Nanjing (City Tours)
Nanjing-u ka qenë gjithnjë një vend historik. Atje gjenden disa nga objektet më të famshme të vendit, monumente, mauzoleume dhe tempuj. Nanjing-u, kryeqendra e provincës Jiangsu, është një nga qytetet më të bukura kineze si dhe njihet si një nga 4 qytetet më të lashta në Kinë. Ka një kulturë tepër të pasur si dhe një popullsi rreth 8 milionë banorë.
Ai ndodhet në pjesën jugperëndimore të provincës Jiangsu, në jug të lumit Jance. Sipas të dhënave arkelogjike provohet ekzistenca e nomadëve mbi 300 mijë vjet më parë, ndërkohë fshatrat primitive u shfaqën 6000 vjet më parë. Me zhvillimin e vazhdueshëm, Nanjing-u është shndërruar sot një nga qytetet më të zhvilluara të Kinës. Këtu nuk duhet të lini pa vizituar Tempullin e famshëm të Konfucit dhe urën e lumit Jance.
Gatim i peshkut
Lulja e kumbullës është një nga simbolet e qytetit. Ato çelin çdo vit në pranverë, ndonëse mund të jetë ftohtë apo dëborë. Lulja e kumbullës simbolizon forcën e shpirtit dhe fisnikërinë. Në vitin 1982 Këshilli i Qytetit vendosi ta quante lulen e kumbullës, simbol të Nanjing-ut.
Edhe pse në këtë vend nuk ka më perandorë, ushqimi në qytetin antik ruan ende stilin e tij perandorak. Në një vend të fiksuar pas ushqimit, gatimet janë ndër më të mirat. Kjo kuzhinë është pjesë e kuzhinës Jiangsu.
Kuzhina tradicionale në Nanjing njihet si kuzhina Jin Su dhe veçohet për shijen e veçantë dhe për përbërësit e zgjedhur me kujdes. Pjatat e kësaj kuzhine janë me shumë ngjyra, pak erëza dhe një sasi të konsiderueshme vaji.
Gatime nga Nanjing
Ndër specialitetet e kësaj kuzhine veçojmë: rosën e pjekur Jinling dhe supën me 8 shije ku bëjnë pjesë peshku, lëngu i gështenjave, rrënjët e lotusit, majdanozi, farat e lotusit etj. Kjo lloj supe është tepër e përhapur sidomos gjatë "Festës së Hënës".
Në këtë qytet ka dhe shumë restorante, por sidomos zona përreth Tempullit të Konfucit ka restorante ku mund të shijoni ushqim të mrekullueshëm të Nanjing-ut.
Gatim nga Nanjing
Supë me gjak rose – Ky emër mund t'ju duket i çuditshëm, pasi mund të mendoni si ka mundësi që të hidhet gjak në supë. Faktikisht kinezët e konsumojnë gjakun e rosës në një mënyrë tepër të veçantë. Ata marrin gjakun e një rose të sapovrarë dhe e ruajnë në frigorifer derisa ta përdorin. Me kalimin e kohës gjaku mpikset dhe merr një ngjyrë të errët. Shija e supës rregullohet me kripë, piper. Po ashtu ajo përmban vezë dhe makarona.
Rosë në avull – Ky lloj gatimi është shumë i preferuar edhe në qytetin e Hong-Kongut dhe në juglindje të Azisë. Kjo pjatë ka një shije dhe aromë të veçantë.
Puding Tofuje – Ky gatim preferohet për mëngjes, është një supë e bërë me tofu, kërpudha, koriandër dhe pikante.
Pamje nga zona historike e Nanjing-ut
Mezeritë Jinling – Ky emër lidhet me ushqimet e vogla tradicionale që kanë marrë emrin e qytetit. Gatimet më të mira i gjeni në zonën e qytetit përreth Tempullit të Konfucit.
Jiaozitë e mbushura me mish viçi konsiderohen si një nga 8 thesaret e kuzhinës së qytetit. Këto jiaozi apo ravioli kineze konsumohen së bashku me supë me mish viçi.
Gaforret - Që prej vitit 2001, aktiviteti më i madh në jug të Nanjing-ut është festa vjetore e gaforreve.
Pergatiti Gazmend Agaj