Turi rajonal i këshilltarit të shtetit të Kinës, ministri i jashtëm Wang Yi pati stacion dhe Tiranën zyrtare.
Gjatë vizitës njëditore në Tiranë kryediplomati kinez u prit në takime të veçanta nga homologia e tij shqiptare Olta Xhaçka, presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama. Në qendër të takimeve ishte bashkëpunimi dypalësh dhe çeshtje me interes të përbashkët.
Dr. Marsela Musabelliu, drejtore ekzekutive e Institutit Shqiptar për Globalizimin bën një analizë të kësaj vizite.
CMG: Në opinionin tuaj, cilat janë momentet kyç të vizitës së ministrit të jashtëm të Kinës Wang Yi në Tiranë ?
Dr. Marsela Musabelliu: Praktikisht është shumë e rëndësishme që Shqipërisë iu dha kjo lloj vëmendje në këto nivele nga majat më të larta të politikbërjes kineze. Janë bërë 10 vjet që nga hera e fundit që një minister i jashtëm i Republikës Popullore të Kinës vjen në Shqipëri dhe pa dyshim kjo është një pike e rëndësishme jo vetëm për vizitat dypalëshe, por dhe për marrëdhëniet më tej midis Shqipërisë dhe Kinës.
Në fakt, vizita njëditore ishte për të gjithë rajonin e rëndësishme sepse të tre vendet në të cilat ministri i jashtëm kinez shkoi janë edhe pjesë e Nismës 16+1, po ashtu dhe të Nismës “Një brez, një rrugë”. Më tej ai shkoi në Itali për t’u takuar me liderë të tjerë të G 20-ës dhe për të folur në emër të presidentit Xi Jinping.
Kjo vizitë është e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për rajonin dhe fakti që ministri i jashtëm kinez u prit nga të gjitha instancat më të larta të shtetit shqiptar tregon dhe interesin e palës shqiptare për të parë dhe për të ditur më shumë rreth Kinës së sotme.
Më tepër se sa ndalesat që bëri ministri i jashtëm i Kinës, do të doja të nënvizoja pikat kyçe të fjalës së tij dhe ato të liderëve shqiptarë. Unë mendoj se janë 4 pika të cilave iu dha më shumë rëndësi gjatë të gjitha bisedave dhe këto janë: “motori i dyfishtë”, “parimi i një Kine”, “vlerësimi i së kaluarës” dhe “gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit”.
Të githa këto pika u përmendën në Ministrinë e Jashtme, në Presidencë po ashtu edhe në Kryeministri. “Motori i dyfishtë” për këshilltarin kinez të shtetit ishte se Shqipëria është pjesë e Nismës “Një brez, një rrugë” dhe gjithashtu e Nismës Kinë- Europë Qendrore dhe Lindore, ose “16+1”.
Në fjalët e këshilltarit të shtetit të Kinës u nënvizua rëndësia e pjesmarrjes në këto nisma si dhe benefitet që mund të ketë Shqipëria dhe rajoni në pjesmarrjen në këto nisma.
Pika tjetër ishte “parimi i një Kine”, e cila u nënvizua në të treja instancat dhe u bë e qartë dhe nga pala shqiptare, që nuk do të ketë devijime nga ky parim. Është mëse normale që kjo të ritheksohej sepse kjo politikë është nisur, mbështetur dhe sponsorizuar nga shteti shqiptar që në vitet 60-të në OKB.
Një pikë tjetër shumë e rëndësishme ishte “vlerësimi i së kaluarës”. Në të gjitha takimet ministri i jashtëm Wang Yi shprehu fjalë si “Kina nuk harron” dhe mirënjohje të thellë.
CMG: Një moment historik për të dy vendet përkoi me këtë vizitë. 50-vjetori i kthimit të Kinës në OKB, për të cilën Shqipëria ka dhënë kontribut. Ajo që bën përshtypje te autoritetet e larta kineze, por dhe qytetarët është mirënjohja. Ju si analiste, në planin njerëzor, si do ta komentoni këtë mirënjohje kaq të spikatur, një tipar unik të Kinës ?
