Kastriot Fetahu

Kastriot Fetahu

Kastriot Fetahu ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Gjeologjisë dhe minierave dhe më vonë ka ushtruar aktivitetin si inxhinier nafte në ndërmarrjen e shpim-kërkimit të naftës në Kuçovë. Gjatë jetës së tij është marrë dhe me aktivitet privat. Në vitet e shkollës së mesme ka filluar të shkruajë dhe së fundi ka botuar dhe një libër me poezi. Në një intervistë për CMG ai na rrëfen për jetën e tij si dhe pasionin që ka për letërsinë.

CMG: Keni studiuar për inxhinier nafte, por a e keni ushtruar ndonjëherë këtë profesion?

Kastriot Fetahu: Unë kam punuar në sistemin e shpim-kërkimit të naftës nga viti 1983 deri në vitin 1999, kohë në të cilën unë e lashë punën në sistemin e naftës në ndërmarrjen e kërkimit të Kuçovës, sepse u zhvendosa me banim në Tiranë. Kur erdha në Tiranë u mora kryesisht me biznes privat, të cilin e kisha filluar që në vitin 1994 në Kuçovë, me fabrikën e birrës të Kuçovës.

CMG: Ndalemi te biznesi juaj me birrën dhe si arritët që të krijonit fabrikën e birrës në Kuçovë?

Kastriot Fetahu: Në fillim ishte pak e vështirë, sepse për hir të së vërtetës në vitin 1994 birra ishte një artikull që mungonte në tregun shqiptar përgjithësisht. Unë e bëra me idenë që të isha fitues dhe do të luftoja, sepse jeta është sfidë. Mendova se duhet ta fitoja atë sfidë dhe e kam fituar në njëfarë mënyre derisa më vonë arrita atë që doja në jetën time në aspektin ekonomik dhe social. Në vitin 1994 u kontaktuam nga një hungareze, e cila punonte si përfaqësuese e kompanive hungareze që ndërtonin fabrika birre dhe eksportonin jashtë Hungarisë. Me anë të asaj u lidhëm me kompanitë në Hungari, të cilat na bënë oferta të ndryshme në fabrikën e birrës dhe ne zgjodhëm një nga ato oferta dhe e ndërtuam fabrikën e birrës në Kuçovë bashkë me shokët e mi në këtë ndërmarrje.

CMG: Më vonë, ju e zgjeruat aktivitetin tuaj në të gjithë Shqipërinë.

Kastriot Fetahu: Për hir të së vërtetës filloi me këtë dhe pastaj ne ecëm edhe më tej, duke ndërtuar dhe fabrika të tjera birre si në Tiranë, Urën Vajgurore, Lushnje dhe Rrogozhinë. Pra u zgjeruam sepse e kuptuam që ishte një biznes që fillimisht kishte leverdi në tregun shqiptar, por më pas ndodhën gjëra të ndryshme dhe u monopolizuan gjërat, gjë e cila dëmtoi dhe këtë biznes të birrës në Shqipëri, duke falimentuar një pjesë dhe duke u zhvilluar pjesa tjetër. Sistemi kapitalist i njeh këto gjëra, sepse janë pjesë e sistemit.


Kastriot Fetahu ne interviste per CMG

Kastriot Fetahu ne interviste per CMG

CMG: Kastriot, ju nuk ju ndatë biznesit madje edhe këto vitet e fundit jeni marrë me biznes në fushën e agjensive imobilare. Pse vendose të nisësh këtë lloj biznesi?

Kastriot Fetahu: Mua personalisht më ka tërhequr gjithmonë biznesi imobilar sepse duke qenë inxhinier dhe kjo është fushë inxhinierike, kam punuar në këtë biznes pasi e shikoja si fushë të suksesshme edhe më pëlqen. Sot që unë jetoj në Amerikë e shikoj sesa biznes i suksesshëm është kjo si ide.

CMG: Keni dy vite që jeni larguar nga Shqipëria dhe jetoni në Amerikë. Pse e morët këtë vendim?

Kastriot Fetahu: Të them të vërtetën largimi për në Amerikë nuk ishte ndonjë dëshirë e madhe e imja. Unë kisha qenë prej disa vitesh me “green card”, të cilën e shfrytëzoja duke shkuar në Amerikë për pak kohë dhe vija përsëri në Shqipëri. Më duhej një moment për t’u vendosur atje sepse duke qenë se fëmijët e mi kanë mbaruar shkollën në sistemin amerikan, atëhere unë duhet të isha pranë tyre dhe për të ndihmuar ata për gjërat utilitare që ato kishin në jetën e tyre. Jam atje për djemtë e mi, që kanë mbaruar shkollën dhe punojnë në Amerikë.

