Në mes të gushtit të vitit 2021 u mbajt Kampi i Trajnimit dhe i Shkëmbimeve të të Rinjve Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore (Ningbo Beilun).
Ky kamp u organizua nga Drejtoria e Kulturës dhe e Turizmit e Ningbos dhe bashkia e këtij qyteti etj.
Kampi i trajnimit dhe i shkëmbimeve ftoi studentë të rinj nga Universiteti i Nottingham-it në Ningbo, Shkolla “Hewes Kent” në Ningbo, Shkolla e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Ningbo Binhai dhe institucione të tjera. Aktivitetet kryesore përfshijnë shkëmbimet lidhur me artin e printimit, përvojën e krijimit të printimit, bashkëkrijimin e artit për mbrojtjen e mjedisit, vizita, shkëmbime opinionesh etj., me synim fillimin e shkëmbimeve mbi artin me temën "Ruajtja e vijës bregdetare" me miqtë e rinj, duke përdorur metodën artistike për të rritur ndërgjegjësimin e të gjithëve për të ruajtur mjedisin bregdetar, për të mbrojtur shtëpinë tonë të përbashkët dhe për të ndërtuar qytete moderne bregdetare.
Pedagogë nga Shkolla e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Ningbo Binhai ndanë njohuritë e tyre për artin e printimit dhe dhanë mësim për krijimin e printimit, duke i lejuar kampistët të përjetojnë krijueshmërinë dhe forcën argëtuese të artit të printimit përmes përvojës personale.
Gjatë aktivitetit, kampistët vizituan Muzeun Portual të Ningbo-s të Kinës për të mësuar rreth kulturës së portit Beilun në Ningbo. Më pas ata morën pjesë edhe në aktivitetin "Dyqani detar – Bashkëkrijimi i artit mjedisor". Të rinjtë shfaqën estetikën e tyre unike dhe idetë e larmishme krijuese, duke i kthyer materialet e mbetura në vepra arti për të shpërfaqur një stil tjetër të artit. Mbeturinat detare të grumbulluara u shndërruan në vepra artistike në "Dyqanin detar", për t'u bërë thirrje njerëzve që të riciklojnë mbeturinat.
Në ditën e fundit të kampit, të rinjtë morën pjesë në aktivitetin e shkëmbimeve me titull “Mbrojmë detin dhe krijojmë të ardhmen”. Në këtë aktivitet të rinjtë shkëmbyen mendime mbi veprimet e mbrojtjes së mjedisit, pastrimin e plazhit, klasifikimin e mbeturinave etj. Ata dhanë opinionet e tyre të larmishme dhe arritën konsensus për të përhapur aktivist njohuritë e mbrojtjes së mjedisit detar, për të mos hedhur mbeturinat në det dhe plazh, për të parandaluar ndotjen dhe për të mbrojtur mjedisin ekologjik etj.
Gjatë kampit, pala organizatore shpalli edhe aktivitetin “Sillni me vete filxhanin për të pirë kafe falas”. Nëse banorët shkojnë në kafene me filxhan me vete, ata mund të pinë kafe falas ose me çmim të ulët. Synimi i këtij aktiviteti është për të propaganduar konceptin e mbrojtjes së mjedisit.
Arti për mbrojtjen e mjedisit krijon koncepte inovative, dhe shkëmbimet kulturore promovojnë bashkëpunimin e të rinjve dhe mësimin e ndërsjellë të ideve. Kampi i Trajnimit dhe i Shkëmbimeve të të Rinjve Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore përqendrohet në grupet e të rinjve, duke u fokusuar në bashkëpunimin dhe inovacionin e mbrojtjes së mjedisit dhe artit. Përmes shkëmbimeve dhe krijimit të risive, u bëhet thirrje më shumë të rinjve të marrin pjesë në mbrojtjen e detit dhe të ndihmojnë në zbatimin e koncepteve ekologjike e të mbrojtjes së mjedisit, duke krijuar bazën kulturore për Beilun-in me vitalitet, forcën e ekonomisë dixhitale dhe bukurinë e kulturës portuale.
Kampi i Trajnimit dhe i Shkëmbimeve të të Rinjve Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore është një nga aktivitetet më të rëndësishme të organizuara nga distrikti Beilun të qytetit Ningbo për shkëmbimet rinore midis Kinës dhe vendeve të EQL-së. Më përpara, Beilun ka organizuar javën artistike rinore midis Kinës dhe vendeve të EQL-së dhe ekspozitën e printimit. (Çang Çuo)