Dr.Marsela Musabelliu: Është shumë e vërtetë. Në fakt këshilltari i shtetit nuk shprehu vetëm fjalët e elitës politike kineze, por ai po shprehte se çfarë ndodh me të vërtetë me popullin kinez. Unë mund të flas në vetë të parë, ashtu sikurse ju, gjatë punës sime në Kinë, ishin të paktë ata që nuk e njiihnin Shqipërinë. Jo vetëm profesorët por dhe të rinjtë në librat e tyre të historisë na kanë në një kapitull të veçantë. Madje dhe në restorante, taksi apo trena kur njerëzit të pyesnin nga je dhe u thoje nga Shqipëria, kanë një buzëqeshje dhe nje ndjesi interesante dhe janë kuriozë të dinë për Shqipërinë e sotme.
CMG: Kur kjo vjen në një nivel të lartë siç është niveli i shtetit kthehet në një kulturë të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve dypalëshe, që shpresoj se do të reflektohet dhe nga pala shqiptare në një të ardhme të afërt.
Dr. Marsela Musabelliu: Patjetër. Unë besoj se kjo vizitë e nivelit të lartë në Shqipëri do të jetë një ogur i mirë për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe dhe për të ardhmen e afërt dhe të largët. Ideja e vizitës së një ministri të jashtëm kinez në Shqipëri nuk është vetëm protokollare. Ai vjen me të gjithë fuqinë dhe mundësinë politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit të tij dhe kjo duhet të jetë shumë e rëndësishme dhe e kuptueshme edhe nga politikbërësit shqiptarë.
Unë shpresoj dhe besoj që kjo vizitë ka hapur piketa të reja për marrëdhëniet dypalëshe, për bashkëpunimin Kinë-Europë Qendrore dhe Lindore, për Nismën “Një brez, një rrugë” dhe patjetër në tavolinën e diksutimeve kanë qenë çeshtje nga më të ndryshmet, si politika, ekonomia, por dhe ana sociale.
Gjatë takimit në Ministrinë e Jashtme u fol për heqjen e vizave, që është shumë e rëndësishme.
CMG: Heqja e vizave është e rëndësishme për të dy palët dhe me rëndësi të posaçme për Shqipërinë, sepse dihet që turistët kinezë janë në vendin e pare në botë dhe të shpresojmë që pas pandemisë të fillojë jeta normalisht dhe bashkë me të lëvizja. Nëse Shqipëria do të ishte një destinacion për turistët kinezë, kjo do të ishte shumë frytdhënëse për ekonominë shqiptare.
Dr, Marsela Musabelliu: Kjo është e vërtetë, sepse heqja e vizave i jep impulse të reja turizmit. Në vitet 2018-2019 vetëm me heqjen e vizave për qytetarët kinezë për 6 muaj të vitit, sipas statistikave të INSTAT ka një rritje 62-64% nga viti në vit të numrit të turistëve. Imagjinoni sikur kjo të jetë për 12 muaj dhe të jetë e ndërsjellë.
CMG: Ashtu siç e thatë dhe ju kjo vizitë pritet të jetë një nxitje për hapjen e një kapitulli të ri në bashkëpunimin dypalësh.
Dr. Marsela Musabelliu: Patjetër. Ne po jetojmë në kohëra të vështira e të trazuara, kur lëvizjet njerëzore janë pothuajse të ndalura, Kina ka një histori suksesi në përmbajtjen e përhapjes së virusit në territorin e vet dhe deri sa gjërat të shkojnë në vend pa rrezikuar jetën e njerëzve, që është më e rëndësishmja, gjithçka duhet të merret dhe të reflektohet që kur bota t’i rikthehet normalitetit, atëherë motorrët e bashkëpunimit të jenë në nivelet më të larta.
Mendoj se kjo vizitë tregon që Kina është një mik i hershëm, i tashëm i Shqipërisë, por dhe një mik që i takon të ardhmes. Vizita tregoi se Kina është e gatshme dhe vullnetplotë që të zgjasë dorën e bashkëpunimit për palën shqiptare .
Intervistoi Eda Merepeza