CMG: Si është jeta juaj tani në Amerikë dhe si ndjeheni atje?

Kastriot Fetahu: Unë jetoj në një zonë luksoze të Çikagos, por një gjë dua t’u them dëgjuesëve që më ndjekin, se kudo që të jemi nuk ka si vendi ynë, dhe atë që ta ofron vendi yt nuk ta ofron ndonjë vend tjetër. Nuk është luksi gjithçka, luksi është marrëdhëniet midis njerëzve në botën që jetojmë.

CMG: Keni ardhur në Shqipëri pas dy vitesh. Kishe mall kur mbërrite në vendin tënd?

Kastriot Fetahu: Sinqerisht malli nuk më ndahet për Shqipërinë. Edhe në shkrimet e mia kam shkruar nga pikpamja e emigrantit, duke e krahasuar me atë që është qytetar i vendit të tij. Unë dhe tani që jam kthyer këtu nuk ngopem së xhiruari nëpër Tiranë, por edhe jashtë Tiranës, dua të shikoj diçka që quhet vendi im.


Kastriot Fetahu ne Amerike

Kastriot Fetahu ne Amerike

CMG: Para pak kohësh keni botuar dhe një libër me poezi, të cilin e keni shkruar brenda një viti në Amerikë. Është ky një pasion i hershëm i juaji?

Kastriot Fetahu: Shumë miq më kanë thënë se si ka mundësi që unë nuk kam shkruar më përpara. E vërteta ime në fushën e shkrimeve është që unë kam filluar të shkruaj që në shkollë të mesme poezi, ku kishte momente që mbushja dhe një fletore, e cila sot nuk egziston. Mu desh pastaj ta lija këtë gjë sepse jeta nganjëherë ka gjëra më të rëndësishme sesa të shkruash. Ideja ime ka qenë që edhe pse nuk realizova në jetën time arsimin që doja, atëherë dëshira ime ka qenë të përfundoja arsimin e fëmijëve në kurset më speciale që ata të mundeshin të arsimoheshin. Dy fëmijët e mi kanë mbaruar shkollën në Amerikë, ku djali i vogël ka bërë atje dhe vitin e tretë të gjimnazit dhe ka mbaruar dhe Universitetin e Teknologjisë për degën e programimit.

CMG: Në fakt çdo prind punon dhe investon për fëmijët, dhe ju tani e keni arritur këtë qëllim dhe gëzoheni me suksesin e tyre.

Kastriot Fetahu: Është një ndjesi e jashtëzakonshme për ata prindër që kanë fëmijët në universitetet elitare, pra është një lumturi e madhe që provohet. Duke qenë se unë jam i qetë shpirtërisht, i kam plotësuar ato që kam dashur në jetë, atëhere ju ktheva përsëri pasionit të vjetër, shkrimit. Gjatë një viti unë shkrova shumë poezi, të cilat i mblodha në një libër që titullohet “Momentum in memorial”.


Kastriot Fetahu

CMG: Sa poezi ka libri dhe do të bëni ndonjë promovim të këtij botimi?

Kastriot Fetahu: Ky libër përmban rreth 120 poezi dhe unë kam pothuajse dhe 60 poezi për të bërë dhe librin e dytë më vonë. Këtë libër unë nuk kam menduar që ta promovoj sepse nuk më premton koha që jam këtu në Shqipëri. Unë do kisha shumë dëshirë që të mblidhja miq edhe shokë apo shumë lexues që unë i detyrohem dhe i falenderoj jashtë mase, sepse ata harxhojnë kohën e tyre që më ndjekin mua. Nëpërmjet kësaj interviste gjej rastin t’i falenderoj dhe t’i përulem atyre që më ndjekin me shumë kënaqësi.

CMG: Tani që jetoni në Amerikë keni menduar të nisnin ndonjë biznes atje?

Kastriot Fetahu: Mua më ngacmon gjithmonë bota e biznesit, sepse unë nuk rri dot pa punuar. Shpresoj që ta bëj një gjë të tillë, por t’ja lemë kohës sepse tani është dëshirë, është një ëndërr në sirtar, por koha do e tregojë sesa do të eci në këtë fushë.

CMG: Kastriot faleminderit për intervistën dhe ju uroj shëndet dhe suksese.

Kastriot Fetahu: Unë ju falenderoj ju dhe Radio Ejani, e cila është një radio që unë e ndjek dhe ju jam mirënjohës për ftesën që më bëtë. Përshëndes dëgjuesit dhe gjithë lexuesit e mi dhe gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen.

Intervistoi: Gazmend Agaj