Psikologia N. Llaha (Facebook)
Nereida Llaha ka kryer studimet e larta në departamentin e psikologjisë dhe studimet pasuniversitare Master shkencor për psikologji shkollore në Universitetin e Tiranes. Aktualisht ajo drejton Qendrën psikosociale "Filizat". Në kohën e lirë pasione të saj janë arti dhe sporti.
CMG : Nereida, cila është gjendja në të cilën jeton për momentin?
Nereida Llaha : Kam shumë për të thënë. Duket sikur jeta ka një fokus tek një vit më parë apo dy vite më pare, por në fraksion sekondi ne ndërtojmë jetën dhe kujtimin e bukur. Kur kthej kokën pas unë them me bindje që kam jetuar.
CMG: Kujtimet zënë vend në fëmijëri. Cili është albumi yt më i bukur?
Nereida Llaha: Fëmijëria janë vitet më të bukura për mua, vitet që kanë më shumë jetë. Edhe sot e kësaj dite pas 32 vite jetë ato kujtime vijnë shumë të freskëta dhe shumë të rëndësishme për mua. Ka shumë, shumë kujtime. Kam qenë një fëmijë i gjallë dhe vëmendja e prindërve ishte tek unë. Mozaiku me i bukur ka qenë nëpërmjet pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme. Aktivizimi në volejboll ka qenë një periudhë e bukur dhe e papërsëritshme. Të gjitha fushat që i kam prekur kur kam qenë e vogël kanë ndikuar që unë të jem kjo që jam sot.
CMG: Marëdhënia që keni pasur me babain tuaj?
Nereida Llaha: Babai im mungon shumë sot dhe ai ka qenë katalizator.
Një katalizator i mbështjes në gjithçka. Muzë frymëzimi. Eshtë hera e parë që unë flas për të.
Ai ka qenë model për mua, të gjithë e kemi këtë model. Jeta nuk është kurrë siç e presim dhe mbaj mend një ditë kur zgjohem në mëngjes sepse jeta ime fillonte dhe mbyllej me të dhe i them "O ba, më ka humbur durimi".
Ai më kthehet buzë gaz: “Ç’është ajo fjalë?! Një durim vdes shumë të tjerë lindin” Kjo fjali më ka rritur mua dhe e mbaj me vete çdo ditë.
CMG : A mund t’i vendosësh një titull jetës?
Nereida Llaha: Pasioni im është shkrimi dhe një nga dëshirat e mia ka qenë të botoj një libër me proza të gjata. Titulli që kam pasur në mendje: “E dashuruar me fytyrë komike”. Ky është titulli që do t’i vendosja edhe jetës. Është tepër personale dhe ka një botë të brendshme timen aty.
CMG: Nereida cilat janë sfidat tuaja, nëpër të cilat keni ecur?
Nereida Llaha: Nuk dua të tregohem hipokprite me veten, nëse ju them që kam mësuar nga gabimet. Jo!
Nëse do të kthehesha disa vite më pas unë kam ndjesinë që do të bëja sërish të njëjtën gjë. Nuk i quaj dot gabime, sepse nëse bëj diçka unë e bëj e përfshirë emocionalisht. Kostoja mund të jetë negative dhe nuk mund të them që çdo eksperiencë ka qenë e duhura. Ndoshta në disa momente kanë qenë hapa të mos menduar mire, por jo të nxituar.
Në disa momente të jetës unë kam pësuar rënie të mëdha.
Nereida Llaha (Facebook)
CMG: Cila ka qenë trauma më e madhe që keni përjetuar ?
Nereida Llaha: Goditja e parë ka qenë në një moment shumë delikat të jetës sime, kur më është dashur të heq dorë nga volejbolli.
Ajo ka qenë një nga traumat me të forta, që e ndoqa veten edhe me psikolog. Fillova të pësoj dëmtime dhe duhet ta lija. Vendimi i gabuar ishte duke qenë që unë nisa shkollën dhe e lashë këtë aktivitet menjëherë dhe kjo ishte e gabuar. Sot me mungon shumë. Jam rikthyer në një fushë volejbolli pas 10-vitesh dhe aty kuptova se sa më kishte munguar. Aty harrova gjithçka!
