneca) dhe na u duk më e mira. Nuk kemi patur asnjë shqetësim dhe jemi të gatshëm të bëjmë dhe dozën e tretë."
Maqedonia e Veriut është një tjetër shtet i Ballkanit Perëndimor ku qytetarët janë imunizuar me vaksina kineze. Gazetari ynë ka biseduar me disa shqiptarë banorë të kryeqytetit Shkup lidhur me vaksinimin e tyre
"Jam vaksinuar para dy muajash me vaksinën Sinovac . E zgjodha sepse unë jam i ri dhe kjo është vaksinë më e lehtë. Besoj se do të kem imunitet."
Durak Ajazi nga Shkupi tha:"Kam bërë të dyja dozat e vaksinës kineze Sinovac. Nuk kam patur asnjë lloj problemi dhe çdo gjë ka qenë në rregull. Mendoj se tani jam më i sigurtë nga covid."
Një tjetër qytetar nga Shkupi tha:"Kam bërë Sinovac dhe ndjehem shumë mirë."
Vaksinat kineze (Top Channel)
Historitë tona janë të ndryshme. Në bisedë me gazetaren Jerida Sakaj, realizuese e rubrikave “Unë promovoj” dhe bashkëdrejtuese e emisionit “Mësojmë kinezisht” mësova historinë e saj të vaksinimit
Jerida tha : "Unë i kam bërë të dyja dozat e vaksinës në fillim të verës. Vendimi për ta bërë nuk ishte i vështisë se kur doli lajmi që vaksina është prodhuar e kisha ndarë mendjen që duhet ta bëja. Kam bërë vaksinën kineze Sinovac. Historia është interesante se përse e zgjodha këtë vasinë. Në fakt ishte mjeku gjerman që më ndjek, për shkat të problemeve të mia shëndetësore. Ai më tha se në mënyrë kategorike duhet të bëja vaksinën kineze, asnjë vaksinë tjetër. Sipas tij kjo vaksinë dihet se si është prodhuar dhe është më e sigurtë sepse është tradicionale. Kështu ai ma sugjeroi dhe unë mora vendimin të vaksinohesha me Sinovac. Pas vaksinimit ndjehem shumë mirë. Nuk kam patur asnjë shqetësim.
Të gjithë shpresojmë se së shpejti pandemisë po i vjen fundi, por me sa duket duhet ende shumë punë, vullnet i mirë dhe ndërgjegjësim për rritjen e vaksinimeve. Të vaksinuarit vazhdojnë jetën e tyre normalisht, por duke zbatuar këshillat e mjekëve për distancim social, higjenë e mosfrekuentim të vendeve të populluara.
Ministria shqiptare e Shëndetësisë njofton se vijon vaksinimi masiv në pikat e përqëndruara te vaksinimit, në qendrat shëndetësore, poliklinika si dhe nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet në kuadër të aksionit kombëtar “Derë më derë”. Nga të dhënat më të fundit të kësaj Ministrie mësojmë se prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,947,148 doza të vaksinës ndaj COVID-19.
Ndër këto 1,032,457 doza të para, 905,876 doza të dyta
dhe 8,815 doza të treta.
Vaksinimi ndaj COVID-19 është i hapur për të gjithë personat +16 vjeç si dhe fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar.
Ka filluar vaksinimi me dozën e tretë të vaksinës për personelin shëndetësor, për qytetarët +60 vjeç me sëmundje kronike si dhe për personat +18 vjeç me frenim të imunitetit.
Deri tani kanë mbërritur në Shqipëri 2,496,960 vaksina antiCOVID, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Kontributi i Kinës për prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave në pjesën më të madhe të botës si dhe parandalimi i përhapjes së valëve pandemike në vende të tjera, falë masave të rrepta brenda vendit, duhet përshëndetur. Kur pandemia të kalojë, mirënjohja për vaksinat kineze do të mbetet. Ato e fituan këtë betejë.
Eda Merepeza