Ndërsa një tjetër moment ka qenë një humbje!
Një humbje e papritur, e pa menduar apo planifikuar. Për asnjë njeri nuk kemi siguri se sa do jetojë, por kjo ishte e beftë dhe për vite me radhë kam mbajtur një lloj inati, që pse iku pa më lajmëruar. Inat me dikë që nuk jetonte. Ishte një peshë që unë e mbylla në një zonë shumë personale, që nuk lejon dikë të hyjë. Kujtim i hidhur, si më i bukuri!
Një tjetër moment ishte divorci, pak kohë pas ardhjes në jetë të vajzës. Pa pritur, pa kuptuar, por erdhi. Nuk ishte divorci ai që la shumë peshë tek unë, por periudha pas.
Në ato momente ajo që kujtova unë ishte mbështetja e babait tim.
Ai nuk më kundërshtoi, por qëndroi aty për mua. Ne kuptoheshim me sy me babain dhe ndonjëherë ndihem në faj, që nuk kam llogaritur nënën , por siguria ishte që ajo është aty për mua.
CMG: Çfarë ju ka dhënë si mësim jeta?
Nereida Llaha: Nëse dikush arrin të ndihet rehat me vetminë dhe të qenit vetëm, asnjë gjë nuk e mposht atë njeri!
CMG: Cila ka qenë puna e parë nga e cila morët edhe eksperiencë?
Nereida Llaha: Është shumë e vështirë që një njeri i përkëdhelur dhe i mbajtur pranë gjjthnje të arrijë në atë pikë ku të pranojë injorancën e vet.
Aplikova në një call center dhe duke qenë që nuk kisha eksperiencë u ndjeva injorante. Aty unë u ndërgjegjesova dhe i fola vetes që disa gjëra nuk i dimë dhe duhet t’i mësojmë. Ditët e para shumë të tjerë qeshnin dhe ti ndiheshe në lojë. Këmbëngulja me dërgoi në një rrugëtim të duhur. Si natyrë unë nuk e konsumoj veten dhe nuk jap maksimumin.
Më pas, krijova disa kushte dhe rinisa shkollën dhe ja dola që të futem në psikologji.
CMG: Si e koncepton kohën?
Nereida Llaha: Jetoj këtu dhe sytë i hedh ndonjëherë pas pesë vitesh, aty ku ndoshta dua që të arrij. Jam natyrë që nuk punoj sot për sot, por punoj për të ardhmen.
Nereida dhe vajza e saj (Facebook)
CMG: Qendra për fëmijë "Filiziat". Pse e krijuat?
Nereida Llaha: Ashtu sikundër thashë që gjithnjë kam dashur të shoh larg në bërjen e gjërave të mia edhe këtë ndërmarrje në jetë e kam dashur prej kohësh. I hodha syte nga biznesi, jo në kuptimin e parë të fjalës, por në një tjetër kuptim. Për të bërë diçka në shoqëri që unë mundem nga ana profesionale. Më tepër se dëshirë kjo ishte ambicie. Në perspektivë është rritje sepse qendra në fokus ka binomin prind-fëmijë.
CMG: Cilat do të ishin fjalët që do t’i drejtoje binomit prind -fëmijë?
Nereida Llaha: Çdo ditë e më tepër unë shoh si problematike marëdhëniet me adoleshentët. Duket sikur nuk i njohin fëmijët e tyre.
Prindërit duhet të kenë parasysh që të kujtojnë emocionet e tyre, pavarësisht se kohët janë ndryshe. Një adoleshent do ketë nevojë për kohë, jo kontroll. Ndryshimet hormonale bëjnë që ata të pësojnë panik mbi identitin e tyre, ndaj duhet mirëkuptim.
Ndërsa për fëmijët do doja të thoja që zona e konfortit të ishte vetëm familja.
Intervistoi :Megi Latifi